Shqiptarët në Mal të Zi, diku bashkë e diku ndaras

December 9, 2008   | Politika

Shqiptarët në Mal të Zi kremtuan 28 nëntorin – ditën e flamurit
Nëntor ishte i veçantë për shqiptarët sepse i gjeti ata në një realitet të ri, me dy shtete. Shqiptarët në Mal të Zi kremtuan këtë festë diku bashkë e diku ndaras, në ambiente të mbyllura për shkak se Ligji mbi përdorimin e simboleve nacionale nuk lejon që flamuri nacional, në këtë rast ai shqiptar, të përdoret edhe në ceremoni publike.
Degët e subjekteve shqiptare në Malësi, dhe disa SHKA nga Malësia (“Rapsha”, “Gruda”, “Dedë GjozLuli”, “Besa e Trieshit” dhe “Shqiponja” në Shtëpinë e Kulturës në Sukruq festuan 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit. Auditoriumit të shumtë iu drejtua kryetari i KU të Tuzit, Smajl Maliq Çunmulaj, i cili duke përshëndetur të pranishmit dhe duke uruar 28 Nëntorin-Ditën e Flamurit veçoi se “96 vjet më parë plaku i urtë dhe patriot, Ismail Qemali me bashkëluftëtarët e vet ngriti në Vlorë flamurin shqiptar dhe e shpalli Shqipërinë e Pavarur.
“Këtu në Malësi edhe neve po i bashkohemi gëzimit të miliona shqiptarëve kudo në botë për këtë ditë të shënuar, me urime që të jemi të bashkuar në çdo përpjekje që çon drejt prosperitetit dhe lumturisë së popullit shqiptar” tha Çunmulaj, duke shtuar se “festa e flamurit është një ditë e gëzuar për mbarë popullin shqiptar, duke përfshirë këtu edhe bashkatdhetarët tanë që ndodhen në diasporë, kontributi i të cilëve ishte tejet i rëndësishëm në historinë tonë të re, duke u angazhuar kështu për Pavarsësinë e Kosovës.
Në fund Kryetari Çunmulaj përmendi edhe 100- vejtorin e Kongresit të Manastirit.
Disa këngëtarë të shoqatave të lartpërmendura recituan, kënduan këngë dhe luajtën valle. Për nder të 28 Nëntorit, LD në MZ -dega e Malësisë organizoi në restorantin “Niagara” një darkë për simpatizuesit dhe adhuruesit e vet.
Edhe në Krajë, si në të gjitha trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi me nderime dhe respekt u shënua 28 Nëntori-Dita e Flamurit. Salla e Shtëpisë së Kulturës në Ostros ishte mbushur përplot me manifestues të cilët me flamuj kombëtar e dekoruan edhe më tepër ambientin ku u mbajt manifestimi.
Lidhur me ngjarjen e 28 Nëntorit foli kryetari i LD në MZ-Dega e Krajës, Ali Gjeçbritaj, i cili me rastin e 28 Nëntorit, përkujtoi gjithashtu edhe 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetorin e lindjes e gjuhëtarit të njohur shqiptar, Eqrem Çabejt.
Nxënësit e SHF “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” nga Ostrosi recituan vargje për flamurin kombëtar të autorëve shqiptarë.
Pas manifestimit organizatori shtroi një koktej. Këtë manifestim e ka mbështetur Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi.
Edhe Forca e Re Demokratike kremtoi në QKI “Malësia” në Tuz përvjetorin e 96-të të Ditës së Flamurit.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, pohoi se “Dita e Flamurit na përkujton 6 Prillin e vitit 1911, kur kryengritësit shqiptarë nga Malësia e Madhe më në krye me Dedë Gjoz Lulin, në Deçiq ngritën Flamurin Kombëtar, duke treguar kështu akte heroizmi dhe lavdie. Shqiptarët, shtoi më tej Cungu, kanë dy Nëntora të mëdhenj. I pari është 28 Nëntori i vitit 1443 i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe i dyti i takon Ismail Qemalit, i cili më 28 Nëntor 1912 ngriti Flamurin Kombëtar dhe e shpalli Shqipërinë e Pavarur.
Cungu tha se edhe pas shumë viteve, dekadave dhe shekujve shoqëria jonë përsëri ka nevojë për integrime. “Integrimet tona duhet të jenë bashkëkohore dhe demokratike, pa iluzione dhe romantizëm. Pra, ashtu siç ka bërë i tërë Bashtkësia Europiane”, përfundoi mes tjerash, kryetari i Forcës, Nazif Cungu.
Në këtë kuadër edhe LD në MZ dhe UDSH-Degët në Rozhajë festuan së bashku 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit. Në emër të këtyre subjekteve fjalën e rastin e mbajtën, Ali Daci, kryetar i LD në MZ-dega në Rozhajë dhe Sokol Daci, kryetar i UDSH-Dega në Rozhajë.
Për nder të kësaj feste kombëtare, organizatorët shtruan një darkë solemne për anëtarët dhe simpatizuesit e vet në restorantin “Monako”. Të rinjtë e kësaj ane me këngë dhe valle festuan deri në orët e vona -Ditën e Flamurit.
Gjithashtu edhe Grupi letrar “Jehona” i SHM “25 Maji” në Tuz për nder të 28 Nëntorin-Ditës së Flamurit ka organizuar një orë letrare. Në emër të këtij gupi letrar të pranishmit i përshëndeti, Prëlë Gjolaj, profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe.
Ndërkaq, për rëndësinë e kësaj date foli, Nua Sinishtaj, profesor i historisë.
Nxënësit e kësaj shkolle, Merita Dedivanaj, Dorontinë Berishaj dhe Anton Lulgjuraj recituan vargje kushtuar kësaj date historike.
rr.d.
Koha Javore

YouTube Preview Image