Orët letrare universitare

August 28, 2008   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

1. Tradita
Pak më lart se jugu i bregdetit të Adriatikut, mbi disa kodra të vogla, me një histori disa mijëra vjeçare, me dy mijë e pesëqind vjet civilizim, me një detari historikisht shumë të zhvilluar, me plazhe të shumta ranore e shkëmbore, me det e me lumë, shtrihet një qytet me emrin Ulqin i cili ka më së shumti ditë me diell në tërë bregdetin e Adriatikut. Ky qytet gjendet në një nga shtetet më të vogla në botë, në Malin e Zi. Ulqini, nëpër të cilin kanë ardhur, kanë kaluar e kanë mbetur kultura, gjuhë e etnitete të ndryshme, shumicën dhe vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare e ka pasur dhe ruajtur vazhdimisht nëpër mijëravjeçar. Po ky qytet i cili, për atë që i ka falur natyra, mund të quhet qytet i cili për nga bukuria mund të parafytyrohet vetëm në ëndërr, nuk është i njohur vetëm për zhvillimin e turizmit. Ai është i njohur edhe për veprimtaritë kulturore, të cilën për nga tradita e shkruar mund të shkojnë deri te origjina e shkruar e gjuhës shqipe, një nga gjuhët që për nga lloji dhe veçantësia në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane, nuk ka tjetër shoqe. Tashmë albanologët, qofshin shqiptarë apo të tjerë nuk kanë mëdyshje se i pari autor dhe libër i gjuhës shqipe, Gjon Buzuku dhe “Meshari” i kanë rrënjët në trekëndëshin e qyteteve Ulqin-Tivar-Shkodër. Nga rajoni i Ulqinit është edhe përkthyesi i parë i “Biblës” në tërësi në gjuhën shqipe, dom Simon Filipaj, si dhe më parë autori i një prej librave më të përdorshëm të fesë islame “Mevludit sherif”, Hafiz Ali Riza Ulqinaku. Shoqata e parë e shqiptarëve në Malin e Zi, me emrin Art Club formohet para rreth 20-vjetëve në Ulqin me synimin që të rikthejë traditën e shkrimit shqip dhe të kulturës shqiptare në trevat etnike shqiptare në Malin e Zi dhe më gjerë.

2. Orët e letërsisë
Art Club-i u themelua në vitin 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve dhe intelektualëve të Ulqinit dhe më gjerë. Kjo shoqatë deri më tash ka organizuar takime të ndryshme me shkrimtarë, shkencëtarë, artistë, piktorë dhe ka bërë përurimin e shumë librave të autorëve të ndryshëm nga fusha e letërsisë, e kulturës, e artit, e shkencës, e publicistikës etj.
Nga themelimi, Art Club-i ka arritur të organizojë rreth 160 manifestime kulturore që nga simpoziumet shkencore, prezantimin e personaliteteve të ndryshme nga fushat e përmendura kulturore, pastaj ka realizuar përurime librash, ka zhvilluar takime letrare, ka mbajtur ekspozita në artet figurative, ka dhënë shfaqje teatrale etj.
Një nga veprimtaritë më të dalluara të kësaj shoqate është veprimtaria letrare e kulturore “Kalimera poetike” e cila ka 17 vjet që organizohet. Në kuadër të kësaj veprimtarie janë zhvilluar takime me shkrimtarët shqiptarë të të gjitha trevave si me Fatos Arapin, Ali Podrimjen, Dritëro Agollin, Visar Zhitin, Enver Gjerqekun, Basri Çapriqin, Zuvdija Hoxhiqin, Asllan Bishën, Ibrahim Berjashin etj. Pastaj me shkrimtarët malazezë: Jevrem Bërkoviqin, Mlladen Llomparin etj. Në këtë mënyrë veprimtarira e Art Club-it “Kalimera poetike” është cilësuar veprimtaria më e denjë letrare jo vetëm në nivel të shqiptarëve në Malin e Zi, por edhe më gjerë në nivel të shqiptarëve.
“Kalimera poetike” mbahet qysh në vitin 1993. Gjatë tri vjetëve të para ajo është zhvilluar si takim i poetëve të ftuar dhe të atyre që kanë kaluar pushimet në Ulqin. Është quajtur “Taverna poetike”. Më pastaj ajo është shndërruar në manifestim poetik ndërkombëtar në të cilin kanë marrë pjesë rreth 15 poetë gjatë një edicioni. Në këto edicione kanë marrë pjesë poetë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Poezitë më të mira të lexuara të veprimtarisë nga juritë përkatëse kanë marrë çmime nga Art Club-i, Radio Ulqini etj.
Që nga viti 2000 e këndej “Kalimera poetike” është transformuar në manifestim në të cilin marrin pjesë shkrimtarët më të njohur shqiptarë dhe të tjerë. Në secilin vit në këtë veprimtari letrare kanë marrë pjesë nga dy shkrimtarë të njohur. Për shkrimtarët me të cilët janë organizuar mbrëmje autoriale studiues, historianë dhe kritikë të letërsisë, njohësit më të mirë të veprave e autorëve përkatës kanë shkruar paraprakisht studimet për veprat gjegjëse për t`i kumtuar fjalët e tyre në mbrëmjet e “Kalimerës poetike” para opinonit letrar dhe mediave. Në këtë mënyrë janë përmbushur qëllimet dhe synimet kryesore të kësaj veprimtarie.
Qëllimi themelor i organizimit të “Kalimerës poetike” nga Art Club-i është që për publikun vendës dhe turistët e shumtë të përurohet veprimtaria dhe autorët më të mirë të letërsisë shqiptare pa marrë parasysh se nga janë. Po ashtu një nga qëllimet është edhe njohja e letërisisë e cila krijohet në Malin e Zi dhe në rajon për lexuesit shqiptarë. Ky manifestim ka për qëllim që përmes komunikimit midis letërsive e autorëve të ndryshëm në gjuhë e vende të llojllojshme të përurojë vlerat univerzale njerëzore përmes letërsisë.
Në këtë mënyrë, mund të thuhet qysh tash se për nga emrat e shkrimtarëve dhe studiuesve që kanë marrë pjesë, si dhe për mënyrën e organizimit, gjatë këtyre 16 vjetëve “Kalimerat poetike” janë shndërruar në orë letrare për letërsinë shqiptare në nivel universitar në kuptimin e mirë të fjalës.

3. Kalimera poetike-2008
Mbarimi i korrikut dhe fillimi i gushtit është koha kur në Ulqin zhvillohen tri veprimtaritë kulturore: “Panairi i librit”, “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”. Gjatë muajit gusht tashmë tradicionalisht organizohet “Kalimera poetike”, siç ndodhi edhe këtë vit. Dy të ftuarit e “Kalimerës poetike-2008”: Xhuzepe Skiro di Maxho, shkrimtari më i madh aktual i letërsisë arbëreshe, trashëgimtar i denjë i letërsisë arbëreshe të romantizmit dhe shkrimtari më hulumtues i prozës bashkëkohore shqipe, Ridvan Dibra, i cilësuar si “Kafka shqiptar” janë shenja të qarta se kjo veprimtari me të ftuarit e saj është duke kuptuar ritmet dhe dinamikën e letërsisë shqiptare së cilës i ka ardhur dita për t`u njohur në botë.
I pari, autori i letërsisë arbëreshe që vjen nga Sicilia, Xhuzepe Skiro di Maxho, thënë në shqip Zefi ynë, është padyshim pinjolli më krenar i gjallë i Zef Skiroit të parë i cili më në fund është zbuluar nga historianët e letërsisë shqiptare, duke u inkuadruar edhe në programe shkollore. Krahas autorëve arbëreshë si Voreo Ujko dhe më të rinjve Kate Xukaro, apo Mario Belici e të tjerë, Xhuzepe Skiro di Maxho vjen në “Kalimerën poetike-2008” të organizuar nga Art Club-i për të plotësuar mozaikun ngjyra-ngjyra, por të shpërndarë të letërsisë shqiptare. “Ne e kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, sepse si ne arbëreshët në Itali ashtu edhe ju shqiptarët në Malin e Zi, jemi minoritetet”, shprehet poeti në tarracën e hotelit “Albatros” në Ulqin. Por, vazhdon ai “ne shteti na mbron”, gjë që nuk ka ndodhur gjithmonë me shqiptarët në Malin e Zi. Sidoqoftë, kultura e letërsia këtë herë përmes “Kalimerës poetike” hapi dyert edhe për bashkëpunime në nivele të tjera, midis pushteteve vendore të Ulqinit dhe Horës së Arbëresheve.
I dyti i ftuar i “Kalimerës poetike”, Ridvan Dibra, padyshim një nga eksperimentuesit më të suksesshëm të letërsisë shqiptare në prozë, gjegjësisht në roman, me pjesëmarrjen e tij në “Kalimerën poetike”-2008 dëshmon se kjo veprimtari po fton autorët që letërisë shqipe janë duke i dhënë dinamikën dhe tonin e letërsisë botërore. Ekobakasi, ky është personazhi themelor, apo uni i autorit Ridvan Dibra, ka bërë përpjekje për çmitizimin e një prej heronjve legjendë të shqiptarëve, Gjergj Elez Alisë, me të cilët heronj “të pamposhtur” ende janë të preokupuar shtetet e Ballkanit. Ai bën përpjekje për heqjen e një barre të rëndë e cila është historia e fitoreve dhe lavdive që shqiptarët e ballkanasit e tjerë vazhdojnë ta bartin e që në thelb nuk ka qenë gjithnjë e këtillë. Ridvan Dibra, në Fjalën e autorit, një risi e edicionit të këtij viti në “Kalimerën poetike”, shtron edhe një nga problemet më aktuale të letërsisë shqiptare dhe më gjerë, vlerësimin e gabuar të shkrimtarëve, jo në bazë të tekstit që është prodhimi themelor i autorit, por në bazë të jetës private që bën ai.
Veprimtaria e tretë e “Kalimerës poetike- 2008” ishte përurimi i librit “Autobiografia”, botuar në 16-vjetorin e veprimtarisë, me përfshirjen e 33 autorëve të zgjedhur që kanë marrë pjesë në këtë manifestim. E veçanta e këtij përurimi është se ideatorët e kësaj veprimtarie shkrimtarët: Basri Çapriqi, Ibrahim Berjashi, Asllan Bisha dhe autori i këtyre rreshtave për “Kalimerën poetike” në vite flasin duke lundëruar në një anije, disa mila në detin e Ulqinit. Në shushurimën e valeve dhe të entuziazmuar për idenë e realizimit të këtillë të kësaj veprimtarie, lexojnë krijimet e tyre letrare: Ali Podrimja, Xhuzepe Skrio di Maxho, Ridvan Dibra, Hajro Ulqinaku, Nasho Jorgaqi, Fran Camaj e Anton Gojçaj. Dhe për fund të kësaj veprimtarie bëhet një ankorim i anijes në një plazh natyror, në të cilën bëhet shijimi i peshkut të freskët përgatitur dhe ngrënë sipas modelit që gjermanët e quajnë “fisch picnic”.
Perdja për “Kalimerën poetike-2008”, këtu bie.
Kurse e ardhmja e “Kalimerës poetike”, si veprimtari është këmbëngulja për të evidentuar vlerat e padiskutueshme që po sjell brezi i mesëm i letërsisë shqiptare, gjegjësisht ritmet e dinamika e brezit më të ri si dhe synimi që ky manifestim të përmbushë edhe më shumë karakterin e të qenit ndërkombëtar.
(Autori është kryetar i SHAI “Art Club”)
Haxhi Shabani
Koha Javore