Mehmet Bardhi përshëndet kuvendin e 5-të të AAK-ës

December 4, 2008   | Reportazh / Reportaža

Mehmet BARDHI, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, fjala përshëndetëse në Kuvendin e 5-të të Alenancës për Ardhmërinë e Kosovës, mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, e dielë, më  30. 11. 2008
Të nderuar delegatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
I nderuar kryetar Ramush Haradinaj,
(I nderuar zotëri President  Fatmir Sejdiu, zëvendëskryeministër Ramë Manaj, i nderuar ambasador William Walker,  zotëri Stiven Shuk)
Të nderuar mysafirë, përfaqësues  diplomatë, përfaqësues të mjeteve të informimit,
Zonja dhe zotërinj,
Në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, të partisë së  parë politike të shqiptarëve në Malin e Zi, të formuar më 09 shtator 1990, në emër të delegacionit që është me mua, zotërinjëve: Tahir Gjonbalaj, Nikollë Camaj, Kadri Sinani dhe Miftar Balidemaj, ju falënderoj për ftesën dhe  ju përshëndes përzemërsisht, ndërsa Kuvendit i uroj punë të mbarë dhe suksese në punën e tij.
Kosova u bë e pavarur dhe sovrane (17 shkurt 2008), por që kërkon edhe shumë angazhime, në vazhdimësi, e vigjilencë politike e diplomatike, sepse qëndrueshmëria e saj, megjithëse tashmë u pranua nga një numër i madh shtetesh (52), si tërësi, varet nga shumë faktorë, të cilët  nuk lënë vend për vetëkënaqësi.
Shqiptarët, në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, u gëzuan pamasë dhe përshëndetën pavarësinë e Kosovës. Ne, në Kosovë, në shkollat e mesme, në fillim, e në fakultete, gjithnjë, morëm dije, që ishtë dhe është aq shumë e nevojshme, jo vetëm të shkencës së mirëfilltë, por mbi të gjitha të shkollës së atdhetarizmës. Për këtë edhe nga këtu, me plot gojën u them: FALIMINDERIT!
Zonja dhe zotërinj, nga Kosova i kemi sytë e kthyer edhe sot, madje më shumë se dikur, sepse në kurriz të shqiptarëve po vazhdojnë të luhen lojna të rrezikshme, e kam fjalën për shqiptarët në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi. Madje, si gjithherë, në këto e kësi lojnash, fatkeqësisht po marrin pjesë edhe shqiptarët, disa, madje edhe struktura politike etj., që me lojën e rrezikshme, që po bëjnë për rahatinë e tyre, të kolltuqeve, keqpërdorin pozitën dhe shpesh thirrën në Kosovën e personalitete të ndryshme të Kosovës, se e kanë përkrahjen e tyre !
E qartë është se këto janë manipulime, por që dëmtojnë, fusin huti në popull…
Lidhja Demokratike dhe unë jemi të bindur se në AAK-në do të kenë përkrahje vetëm forcat atdhetare dhe demokratike.
Zonja dhe zotërinj, athua nuk ka kaluar koha që për ekzistencën, jetesën e gjallërimin tonë, t’i themi dikujt “HVALA LIJEPO…” (siç u përsërit edhe para disa ditësh(!?)), madje edhe kur  na burgosin, kur na “përkëdhelin” me shkopinj, grushta dhe shqelma, sepse kërkonim të drejtat tona!? (Kur me anë të  ashtuquajturin privatizim, pa pjesëmarrjen e vendimmarrjen tonë, po na i okupojnë e kolonizojnë pasuritë tona !? etj. etj.). Jo, zonja dhe zotërinj.
Çështja shqiptare, me Kosovën e Pavarur, po shkon përpara, por mbetet ende e pazgjidhur. Shqiptarët, në trojet e veta, sot në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, në Serbi, janë larg asaj që pritem e duhet të jemi.
Megjithatë, me Shqipërinë në NATO e Kosovën e Pavarur dhe me miqtë – SHBA-të, aleatët veriatlantikë e UE-në, shpresojmë  se edhe shqiptarët në trojet e veta, sot në Malin e Zi, do të kenë ditë më të mira e perspektivë. Edhe një herë urime e suksese.
Faleminderit.

Ramush Haradinaj është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj

Delegatët e AAK-së me shumicë votash vendosën që ish-kryeministri i Kosovës të kryesojë partinë edhe për mandatin e radhës.
“Edhe një herë rikonfirmoj se unë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jemi në shërbim të vendit dhe të interesave vitale të shoqërisë sonë”, tha Haradinaj.
Në Kuvendin e pestë zgjedhor të AAK-së, partisë edhe zyrtarisht iu bashkua publicisti Blerim Shala, ish-koordinator i ekipit të Unitetit. Në fjalimin e tij të parë si pjesë e subjektit politik AAK, Shala adresoi një mori kritikash për institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
“Rinkofigurimi i UNMIK-ut po shndërrohet në deformim të pranisë së Bashkimit evropian në Kosovë, në dekompozim të shtetit të Kosovës dhe në dëmtim të kufijve të Kosovës…Nuk ka ardhmëri për qytetarët e Kosovës pa e bërë Kosovën shtet stabil, të qëndrueshëm; pa e bërë shtetin e Kosovës një vlerë politike në rajon dhe më gjerë”, tha Shala.