Suksese të vazhdueshme të klubit të karatesë “Ulqini”

December 4, 2008   | Sporti / Sport

Allmir Hajdari kampion i Malit të Zi
Në Kampionatin e Malit të Zi i cili u mbajt të shtunën në Podgoricë, “Ulqini” u kurorëzua me gjithsej 23 medalje, prej të cilave një të artë, nëntë të argjendta dhe 13 të bronzta. Ndërkaq, në Kampionatin IX Mbarëkombëtar të Karatesë për seniorë kushtuar Ditës së Flamurit, të mbajtur në Prishtinë, “Ulqini” fitoi një medalje të argjendtë dhe dy medalje të bronzta.
Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë gjatë fundjavës në dy gara të rëndësishme, në Kampionatin e Malit të Zi për kadetë dhe juniorë dhe në Kampionatin Mbarëkombëtar për seniorë në Prishtinë, duke u kurorëzuar me një serë medaljesh.
Në Kampionatin e Malit të Zi i cili u mbajt të shtunën në Podgoricë, “Ulqini” u kurorëzua me gjithsej 23 medalje, prej të cilave një e artë, nëntë të argjendta dhe 13 të bronzta.
Kampion i Malit te Zi u shpall Allmir Hajdari, në luftë individuale për juniorë, në kategorinë -61 kg, ndërsa nënkampion i Malit të Zi u shpall Xhenis Rexhepi, në luftë individuale për kadetë, në kategorinë -57 kg. Po ashtu nënkampionë të Malit të Zi u shpallën ekipet e juniorëve në kata dhe në lufta. Në ekipin e katave punuan Liridon Elezi, Dardan Ceka dhe Viktor Curoviq, ndërsa në ekipin e luftrave Liridon Elezi, Dardan Ceka, Viktor Curoviq, Allmir Hajdari dhe Muhamet Kraja. Ekipi i kadetëve në luftra dhe ekipi i junioreve në luftra u renditën në vend të tretë.
Vlen të theksohet se të 11 garuesit e këtij klubi që morën pjesë në këtë Kampionat: Blerta Tahiri, Liridon Elezi, Dardan Ceka, Viktor Curoviq, Allmir Hajdari, Muhamet Kraja, Xhenis Rexhepi, Diamant Rexha, Granit Rexha, Agron Seferi dhe Arbnor Kullaliqi u kurorëzuan me nga një apo disa medalje në disiplinat individuale dhe ekipore.
Vetëm një ditë më vonë, të dielën, karateistët e “Ulqini”-t morën pjesë në Prishtinë në Kampionatin IX Mbarëkombëtar të Karatesë për seniorë kushtuar Ditës së Flamurit. Kampionati u organizua nga Federata e Karatesë së Kosovës dhe në të morën pjesë klube nga mbarë Kosova, Shqipëria, Akademia Shqiptare e Karatesë së Maqedonisë, Lugina e Preshevës, si dhe klubet nga Ulqini.
Nënkampion mbarëkombëtar u shpall Kreshnik Tahiri në luftë individuale, në kategorinë +80kg, ndërsa me medalje të bronzta u kurorëzuan Liridon Elezi dhe Dardan Ceka.
Përveç anës garuese, e rëndësishme është të theksohet se ekipi i katave i KK “Ulqini”-t, në përbërje Liridon Elezi, Dardan Ceka dhe Viktor Curoviq, morën pjesë në hapjen solemne të Kampionatit, me ç`rast ata demonstruan katën mjeshtrore gojushiho sho me aplikimin e saj – Bunkai. Sipas drejtuesve të këtij klubi, “demonstrimi u prit shumë mirë nga organizatorët dhe shikuesit, duke u duartrokitur shumë herë, për ç`gjë organizatori i shpërbleu me nga një mirënjohje dhe një kupë”.
Një nderim tjetër që iu bë KK “Ulqini”-t nga organizatori është fakti se drejtuesit e tij përshëndetën me rastin e hapjes solemne të Kampionatit si dhe në fund të garës ndanë medaljet për garuesit më të suksesshëm.
Drejtori i marketingut i KK “Ulqini” Skender Tahiri dhe kryetrajneri Ruzhdi Rama falënderojnë kryetarin e Federatës së Karatesë së Kosovës, Nezir Rama, dhe sekretarin e përgjithshëm të kësaj federate, Safet Ramadani, për mikpritjen dhe respektin ndaj këtij klubi. Ata falënderojmë po ashtu sponsorët që i ndihmuan të marrin pjesë në këto dy gara, ndërmarrjet “Kallaba Company”, minimarketin “Flora”, “Eco-Al”, “Elita Group”, Burektoren “Pelivan”, Zenel dhe Senad Ramën, si dhe prindërit e fëmijëve.
Kohapress

YouTube Preview Image