Arrestimet në Preshevë, skenarë për destabilizim

December 29, 2008   | Rajoni / Region

ragmi-mustafaKryetari i Preshevës Ragmi Mustafa akuzon policinë serbe se inskenon aksione për të nxitur pakënaqësinë e shqiptarëve dhe për të destabilizuar rajonin.
Tre ditë pas aksionit të xhandarmerisë serbe në të cilin u arrestuan 10 shqiptarë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdojnë reagimet politike të shqiptarëve në të cilat kundërshtohet politika serbe kundrejt Luginës së Preshevës.
Kryetari i Këshillit Komunal të Preshevës, ka akuzuar se i gjithë aksioni është proces i montuar nga struktura të caktuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ai ka thënë se nuk beson aspak se 10 të akuzuarit, kanë kryer krime lufte kundër njerëzimit.
“Ekzistojnë dyshime që e gjithë kjo të jetë montuar nga organet shtetërore, gjegjësisht nga MPB, për të krijuar pakënaqësi në mesin e shqiptarëve, me ç’rast do të krijoheshin kushte për destabilizim të rajonit. Mirëpo, ne apelojmë te bashkësia ndërkombëtare që të ndikojë në organet më të larta shtetërore siç është Qeveria, që ajo të sillet në mënyrë normale, kurse për të gjithë ta akuzuarit, nëse ekzistojnë prova, të gjykohen nga ndonjë gjykata e pavarur jashtë Republikës së Serbisë” ish kryetari I Kuvendit Komunal të Preshevës, Ragmi Mustafa.
Me gjithë situatën e tensionuar të Luginën e Preshevës, Mustafa, shprehet i bindur se incidente të përmasave të mëdha, nuk do të ketë. Ai tha se do të vazhdojë praktika e organizimit të protestave të qeta, në të cilat qytetarët shqiptarë do ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj xhandarmërisë.
Edhe ministri serb i Pushtetit Lokal Millan Markoviç, ka thënë se në Preshevë askush nuk ka kapacitet për të lëkundur gjendjen e sigurisë.
“Çdoherë kur ndodhin arrestime të personave të akuzuar për krime lufte, ka njerëz që nga ato dëshirojnë të bëjnë manifestime politike. Kështu është tani në Preshevë. Mirëpo unë konsideroj se protestat nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në punën tonë”, deklaroi ministër serb i Pushtetit Lokal, Millan Markoviç.
Mirëpo, ministri i Brendshëm Daçiç, edhe një herë ka paralajmëruar se aksioni do ta vazhdojë.
“Një numër i madh i atyre që janë arrestuar dhe atyre të cilët akoma i kërkojmë, jetojnë në Kosovë apo diku jashtë. Të kërkuarit madje janë edhe pjesëmarrës në ngjarjet e marsit të vitit 2004. Për shembull Shaqir Shaqiri kërkohet për krime edhe nga organet e UNMIK-ut”, thekson ministër I Brendshëm I Serbisë, Ivica Daçiç.
Shqiptarët e Komunës së Preshevës edhe sot kanë shprehur revoltën e tyre duke kundërshtuar aksionin e forcave serbe, në të cilin u arrestuan 10 shqiptarë nën akuzën e krimeve të luftës ndaj civilëve serb në rajonin e Gjilanit pas vitit 1999.
Familjarët e të arrestuarve përsëritën ankesat e tyre se forcat serbe kanë ushtruar dhunë pa kontroll ndaj 10 ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ismail SINANI     FONET
ALSAT