Berisha dhe Gjukanoviq : Bashkëpunimi dhe zhvillimi i projekteve konkrete

November 25, 2008   | Politika

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri malazez Gjukanoviç bien dakord zgjerimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e projekteve konkrete
Dy palët diskutojnë projekte në fushën e infrastrukturës, turizmit, arsimit, kulturës etj..
Kryeministri Sali Berisha mirëpriti sot Kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas takimit tet a tet të dy kryeministrave, u zhvilluan bisedimet mes dy delegacioneve, të cilat u përqendruan në nxitjen e perspektivave të reja në bashkëpunimin dypalësh, aspiratat integruese europiane dhe euroatlantike dhe bashkëpunimi rajonal.
Dy homologët i konsideruan marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera dhe shprehën vullnetin për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin Gjukanoviç për vizitën, duke e konsideruar atë një kontribut të rëndësishëm në drejtim të zgjerimit të këtij bashkëpunimi. Vizita në Tiranë dhe bisedimet dypalëshe u konsideruan, gjithashtu, nga Kryeministri Gjukanoviç një mundësi e shkëlqyer për të shënuar një moment të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Kryeministri Gjukanoviç shprehu përgëzimet për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO.
Kryeministri Berisha i shprehu homologut të tij mbështetjen e qeverisë shqiptare për përpjekjet e Malit të Zi për integrim në strukturat euroatlantike. Edhe progresi i vendeve tona drejt Bashkimit Evropian, u shpreh Kryeministri Berisha, është në interesin më të mirë tonin dhe të rajonit.
Gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord për të intensifikuar përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që, siç u konstatua, po njeh ritme më të mëdha pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Ato ndanë të njëjtin vlerësim se hapja e kufijve do të krijonte një treg mjaftueshmërisht të gjerë për investimet.

Në bisedimet e tyre, dy delegacionet u ndalën në mënyrë të veçantë në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, si në fushën e infrastrukturës projekti i ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, shqyrtimi i vendosjes së lidhjeve detare Durrës-Tivar dhe vendosja e linjës ajrore Tiranë-Podgoricë. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për t’i krijuar qeverisë malazeze të gjitha lehtësitë e nevojshme për autostradën Podgoricë-Plavë, e cila, në disa kilometra të saj, kalon përmes territorit shqiptar. Kryeministri Berisha bëri të ditur se po ecet me shpejtësi në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës që lidh dy vendet, si rruga Shkodër-Hani i Hotit, Shëngjin-Ulqin dhe Vermosh-Shkodër.

Duke e konsideruar liqenin e Shkodrës një aset të rëndësishëm për të vendet, dy kryeministrat theksuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen e ekosistemit të tij dhe vendosjen e shërbimeve të transportit që lidhin të dy anët e liqenit.
Të dyja palët u shprehën së bashkëpunimi në fushën e turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku të dy vendet kanë potenciale të mëdha turistike, është një tjetër fushë me interes të përbashkët. Kryeministri Berisha tha se zhvillimi i një zone turistike rajonale do të rriste përfitimet për të dy vendet.
Të dyja palët u angazhuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve edhe në fushën e kulturës, të arsimit, të sigurisë, luftën kundër kriminalitetit etj..
Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Kryeministri Berisha u shpreh se vendimi i qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës i shërben paqes dhe stabilitetit të rajonit. Kryeministri Gjukanoviç shprehu vlerësimet për rolin konstruktiv të qeverisë shqiptare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, në krye të një delegacioni, zhvilloi sot në Tiranë një vizitë zyrtare me ftesë të Kryeministrit Berisha.

Sherbimi inormatif i kryeministrit

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/berisha-gjukanovic.flv