Partitë politike i dhanë mbështetje të plotë deklaratës së Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi

November 11, 2008   | Rajoni / Region

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Kryetari i Kuvendit të Republikës, z. Jakup Krasniqi dhe Kryeministri z. Hashim Thaçi, patën sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e partive politike që janë pjesë e Parlamentit të Republikës së Kosovës, nga të cilët morën mbështetjen e plotë për qëndrimin e shprehur dje nga Presidenti dhe Kryeministri sa i përket ecurisë së bisedimeve të deritanishme lidhur me shtrirjen e EULEX-it.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe z. Eqrem Kryeziu, nënkryetar i LDK-së, z. Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, z. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, z. Xhezair Murati nga partia Vakat dhe z. Mahir Jagxhilar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës. Presidenti Sejdiu ka pasur më herët një takim edhe me z. Nexhat Dacin, kryetar i LDD-së, i cili, po ashtu, e ka përkrahur në tërësi qëndrimin e udhëheqësve të institucioneve të shtetit.
“Ne nuk kemi pasur hezitim asnjëherë, dhe as tani nuk kemi, që EULEX-i duhet të vendoset sa më shpejt në Republikën e Kosovës, por e themi qartë se ky proces duhet të zbatohet konform pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu.
Udhëheqësit e institucioneve dhe përfaqësuesit e subjekteve politike çmuan lart bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe mbështetjen e vazhdueshme që i është dhënë Kosovës. Ata, gjithashtu, theksuan se nuk janë asnjëherë kundër dialogut, me qëllim të relaksimit të marrëdhënieve në rajon.
Sherbimi informatif i presidencës