Alternativat shqiptare dhe opozita serbe

November 6, 2008   | Politika

Të ndahet shapi nga sheqeri
Njohja e Kosovës së Pavarur nga Ana e Qeverisë së Malit të Zi ka rentgenizuar më së miri skenën e këtushme politike dhe subjektet që e bëjnë atë. Duke ditur se Kosova në fundshekullin e shkuar dhe në fillim të këtij shekulli ka qenë kauza nr. 1 e shqiptarëve në Ballkan, reagimet e partive politike parlamentare ndaj vendimit të Qeverisë është pritur të heqin çdo iluzion se partitë shqiptare mund t`u sjellin ndonjë të mirë shqiptarëve duke bashkëpunuar me partitë opozitare serbe ose proserbe në Mal të Zi.
Protestat e opozitës, të organizuara pak ditë pas këtij vendimi nga ana e Listës Serbe, Partisë Socialiste Popullore dhe Partisë Popullore, të përkrahura edhe nga Lëvizja për Ndryshime, në të cilat është kërkuar që Qeveria të anulojë vendimin, kanë treguar qartë se ata që i quajnë terroristë udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës nuk mund të jenë miq të shqiptarëve në Mal të Zi.
Por dy parti shqiptare vazhdojnë të sillen sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi vazhdojnë të ruajnë koalicionin me njërën nga partitë që ka qenë shumë e zëshme në protestat e lartëpërmendura, me Partinë Socialiste Popullore, me të cilën mbajnë pushtetin në Komunën Urbane të Tuzit.
Vërtetë, këto dy parti shqiptare dhe të gjitha partitë që morën pjesë në protesta janë angazhuar për komunë të plotë të Tuzit, kur UDSH-ja me ndërmjetësimin amerikan, ka përkrahur si zgjidhje kalimtare komunën urbane të draftit të dytë, me shumë më tepër elemente të vetëqeverisjes lokale, në kufijtë administrativë që përkojnë me ata etnikë.
Njëri prej elementeve që e kishte shtyrë UDSH-në që të përkrahte këtë projekt-pilot ishte edhe ai se komuna e plotë e Tuzit asokohe do të sillte në pushtet në Podgoricë partitë e protestave kundër Kosovës, partitë serbe e proserbe. Marrja e Podgoricës do të kishte rrezikuar edhe pushtetin në nivel të Malit të Zi, atë pushtet i cili këtyre ditëve ka njohur Kosovën, duke u ballafaquar me protesta të dhunshme të partive që përkrahin komunën e plotë të Tuzit! Dhuna dhe urrejtja ndaj shqiptarëve, e shprehur në këto protesta, tregon më së miri se qarin e komunës së plotë për Malësinë, të bërë në pazarin me partitë serbe do e kishte ngrënë qiraja rrugës. Komuna e plotë duhet të bëhet kur të mos jetë qiraja aq e lartë dhe me forcat e pavarësisë.
Pra, si është e mundur që LD në MZ dhe ASH ta mbajnë peng Malësinë me partinë, kryetari i së cilës ka derdhur aq shumë lotë këtyre ditëve për Kosovën?! Mua më çudit më shumë LD në MZ, si parti e parë shqiptare, se liderët e ASH janë pjekur nga mosha para se t`u binte ndërmend të formonin parti shqiptare. Ata, madje, kanë ardhur në pushtet, në krahët e manipulimit të çështjes së komunës urbane, pas një fushate, gjatë të cilës janë dëgjuar për të parën herë edhe ofendime ndërshqiptare mbi baza fetare.
ASH është dalluar më tepër se LD në MZ edhe në disa momente kyçe të proceseve demokratike në Mal të Zi. Në prag të referendumit për pavarësinë e Malit të Zi nga radhët e të parës janë dëgjuar zëra për bojkot të tij, derisa e dyta ka qenë asnjanëse. Vetëm UDSH e ka shprehur publikisht se pavarësia e Malit të Zi është interes vital për shqiptarët, gjë që e kanë patur të qartë të gjithë shqiptarët sepse e kanë përkrahur pavarësinë. Po të ishin sjellë si dy parti të tyre, tjerë tupana kishin rënë në Dardani.
Partitë e tjera shqiptare, përveç UDSH-së, kanë favorizuar kandidatin e opozitës, ose kanë qenë asnjanëse edhe në prag të zgjedhjeve të fundit presidenciale. Kanakar i tyre ka qenë lideri i Lëvizjes për Ndryshime, z. Medojeviq, i cili ka përkrahur projektet kundër njohjes së Kosovës.
Edhe gjatë punës për nxjerrjen e Kushtetutës së re të Malit të Zi, që është hartuar nën mbikqyrjen e ekspertëve europianë, LD në MZ dhe ASH janë rreshtuar në anën e opozitës proserbe, duke tentuar të molisnin forcat e pavarësisë në pushtet dhe duke bartur ujë në mullirin e politikave serbe. UDSH -së as kësaj radhe, natyrisht, nuk i ka shkuar ndërmend të kërkojnë më shumë të drejta për shqiptarët në sportelet e bosave serbë.
Hajt se lidhur me pavarësinë dhe me ngjarjet e tjera në Mal të Zi, por LD në MZ dhe ASH nuk iu çkapën opozitës proserbe as kur ngjarjet e këtushme lidhen drejtpërsëdrejti me Kosovën. Para se Qeveria të merrte vendim për njohjen e Kosovës, pozita malazeze (PDS e Gjukanoviqit dhe PSD e Krivokapiqit) i kishte propozuar Parlamentit rezolutën për integrime që hapte rrugë edhe për njohjen e Kosovës.
E tërë opozita duke nuhatur se çka po ndodhte dhe duke e patur halë në sy njohjen e Kosovës, kishte kërkuar tërheqjen nga procedura të kësaj rezolute dhe këtë kërkesë e kishin nënshkruar të gjithë liderët e partive opozitare. Besoni a jo, nënshkrimin në këtë kërkesë e kishte vënë edhe deputeti i ASH, z. Sinishtaj! Kryetari i LD në MZ e deputet i saj, z. Bardhi edhe kësaj here e kishte fshehur dorën. Në kërkesë figuronte vetëm emri i partisë së tij.
Po t`ia kishte vënë veshin pozita kësaj kërkese, kushedi kur e kishte njohur Mali i Zi Kosovën dhe kushedi çfarë kahjeje kishin marrë ngjarjet politike në Mal të Zi e në rajon. Mirë se partitë serbe dhe ato të krajlit kishin fërkuar duart, po ç`gazep kishte dyshja Sinishtaj – Bardhi për t`i përkrahur këto parti e jo rezolutën që i hapte rrugë njohjes së Kosovës?!
A thua këta të dy vuajnë nga diçka që opinioni ende nuk e di?
Është evidente se sjelljet e këtilla u kishin sjellë dëm të pakompensueshëm shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjerë sikur të mos ua kishte marrë anën pozicionimi i sinqertë e pragmatik, realist e transparent, harmonizues e kombëtar i UDSH-së në skenën politike të Malit të Zi. Pa këtë pozicionim, të konsultuar vazhdimisht me qendra të tjera shqiptare dhe me faktorin ndërkombëtar, politikat shqiptare në Mal të Zi do të kishin qenë vetëm mëlmesë në gjellrat e kuzhinave serbe.
Është e çuditshme, nga ana tjetër, si sjelljet e sipërpërmendura nuk i kanë kritikuar asnjëherë intelektualë, gazetarë e veprimtarë të mirëfilltë, as këtu as në diasporë. Përkundrazi, intelektualë, gazetarë e veprimtarë të rrëjshëm, këtu e në diasporë, së bashku me liderë të caktuar të LD në MZ e të ASH, janë munduar kohëve të fundit të udhëheqin valle, të cilës ka mundur t`i shihej sherri edhe më shumë seç po ja shohin të burgosurit e manipuluar të Spuzhës dhe familjarët e tyre malësorë. Në epokën e shqiptarëve që është para nesh ne nuk mund të hyjmë pa e dalluar fytyrën nga dyftyrësia, të vërtetën nga gënjeshtra, të mundshmen nga e pamundshmja, njeriun nga i panjeri…Ne na duhet një katarzë e brendshme për të evituar dëmin që është bërë në kontaktet tona brendashqiptare nga grupe me borxhe të vjetra, të cilat në një fazë, duke u shërbyer me të pavërteta të paskrupullta, ia kishin dalë të manipulonin me një pjesë të masës sonë të ndershme e të sinqertë, por naïve, duke ua lavdëruar dorëzën e thikës, tehun e së cilës e kishin mprehur për shpatullat tona.
Është koha të ndahet shapi nga sheqeri, e vërteta nga e pavërteta, dija nga injoranca. Është koha të jepet llogari për sjelljet tona në mënyrë që vetëm argumenti të na shërbejë për kontakte të ndërsjella dhe për ruajtjen e heterogjenisë fetare brenda organizmit tonë të vetëm kombëtar. Vetëm argumenti të na shërbejë për të punuar tutje në faktorizimin e shqiptarëve në Mal të Zi në situatën e marrëdhënieve të reja në Ballkan, me të cilën s`kemi pse të jemi të pakënaqur. Me shtetin e ri të Kosovës, me Shqipërinë në NATO, me Malin e Zi pa Serbi, me ruajtjen e miqësisë shqiptaro-amerikane, s`kemi pse të druajmë për të ardhmen.
Ferhat Dinosha
Koha Javore