Delegacioni i LDMZ takon ambasadorin e Shqipërisë në Mal të Zi

August 7, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Mehmet Bardhi,Tonin Beci,Nikollë Camaj,Tahir Gjonbalaj

Pritje e ngrohtë e vëllazënore në ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë
Ambasadori fuqiplotë i Shqipërisë në Malin e Zi, ekselenca e tij zotëri Tonin Beci, në Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë, me ftesë të tij, priti delegacionin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi: Mehmet Bardhi, Nikollë Camaj dhe Tahir Gjonbalaj. Në pritjen e takimin e përzemërt e vëllazëror, udhëheqësit e LD në MZ e falënderuan për takimin dhe i uruan punë të mbarë Ambasadorit të posaemëruar shqiptar në Malin e Zi. Në të njëjtën kohë, ishte ky rasti për të njoftuar Ambasadorin e ri me situatën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe aktivitetin e Lidhjes Demokratike, duke u përqëndruar edhe në momentin aktual të marrëdhënieve ndërshtetërore si dhe lidhur me situatën në rajon, me theks të veçant në dritën e realitetit të ri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë takim poashtu u theksua edhe rëndësia e marrëdhënjeve të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, në veçanti edhe për faktin se këtu në në trojet e veta shekullore jeton numër i konsiderueshëm i qytetarëve shqiptarë të cilët mirëpresin përkrahjen nga shteti amë në fushat e ndryshme jetësore ku kemi nevojë.
Kryetari Mehmet Bardhi, e njoftoi nikoqirin me angazhimet e subjektit të parë politik nacional të shqiptarëve në Malin e Zi, i cili gjatë gjithë kohës së veprimtarisë së vet, që nga themelimi (09.09.1990), është angazhuar pa rezervë për realizimin e të drejtave njerëzore e nacionale të shqiptarëve në MZ. Ndihma në sferën e arsimit është për t’u përshëndetur, po që nevoja është që kjo edhe të shtohet, pasi interesimi për të studiuar në Universitetet e Shqipërisë pëpr çdo ditë po shtohet. . U vlerësua edhe puna që ka bërë ky subjekt në drejtim të vënies së kontakteve të shumta me qarqe të larta politike të shtetit amë dhe të nivelit ndërkombëtar. Zoti Bardhi ceku nevojën e një mbështetjeje më efikase të përfaqësuesve diplomatik e udhëheqësve të tjerë shqiptarë në drejtim të avancimit të kërkesave tona. Bashkërisht u vlerësua se kjo do të ishte mënyra më e mirë edhe për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të rajonit dhe të integrimeve euroatlantike.
Nikollë Camaj e njoftoi Asmbasadorin me statusin dhe me problemet e komunës urbane të Tuzit, të cilat nuk janë të pakëta. U tha se angazhimi për realizimin e komunës plotë të Tuzit dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve do të jetë edhe më tej angazhimi ynë. Ndërsa Tahir Gjonbalaj u ndal te angazhimet që ky subjekt, përveç të tjerave, ka ndërmarrë në rajonin Plavë-Guci e në bashkëpunim edhe me strukturat lokale shqiptare për të themeluar “Parkun e Paqës” që është një antipod i parkut nacional “Prokletije” të posashpallur nga Mali i Zi, si akt që pikëspari rrezikon interesat e shqiptarëve të këtij rajoni.
Në të njëjtën kohë, Nikollë Camaj e njoftoi edhe me vizitën që këtë javë do t’i bëjë Malësisë dhe Komunës urbane të Tuzit kryebashkiaku i qytetit simotër, Rochester Hills, nga SHBA dhe e ftoi Ambasadorin që t’i bashjëngjitet manifestimit të rastit dhe që të takohet me z. Barnett.
Përfaqësuesit e LD-së e njohtuan Ambasadorin Beci edhe me procesin e privatizimit, i cili në trojet tona i ka të gjitha karakteristikat e një kolonizimi e okupimi, për çka disa qarqe politike shqiptare në MZ, fatkeqësisht, po i mbajnë ison, mbase edhe po bashkëpunojnë për interesa të ngushta personale të tipit të së kaluarës.
Burimi / Malsia.org