Forca e re demokratike kritikon pushtetin në komunën e Ulqinit për shkak të mostransparencës në shpenzimet e buxhetit

October 20, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Urgjentisht të bëhet ribalanci i buxhetit
Ulqin – Forca e Re Demokratike ka përsëritur kritikat e veta ndaj pushtetit në Komunën e Ulqinit, kësaj radhe lidhur me buxhetin, duke e cilësuar atë si jotransparent.
Kjo parti ka njoftuar se Sekretariati për Buxhet dhe Financa i ka informuar për realizimin e të ardhurave për tetë muajt e parë të vitit, por jo edhe për shpenzimet.
Forca ka shprehur brengosje për nivelin e ulët të realizimit të deritanishëm të buxhetit të Komunës së Ulqinit.
“Për fat të keq, realizimi i të ardhurave të buxhetit për tetë muajt e parë është 39,61% dhe mund të konstatojmë që edhe ky vit është i dështuar dhe qytetarët janë prapë të mashtruar”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj partie të lëshuar pas një tribune me qytetarë lidhur me buxhetin e Komunës së Ulqinit.
Duke u nisur nga ky fakt, Forca ka kërkuar nga Sekretariati për Buxhet dhe Financa që urgjentisht të bëjë ribalancin e buxhetit të Komunës për vitin 2008.
Forca ka kritikuar pushtetin ekzekutiv edhe për shkak të mospërfundimit të hartimit të planeve detaje urbanistike.
“Nuk është hartuar e as nuk ka filluar përgatitja për ekspropriimin e pronave gjë që është e pashmangshme për ndërtimet e ardhshme të objekteve infrastrukturore”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Sipas Forcës së Re Demokratike nuk janë realizuar as investimet e parashikuara me buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitin 2008.
“Në bazë të tenderëve të hapur mund të arrijmë në përfundimin se deri në fund të vitit duhet që investimet kapitale të financuara nga ana e Komunës të arrijnë gjithsej 945 mijë euro ose 15% prej sa është paraparë. Mirëpo, edhe këto mjete janë në pikëpyetje, prandaj pritet që edhe ky realizim do të jetë më i vogël”, thuhet në deklaratën për shtyp të Forcës.
Kritika ndaj Komunës së Ulqinit, Forca e Re Demokratike ka shfaqur edhe për shkak të rritjes së numrit të të punësuarve në këtë institucion.
“Për dy vjet pushteti lokal ka punësuar rreth 50 punëtorë të rinj dhe ua ka rritur pagat për më tepër se 65%. Këto të dhëna na japin të drejtë të arrijmë në përfundimin se situata në administratën e pushtetit lokal dalëngadalë po ndërlikohet dhe anon kah rritja e mëtutjeshme e tatimeve gjë që do të ndikojë negativisht në standardin e qytetarëve dhe do të ndërpresë investimet e reja në Ulqin”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Forca e Re Demokratike është e brengosur për mosdorëzimin e Vendimit përfundimtar të buxhetit për vitin 2007 që të shqyrtohet në Kuvend si dhe për mosreagimin e institucioneve shtetërore për shkak të shkeljeve të konstatuara nga vetë ato.
“Jemi të brengosur që institucionet revizore shtetërore deri më tani nuk kanë marrë asnjë masë lidhur me raportin e vet për gjendjen e buxhetit të Komunës së Ulqinit si dhe Agjencinë për Luftë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Burimi / Kohapress

YouTube Preview Image