Shqipëria e ka derën hapur për shqiptarët në Mal të Zi

December 25, 2008   | Kulturë / Kultura

fatos-bejaMinistri i arsimit dhe shkencës i republikës së Shqipërisë, Fatos Beja, u takua me kryetarin e komunës së ulqinit, Gëzim Hajdinaga
Ulqin – “Asnjë student shqiptar në Mal të Zi nuk ka mbetur pa u regjistruar këtë vit akademik në universitetet e Shqipërisë”, kanë vlerësuar ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Shqipërisë, Fatos Beja, dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, në takimin që zhvilluan të martën.
Ministri shqiptar i Arsimit ka thënë se Qeveria shqiptare e ka pasur gjithmonë objektiv të saj që ta mbajë hapur derën dhe ta forcojë bashkëpunimin.
“Ne jemi të prirur për të forcuar bashkëpunimin në mënyrë që shqiptarët kudo që janë të jenë të kualifikuar në mënyrë të lartë”, ka thënë ministri Beja.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka thënë se ka falënderuar “në emër të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi atë që Qeveria e Shqipërisë ka bërë dhe vazhdon ta bëjë për regjistrimin e studentëve shqiptarë në universitetet e Shqipërisë”.
Ai ka shtuar se edhe ky takim “tregon qartë se shqiptarët në Mal të Zi, e sidomos Ulqini në veçanti, është ura kryesore e komunkimit ndërmjet dy shteteve.”
I.Kallaba
Koha Javore