Zbulohen të dashurit e vajzave të presidentit Topi

December 16, 2008   | Lajmet / Vijesti

Të jesh fëmija i njeriut më të rëndësishëm të një vendi, do të thotë të jesh me fat. Është një nga ato raste fatlume që të kujton përrallat me princër të kaltër ku personazhet jetojnë të lumtur përgjithnjë. Ndërkohë vajzat e presidentit Topi, ishin në moshën e adoleshencës kur i jati u zgjodh president i vendit. Natyrisht ishin në moshën e duhur për të kuptuar se në çfarë realiteti të ri duhej ta përshtasnin jetën e tyre e cila deri dje ishte si ajo e çdo bashkëmoshatari të kryeqytetit. Megjithatë duket se dy vajzat e presidentit, Nada dhe Etida, njëra 23 vjeç dhe tjetra 17 vjeç, nuk kanë dashur të humbasin rrjedhën normale të jetës së tyre. Ato kanë vijuar me impenjimet normale duke frekuentuar të njëjtat shkolla, të njëjtit miq, paçka se të gjithë tani i shihnin ndryshe. Madje vajzat shihen shpesh në rrugët e kryeqytetit duke shëtitur në këmbë me miqtë e tyre.

Ndërkohë ato vijojnë të ndjekin jetën e natës, një pasion shumë i zakonshëm ky për moshën e tyre. Por edhe aktivitetet e ndryshme janë pasioni i vajzave, madje shpesh i gjen edhe në rradhë të parë në krah të prindërve të tyre. Kësaj here vajzat janë parë në natën finale të festivalit “Kënga Magjike” pa prindërit e tyre. Motrat ishin ulur larg njëra tjetrës dhe që të dyja ishin të shoqëruara nga dy djem shumë simpatikë. Sipas informacioneve të miqve të tyre, djemtë janë të dashurit e vajzave prej disa kohësh. Vajza e vogël Etida ka kohë që shoqërohet me djalin e një sipërmarrësi shumë të njohur në Tiranë, Luan Bregasit, i cili ka qenë edhe kryetar i dhomës së tregtisë për disa kohë. Ndërsa vajza e madhe Nada, shoqërohet me djalin e Gon Papulit edhe ky një biznesmen e njohur si dhe president i përfaqësisë së Volsvagenit në Shqipëri.
Të dyja vajzat thuhet se kanë qenë të dashuruara me djemtë e lartpërmendur, kur babai i tyre nuk ishte bërë akoma president. Në fillim, kur prozhektorët u kthyen nga familja presidenciale për të mësuar çdo detaj nga jeta e tyre, Topi dhe e shoqja ishin shumë të vendosur që të krijonin një barrierë mes vajzave të tyre dhe medias.

Mirëpo kurioziteti për të mësuar më shumë, është i pashmangshëm. Ndërkohë vajzat kanë vijuar lidhjet e tyre, janë parë të kapur dorë për dore në publik dhe një javë më parë kanë vendosur që të dalin haptazi pa e vrarë mendjen për fjalët. Fundja ato janë vajza të reja dhe kanë të drejtë të dashurojnë faqe botës. Ky ka qenë një tjetër realitet që ato nuk ka ndryshuar edhe pse tashmë jetojnë në një familje presidenciale, duke mos pranuar asnjë lloj privimi për hir të statusit të veçantë që gëzon tashmë familja e tyre.

PanoramaPlus

YouTube Preview Image
2