Roqen:Vendimi i stabilitetit të rajonit

November 2, 2008   | Shtypi / Mediji

Koha do të dëshmojë më se miri se Mali i Zi ka marrë vendimin e duhur për stabilitetin e rajonin kur ka njohur Kosovën, ka deklaruar Shefi i Diplomacisë malazeze, Milan Rocen. Në një intervistë për gazetën e Podgoricës, “Vijesti” ai ka thënë se, qysh tash po shihen efektet pozitive të këtij vendimi. “E keni parë edhe në raportin e Komisionit Europian përparimin në Mal të Zi, së paku sipas informatave të para, roli i Malit të Zi në rajon, respektohet shumë. Shpreh bindjen se situata e brendshme politike në Mal të Zi është edhe më stabile pas marrjes së vendimit për njohjen e Kosovës”, ka thënë Rocen. Ky stabilitet, sipas tij, shihet nga mungesa e spekulimeve rreth kësaj çështjeje. Ndërsa sa i përket Listës Serbe, e cila ka vendosur që me 12 deputetë të saj të braktisë Parlamentin e Malit të Zi për shkak të njohjes së Kosovës, Rocen ka thënë se secili ka të drejtë të zgjedhë metodat e luftës politike. Megjithatë, ai ka thënë se ky veprim aspak nuk do të cenojë stabilitetin e Malit të Zi.
Burimi / Gazeta Express