Gazetarët dhe politika në Mal të Zi – Video

November 10, 2008   | Kulturë / Kultura

Tundimi i politikanit dhe mediat në gjuhën shqipe
Kualifikimet emocionale dhe deri diku euforike të z.Dinosha janë të ngjashme me recidivat e mendësisë lokaliste dhe krahinore ku njerëzit ndahen në dy kategori stereotipe: në atë patriotike dhe tradhtare, duke përjashtuar çdo kategori tjetër që duhet të jetë pjesë e një shoqërie me prirje qytetëruese.
Tundimi për t`i kritikuar mediat ose për t`i vënë nën kontrroll ato nuk është asgjë e re. Kjo është praktikë e një mentaliteti të trashëguar nga e kaluara, por që vazhdon të ushtrohet edhe sot nga disa struktura të politikës në Mal të Zi. Risia e këtij tundimi qëndron te fakti se disa politikanë nuk ngurrojnë të marrin rolin e redaktorit dhe atë të një redaktori të specializuar për tituj, mestituj dhe anterfile, siç është rasti me kryetarin e UDSH-së Ferhat Dinosha.
Duke marrë si shkas titullin e një shkrimi në gazetën “Koha javore” (“Mali i Zi i jep goditje tjetër Serbisë”), z. Dinosha krijon konotacione të skajshme jo vetëm për gazetën, por edhe për disa gazetarë shqiptarë duke i spostuar ata përkrah nacionalistëve serbë. Këtë spostim ai e bën në shkrimin “Lojën e kujt e do media shqipe?” duke sinjalizuar, me stilin afektiv, devijimin e këtyre mediave dhe duke konkluduar në favor të kësaj me dy pasazhet në vijim: “Ky titull sikur të ishte marrë nga deklaratat e udhëheqësve më radikalë politikë e fetarë serbë” dhe për të vazhduar me të njëjtin stil “…nga ana e disa gazetarëve, të cilët, për ta bërë këtë, favorizojnë edhe qasjet e ish-bashkëpunëtorëve të shërbimeve të sigurimit të sistemit të vjetër të cilët tash ofrojnë alternatiava për shqiptarët”.
Këto kualifikime emocionale dhe deri diku euforike të z.Dinosha janë të ngjashme me recidivat e mendësisë lokaliste dhe krahinore ku njerëzit ndahen në dy kategori stereotipe: në atë patriotike dhe tradhtare, duke përjashtuar çdo kategori tjetër që duhet të jetë pjesë e një shoqërie me prirje qytetëruese. Ky këndvështrim me gjykime të njëanshme, të paargumentuara dhe subjektive nuk do të ishte i pranueshëm për asnjë kategori të shoqërisë e aq më pak për një lider shqiptar, i cili pretendon të jetë shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit dhe përfaqësues i denjë i elektoratit të vet.
Edhe pse reagimi i z. Dinosha fillimisht duket se është nxitur nga titulli i shkrimit “Mali i Zi i jep goditje tjetër Serbisë”, në të vërtetë atij i pengon anterfilea në kuadër të tekstit me titull “Shqiptarët në Mal të Zi jashtë loje” e veçanërisht fjalia e fundit ku thuhet se “…vendimi u mor në qarqet më të ngushta të pushtetit dhe shqiptarët ishin pothuajse jashtë loje dhe të panjoftuar deri pak çaste para marrjes së vendimit”. Ky pasazh i artikullit bëhet objekt i sulmit të ashpër të z. Dinosha duke e cilësuar gazetarin si ” tendencioz” dhe “dezinformues”. Mirëpo, në realitet, nuk duhet të jesh ndonjë analist politik për të kuptuar se liderët shqiptarë ishin të panjoftuar për datën e saktë të marrjes së vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Malit të Zi. Këtë e dëshmojnë edhe prononcimet e vazhdueshme të vetë z. Dinosha nëpër media, i cili paralajmëronte se pavarësia e Kosovës do të njihej brenda këtij apo atij muaji, para verës ose brenda vitit. Këtë e përsërit edhe në intervistën dhënë gazetës “Koha javore”, të botuar më 9 tetor 2008, në ditën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ku z. Dinosha në pyetjen e gazetarit se “…kur prisni që Mali i Zi ta njohë pavarësinë e Kosovës” përgjigjet: “Mendoj se kjo do të ngjajë së shpejti. Kur them së shpejti, mendoj se ky vit po se po do të japë përgjigje në këtë drejtim, por mund të ngjajë që kjo të ndodhë brenda këtij muaji”.
Përse atëherë ky pulsim aq emocional ndaj “Kohës javore” kur kjo gazetë për hirë të aktualitetit për çështjen e Kosovës i rezervon dy faqe intervistë duke e “favorizuar” z. Dinosha që lirshëm të shprehë pikëpamjet e tij politike dhe shoqërore.
Përse atëherë ky reagim i nxituar i z. Dinosha kur dihet se faqet e ” Kohës javore” ishin dhe mbeten të hapura për të gjitha pikëpamjet e spektrit politik shqiptar në Mal të Zi. Apo zhurma e tij ka për qëllim disiplinimin e mundshëm të gazetarëve dhe mbylljen e gojës mediave në gjuhën shqipe për të krijuar një klimë vetëcensure.
Sidoqoftë , le t`i kthehemi edhe një herë artikullit të përfolur nga z. Dinosha “Mali i Zi i jep goditje tjetër Serbise”, të shkruar nga gazetari i “Kohës javore” Ismet Kallaba. Në këtë shkrim të gjatë, z. Dinosha fokusohet vetëm te titulli dhe anterfilea pa hyrë fare në përmbajtje. Edhe lexuesi më i rëndomtë do të hetonte se artikulli përmban informacione të shumta, burime të ndryshme, citime dhe personazhe politike. I gjithë artikulli ka një qasje të balancuar, ku përfshihen, pa asnjë përjashtim, të gjithë aktorët e një ngjarjeje me rëndësi të veçantë për rajonin dhe Europën, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës. Nëse bëjmë një monitorim të thukët të tekstit do të vërejmë se për asnjë çast atë nuk e përshkon euforia, patetika, njëanshmëria apo pseudopatriotizmi, por në mënyrën më të mirë u përmbahet standardeve profesionale të gazetarisë. Tek e fundit në gazetari është i njohur parimi se “Asgjë reale nuk mund të jetë shpifje e asnjë e vërtetë nuk mund të sjellë cënim të personalitetit”.
Mirëpo, këtij parimi nuk i përmbahet vetë z. Dinosha i cili në faqet e gazetës “Koha javore” përgojon dy gazetarët e mirënjohur shqiptarë, Ibrahim Berjashi dhe Musa Gjoka. Nuk është etike dhe e drejtë që në faqet e kësaj gazete të sulmohen gazetarët për shkrimet e botuara ose të transmetuara në mediat tjera. Kjo, në një farë mënyre, paraqet cënim të personalitetit pasi versioni origjinal i shkrimeve të tyre është i panjohur për lexuesit e “Kohës javore”, kurse autorët, ndoshta janë të hendikepuar nga versioni i përshkruar dhe i cituar nga z. Dinosha. Në këtë kuadër, z. Dinosha është dashur të reagojë në mediat përkatëse, kuptohet nëse reagimin e tij do ta përfillnin redaktorët e atyre mediave.
Megjithatë, unë pajtohem vetëm me një konstatim të z. Dinosha kur thotë se gazetarët shqiptarë nuk kanë sens analitik. Në të vërtetë, ata me analizat e panevojshme politike e zhvendosin vëmendjen nga problemet e tjera të rëndësishme dhe jetike, siç janë përfitimet nepotike, punësimet përmes linjave partiake dhe familjare, përfitimet e tjera të pamerituara, të drejtat dhe liritë e njeriut, etj. Sikur gazetarët e mediave shqipe në Mal të Zi të merreshin me shkrime hulumtuese mbi korrupsionin, abuzimin dhe papërgjegjshmërinë, atëherë misioni i tyre do të ishte i plotë dhe me siguri nuk do të “shesin gogla për dushk” (dushk per gogla), por do të gëzonin respektin e strukturave politike shqiptare, ashtu siç e gëzojnë kolegët e tyre gazetarë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Ali Salaj
Koha Javore

YouTube Preview Image