Enigma E HistorisË Malazeze – Rasti I Shasit (5)

October 17, 2008   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

Gërmadhat mesjetare të Qytetit të Shasit

Kuptimi i historisë i lidhur me ndryshimet gjeografike
Është e pamundur të kuptosh historinë e njohur të Shasit apo të trevës ose të tentosh një rindërtim të periudhës më të rëndësishme të historisë që tashmë është krejt e errët, pa iu referuar procesit të ndryshimeve të bregdetit dhe brigjeve të këtyre anëve.
Në shekullin XVII, hartat venedikase tregojnë një liqen të dytë të vogël, atë të Sogagnit (Zogajve), në të njëjtën vijë midis liqenit kryesor të Shkodrës dhe liqenit të Shasit (Sfaccio në italisht) dhe ky ka të ngjarë të ketë ekzistuar më përpara. Sogagni duhet të jetë tharë aty nga periudha e vonët osmane dhe tashmë është bërë pjesë e moçalishteve dhe kriporeve përtej Ulqinit.
Në hartat venedikase duket lidhja e drejtpërdrejtë e lumit të Bunës me një kanal të vogël dhe mbi të i një ure, urës së Zornit (Ponte di Zorni) në rrugën Shkodër-Ulqin. Por të gjitha këto janë zhdukur dhe vizitori i sotëm mund të shohë vetëm një varg të ngatërruar kallamishtesh. Është e pamundur të kuptosh historinë e njohur të Shasit apo të trevës ose të tentosh një rindërtim të periudhës më të rëndësishme të historisë që tashmë është krejt e errët, pa iu referuar procesit të ndryshimeve të bregdetit dhe brigjeve të këtyre anëve. Harta në vijim tregon pozicionin e Shasit dhe të rrethinave në raport me bregdetin kryesor – tokat kodrinore që e rrethojnë.
Në antikitet bregdeti i Adriatikut kishte një pamje tjetër, ndërsa një pjesë e tokave që tashmë janë shndërruar në këneta të mëdha në brendësi përgjatë gjithë bregdetit Adriatik në jug deri në veriperëndim të Greqisë ishin të thata. Shasi atëherë ka të ngjarë të ketë qenë fare afër pjesës së lundrueshme për anijet e lashta dhe liqeni i sotëm i Shasit mund të ketë qenë në fakt një gji kënetor i detit. Kodrina e Shasit duhet të ketë qenë lehtësisht e dukshme nga hyrjet detare dhe e ekspozuar ndaj forcave kulturore të shoqëruara me tregtinë, kolonizimin dhe piraterinë bregdetare, ndërsa në periudhën pararomake, cilido vendbanim duhet të ketë qenë një ngulim satelit për mbretërinë Ilire të Gentit me qendër në Shkodër.
Procesi i shndërrimeve bregdetare mund të shihet shumë më qartë në një qendër të rëndësishme si Lissusi i lashtë, Lezha e sotme, disa dhjetëra kilometra më në jug, në Shqipëri, që ka qenë një port romak. Në ditët tona ky qytet është bukur në brendësi dhe i rrethuar nga moçalishte të mëdha në lidhje me detin.
Përgjatë kufirit të sotëm verior Shqipëri-Mali i Zi, lumi më i madh në këtë zonë, Drini, kishte një grykëderdhje mjaft të gjerë dhe më të përhapur sesa tani dhe vërshimet e përrenjve në dimër shkaktonin përmbytje të mëdha. Prandaj dhe vendbanimet njerëzore në afërsi ishin përqendruar gjithnjë mbi një numër kodrash të vogla që ngriheshin mbi këneta.
Prandaj dhe kodra e Shasit me peshkun e saj të bollshëm në liqen ishte një vend tërheqës për banim nga fise të ndryshme që në kohët më të lashta. Fiset ilire filluan të ndërtojnë vendbanime të fortifikuara përgjatë bregdetit nga mesi i shekullit të tretë para erës së re, ndër të cilët Shkodra dhe Lissusi ishin më të rëndësishmet, por të gjitha ishin piketuar për të ruajtur rrugët në brendësi dhe për të siguruar bregdetin për anijet e tyre. Mund të ketë pasur gjithashtu edhe një faltore lidhur me liqenin.
Qendra kryesore e Shkodrës u zhvillua me shpejtësi në shekullin IV p.e.r., ndërsa rritja e qytetit ofroi një treg të mirë për prodhimet ushqimore dhe u shndërrua në një qendër për disa vendbanime të vogla satelite të shpërndara rrotull afërsisë së liqenit. Vendbanimi mbi Shas dhe kodrat aty rrotull sipas të gjitha gjasave ishte tejet i kufizuar, por ai do të ketë shërbyer si një qendër kodrinore mjaft e mbrojtur ku barinjtë dhe grigjat e tyre gjenin strehim gjatë lëvizjeve, pasi ishte një vend i pabanueshëm gjatë muajve me lagështi dhe përmbytjes së tokave përreth.
Averil Cameroon – James Pettifer
Koha Javore