xhamia-e-kryepazarit-ulqin

November 15, 2008   | 

Xhamia e Kryepazarit Ulqin
Qyteti i Ulqinit, ndonëse i vogël, është mjaft i gjallë dhe i mbushur përherë me njerëz që shkojnë e vijnë në kërkim të diçkaje. Aty, ka përherë vizitorë që vijnë nga jashtë, shqiptarë të diasporës, që kthehen për të kaluar muajin e Ramazanit me të afërmit e dashamirët, me të cilët, jeta i ka ndarë cep më cep të botës…

Ramazani është edhe muaji i të ftuarve të ndryshëm të Bashkësisë Islame të këtij qyteti, hoxhallarë, dijetarë, studiues, e personalitete të spikatura të Thirrjes Islame në trevat tona, që vijnë aty gjatë këtyre ditëve, për të pasuruar jetën islame në qytetin e vogël bregdetar. Dhe është kjo traditë e bukur dhe e domosdoshme për gjallërinë e Thirrjes Islame në një vend, që i jep vlera tradicionale dhe bashkëkohore kësaj Thirrje të lashtë në këtë qytet me vlera e traditë!

Sonte, në këtë natë të njëzetë, në mbyllje të dhjetëditëshit të dytë të këtij muaji, sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, erdhëm për t’u falur në Ulqin.

Nga një vështrim i shpejtë në këto orë të para të kësaj nate të re, qyteti nuk ka ndonjë ndryshim të madh me ditët e netët e tjera jashtë Ramazanit, përveç ndonjë afisheje të varur në mur, tek-tuk, nëpërmjet së cilës urohen besimtarët me rastin e këtij muaji të begatë dhe urimeve të përzemërta që dëgjon nga e djathta dhe e majta, me rastin e këtij muaji.

Atmosfera e kësaj nate teravie në xhaminë e Kryepazarit, ku drejton teologu i nderuar, miku im, Rifat ef. Jusufi, është e këndshme dhe në harmoni me atmosferën e vetë muajit. Te dera e jashtme e saj, në krahun e djathtë, në pllakën e mermertë që qëndron si adresë e kësaj xhamie, shënohet: “Xhamia e Kryepazarit. E ndërtoi Nuradin begu, 1749”.

Nga brenda, xhamia e moçme, është e zbukuruar me shkrime të shumta kur’anore, lutje, fjala e Njësisë, deklamime të ndryshme islame etj, që duke i shtuar edhe llojet e kaligrafive arabe me të cilat janë kryer këto shkrime dhe ngjyrat e tyre, e bëjnë atë një xhami të veçantë e mjaft tërheqëse për këdo që e viziton dhe bëhet pjesë e xhematit të saj, qoftë edhe për një namaz.

Në ballinë të xhamisë, në të djathtë të mihrabit të zbukuruar me ajetet e kibles, me një shkrim naziq, lexohet ajeti kur’anor: “All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre”[1]. Në krahun e djathtë të mihrabit, në njërin cep, është shkruar sureja “Keuther” e përballë saj, në formën e një varke shpëtimi, kushtet e besimit islam (amentu bil-lahi, ve melaiketihi, ve kutubihi, ve rusulihi, vel-jeumil-ahiri…).

Xhamia e Kryepazarit është e ndriçuar nga jashtë e nga brenda, sikurse është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme për kryerjen e ceremonive të ndryshme fetare. Në dalje të xhamisë, afër derës, qëndron një arkë e vogël, në adresë të së cilës shënohet: “Sadaka”. Është një gjetje interesante, që fton këdo për të kontribuar për xhaminë dhe nevojat e saj, duke ndjerë njëkohësisht edhe vlerën e sadekasë së dobishme.

Disa minuta para se të hynte koha e jacisë, me kërkesën dashamire të imamit të xhamisë, mbajta një vasë në lidhje me mirësinë e madhe që na është bërë si besimtarë, mundësia për të agjëruar muajin e madhërueshëm të Ramazanit, që njëkohësisht është edhe stinë e mëshirës, faljes dhe bamirësive të pakufi. Ndër të tjera fola edhe për madhështinë e mëshirës së All-llahut (xh.sh.) për krijesat e Tij dhe se si Ai e ka lënë të hapur derën e pendimit për ata që vrapojnë drejt saj, deri në momentet e fundit të jetës së tyre, duke iu referuar ajetit kur’anor: “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje tek All-llahu, ai e gjen All-llahun Falës dhe Mëshirues”[2].

Namazin e jacisë dhe teravinë e drejtoi imami i ri Safet Resulbegu, një djalë i hajthëm, dashamirë në pamje të parë dhe komunikues. Me zërin e tij karakteristik, të fortë e të ëmbël, na dhuron kënaqësinë e përjetimit të çdo ajeti që lexon në njëzet rekatet e teravisë, pa përmendur jacinë me vitrin e saj.

Në përfundim të virdit, përqafimet e ngrohta hapin dyert e njohjeve të reja për mua, në xhaminë e Kryepazarit, në Ulqin. Imami i xhamisë, Rifat efendiu, më prezanton me imamin e Qendrës Islame Shqiptare Amerikane, në Kuins të Nju Jorkut (ShBA), z. Jusuf Bolaj, i cili ka ardhur nga shumë larg për të kaluar Ramazanin e këtij viti me të afërmit e miqtë e tij në Ulqin.

Pas prezantimit të parë, biseda jonë sillet rreth aktiviteteve të Qendrës Islame atje, themelimit të saj, kontributit për tubimin e shqiptarëve atje dhe të tjera çështje që lidhen me përparimin e Thirrjes Islame në qendrat tona të banimit e të veprimtarisë thirrëse.

Nata e njëzetë e këtij Ramazani në Ulqin, ishte si një frymëmarrje e re për ne, edhe për faktin e takimit me disa prej hoxhallarëve të nderuar të këtij qytetit, njohjen me imamin shqiptar me aktivitet në Nju Jork, vasin para xhematit ulqinak, këmbimin e eksperiencave personale në shërbim të Thirrjes Islame etj.

Kthimi për në Shkodër, ndonëse në një orë të vonë, shoqërohet nga qetësia e mesnatës, drita e hënës që rrezaton ëmbël mbi ne, freskia e vjeshtës e zëri i ëmbël i Gamidiut, që me ajetet e Librit, i shton kësaj nate të begatë përshpirtësi dhe prehje…

Në orët e para të një dite të re që është nisur drejt nesh, Shkodra është thuajse e përgjumur. Sheshi para xhamisë së Parrucës prehet në paqe. Me siguri, edhe ai ka kaluar një ditë të lodhshme (iftarin e madh të shtruar në mes të sheshit, nga minibashkia “Bajram Pasha” e Stambollit), por të këndshme, sikurse edhe ne, përtej kufirit…
Autor / Thirrësi islam Muhamed Sytari