Kontribut për njohjen e historisë së Klleznës

November 22, 2008   | Kulturë / Kultura

Mbi librin më të ri të Dedë Ndoc Filipajt “Mali i Brisë – Kllezna në traditën popullore”
Autori përmes rrëfimeve e bisedave me pleqtë e vendit mbi historinë e moçme të Klleznës dhe përmes vargjeve – këngës, herë-herë edhe në versione, i frymëzuar nga shumë ngjarje dhe vepra fisnike të bashkëvendasve të tij, jo vetëm se shleu një borxh ndaj kombit të vet në përgjithësi, por në veçanti e bëri të pavdekshme një pjesë të traditës popullore të Malit të Brisë – trevë me popullatë shqiptare, me një histori sa të lavdishme aq edhe krenare në kultivimin, begatimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Pas ribotimit të tretë të librit “Me mall të kujtoj”, Dedë Ndoc Filipaj nga fshati Kllezën e Poshtme, komuna e Ulqinit, i cili që në rini jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lexuesve shqiptarë u dhuroi veprën e re “Mali i Brisë – Kllezna në traditën popullore”. Ky mërgimtar i devotshëm, i apasionuar me vendlindjen e tij, ku i kaloi vitet e rinisë, edhe pse në moshë të thyer (lindi në vitin 1929), mbajti premtimin e dhënë: “Nëse Ai i Larti të më mbajë gjallë e në gjendje të mirë shëndetësore do të merrem me historinë e Malit të Brisë”. Dhe ja, kjo vepër që tashmë e kemi në dorë, e botuar nga Enti Botues “Gjergj Fishta”, është një dëshmi e sprovuar se mosha dhe përgatitja arsimore nuk janë pengesa të pakapërcyeshme për një krijues, i cili ka vullnet të fortë, dashuri të madhe dhe është i përkushtuar me gjithë shpirt e zemër për të lënë gjurmë për të mirë brenda mundësive të tij psikike e fizike.
I vetëdijshëm për këtë, autori i këtij libri, siç e quan ai “të vogël”, mori penën dhe i radhiti në letër shumë kujtime e ngjarje nga vendlindja, bazuar në gojëdhënat e pleqve të kohës, të trashëguara dhe të ruajtura brez pas brezi, të cilat paraqesin një kontribut të çmuar për njohjen e historisë së Klleznës, respektivisht të fshatit të Brisë.
Autori përmes rrëfimeve e bisedave me pleqtë e vendit mbi historinë e moçme të Klleznës dhe përmes vargjeve – këngës, herë-herë edhe në versione, i frymëzuar nga shumë ngjarje dhe vepra fisnike të bashkëvendasve të tij, jo vetëm se shleu një borxh ndaj kombit të vet në përgjithësi, por në veçanti e bëri të pavdekshme një pjesë të traditës popullore të Malit të Brisë – trevë me popullatë shqiptare, me një histori sa të lavdishme aq edhe krenare në kultivimin, begatimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Dedë Filipaj me këtë botim, krahas historisë shkruan edhe për toponimet dhe mikrotoponimet në Kllezën sipas traditës gojore, për shpërnguljen e hershme që nga viti 1600 e këndej në Ulqin, Tivar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Belgjikë, Francë, Gjermani, Prishtinë e gjetkë.
Një pjesë të konsiderushme të librit ia ka kushtuar këngëve me motive të ndryshme, kushtuar Klleznës, bijve dhe bijave të saj, bilbilit, qyrlykut, dallëndyshes, skifterit grabitqar, rrëshajave, sokolit, fluturës, thneglës, pleshtit, bukulës, miut, marimangës, peshkut, pinikut, arave, kënetave, frysës, kallamit, kashtës së rrëgotës, lëkonit në liqe, nënës, pranverës, vjeshtës, shkozave, dhive, lisit, ferrëkuqes, ferrmanës, frashnit, shelqes, plepit, qershisë, hardhisë, rrushit çylek e pemëve të tjera.
Autori një kapitull të veçantë ua ka kushtuar edhe këngëve të trimërisë dhe këngëve folklorike, me të cilat edhe përmbyllet libri. E gjithë kjo histori e Klleznës e bazuar në gojëdhënë që i ofrohet lexuesit është burim me vlerë i nevojshmëm, i domosdoshëm dhe i mirëseardhur për të tjerët që do të merren me një histori të mirëfilltë të këtij populli i cili, siç shprehet autori, “ka hequr të zitë e ullirit qysh në kohën e romakëve”. Andaj duhet përgëzuar autorin për këtë angazhim dhe kontribut për Klleznën që e do aq shumë.
Gj. Gjonaj
Koha Javore

YouTube Preview Image