Pozita braktis mbledhjen e kuvendit në Ulqin

November 12, 2008   | Politika

Deklaratë për media e Klubit të Këshilltarëve të LD në MZ-së në Kuvendin e Komunës së Ulqinit

Të nderuar anëtarë dhe simpatizues të Lidhjes Demokratike,
Të nderuar qytetarë të Komunës së Ulqinit,

Gjendjen aspak të mirë, jo vetëm ekonomike, në komunën e Ulqinit më së miri e pasqyrojnë edhe seancat e Kuvendit të  Komunës, ku përfaqësuesit e popullit duhet të marrin vendime në të mirën e tyre, vendime që do të ndikonin në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e që garantojnë një jetë më të mirë e më të begatshme. Por fatkeqësisht pozita nuk po e bën këtë!
Të nderuar qytetarë,
Nga momenti kur pozita e tashme, e instaluar, në Kuvendin e Komunës së Ulqinit (DPS-UDSH-SDP), me bashkëngjitjen e tre këshilltarëve të PPD-së, kundër votës së zgjedhësve, seancat e kuvendit nuk i përcjell gjë tjetër, përveç mosrespektimi i Kushtetutës, i Ligjit,  i Statutit të Komunës e i Rregullores së Punës, pra me një fjalë – kaosi,  me  qëllim – mosrespektimi i opozitës, apo diç tjetër… sepse vetëm atëherë, si thotë vetë Kryetari i Kuvendit, “ …ai dhe pushteti e dinë se punojnë mirë!!!” Siç shihet ata kanë parasysh vetëm interesin e vet e jo të atyre që i votuan e për të cilët janë në Kuvend.
Pse zonja e zotërinj të pozitës po veproni kështu, kur opozita nuk kërkon tjetër veçse të punohet me Ligj, përkushtim e profesionalizëm e në interes të qytetarëve. Për këtë arsye opozita nuk bëri asnjëherë obstruksion.
Mosveprimi, puna joprofesionale, punësimi vetëm i militantëve partiakë e shpeshherë me kualifikime jo përkatëse, me dhjetra e dhjetra, lënia pa punë e kuadrove të dëshmuara në udhëheqje dhe qeverisje të Lidhjes Demokratike etj., që e bëtë me hapin e parë tuajin në pushtetin e dhunuar, të cilën gjë e bëri vetëm udhëheqja komuniste në vitet e 80-ta (!?) e tashti edhe ju, fatkeqësisht, janë të vetmit aktivitete e suksese të këtij pushteti lokal e kuvendi komunal, të këtij koalicioni sa joparimor aq jofunksional…
Edhe ata pak vendime të aprovuara në Kuvendin e Komunës, Pushteti Vendor nuk po i realizon!? Ne, në Lidhjen Demokratike e kemi të qartë se mosveprimi i tyre është pasojë e paaftësisë së tyre të qeverisin. Është kjo qeverisje kundër interesave të qytetarëve, pa marre parasysh përkatësinë politike e nacionale.
Po përmendim vetëm Vendimin për Themelimin e Organizatës Turistike, për të cilën votuam edhe ne, si opozitë, po e cila edhe sot e kësaj dite nuk funksionon. Pse? Përgjigja : – Paaftësia e tyre apo…veprimi a mosveprimi i tyre  për interesat personale të disave apo të ndonjërit prej tyre, interesave grupore etj., sepse s’ka ndryshe si të kuptohet p.sh. organizimi i vjeljes së taksës turistike nga persona të angazhuar në mënyrë joligjore e përdorimi i atyre mjeteve  për rrogat e atyre apo për qëllime që nuk janë paraparë me vendimin për themelimin e Organizatës…
Tjetër, kaloi pothuaj një vit që Kuvendi  pruni vendimin për transformimin  e Radio Ulqinit. Me të drejtë qytetarët pritën fillimin e punës së TV-së së Ulqinit. Por, jo vetëm që ky transformim nuk u krye, por pothuaj një vit ky institucion publik nuk ka as Drejtor, pra as përgjegjës ligjor financiar etj. etj.. Pyetja: Si funksionon?…
Na, këshilltarët e LD në MZ-së, por edhe të tjerët të opozitës, besuam se në seancën e djeshme të KK-së përfundimisht do të emrohet Këshilli i Radiotelevizionit të Ulqinit, si parakusht për fillimin e punës së këtij institucioni. Por ndodhi e papritura e pritur, plasi konflikti, sigurisht iinteresit, në mes të partnerëve të pozitës DPS-UDSH dhe 3 (tre) këshilltarëve të PPD-së, ku si rezultat i kësaj dhe punës joprofesionale të atyre që e përgatitën këtë akt, pas mbivotimit nga opozita,  këshilltarët e shumicës e lëshuan mbledhjen duke u larguan nga salla e Kuvendit në mënyrë demostrative,  akt që paraqet një risi  në jetën parlamentare, por edhe një lëndë e kampion për Librin e Ginisit.
Kështu, para argumenteve qëllimmira e profesionale të opozitës, shumica parlamentare në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, po tregon se është në një agoni të vazhdueshme dhe para një kolapsi total.
Nëse këtu shtojmë edhe mënyrën e mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit të thirrur, për 15 tetor, por të cilën e mbajtën një ditë më përpara se ka qenë e thirrur me ftesë, që është çudia tjetër e radhës së tyre, e pozitës, për të cilën e kemi njoftuar opinionin me kohë. Si dhe të gjitha mbledhjet e e tjera të Kuvendit, që nga koha e momenti kur Muhamet Nika udhëheq me seancat e Kuvendit, duke ndërhyrë vazhdimisht në fjalën e këshilltarëve, duke bërë komente të palejueshme,  me barcoleta të tipit “alla muhametnikçe”,  të cilat shkaktojnë huti dhe ngritje të panevojshme të tensionit në parlamentin vendor, siç  kanë pas mundësi ta shohin edhe qytetarët, të cilët kanë pasur rastin ta përcjellin edhe mbledhjen e fundit të Kuvendit, shihet qartë parimësia e tyre në parregullësi. Prandaj, fakti që edhe pas dy ditësh pune në Kuvend, nuk u aprovua madje as edhe rendi i ditës së mbledhjes së KK, nuk të çuditë.

Keshiltarët e LD ne MZ-se, përkundër këtyre dhe të tjerave veprime shterpë të pozitës,duke marrë parasyshë besimin që kemi marrë nga zgjedhësit tanë, ftojnë shumicën parlamentare qe t’i qaset punës në mënyrë profesionale, te punojë me përkushtim e vullnet, e se bashku me opozitën, te sjellim ne Kuvend e të aprovojmë vendime  me interes për te gjithë, me qëllim që të çojnë përpara zhvillimin ekonomik të komunës për mirëqenien e qytetarëve.

PËR KLUBIN E KËSHILLTARËVE TË LIDHJES DEMOKRATIKE
K r y e t a r i:
Kadri Sinani