Dinosha: Kosova, kauza më e madhe e shqiptarëve në Ballkan

January 12, 2009   | Lajmet / Vijesti

ferhat-dinosha1Ferhat Dinosha, kryetari i partisë kryesore shqiptare në Mal të Zi, e njohur si Unioni Demokratik Shqiptar, thotë se “Kosova duhet të jetë kauza më e madhe e shqiptarëve në Ballkan”. Gjatë një bisede për gazetën “Shqip”, ai analizon rolin e shqiptarëve në rajon, ndërsa shpjegon edhe bashkëpunimin e partisë si tij me Milo Gjukanoviçin, Kryeministrin aktual të Malit të Zi.

Cili është historiku dhe roli i partive shqiptare në Malin e Zi?

Në fazën e tanishme të pluralizmit politik në Mal të Zi, shqiptarët ia kanë dalë të subjektivizohen përmes partive të tyre, pra shqiptare, që kanë luajtur dhe luajnë rol në proceset demokratike. Kam parasysh këtu vitin 1997, kur partia në pushtet në Mal të Zi, u nda në dy krahë: njëri krah u tha “jo” politikave të Millosheviçit, tjetri vazhdon t‘i avancojë këto politika. Në krye të krahut që u tha “jo” politikave të Millosheviçit ka qenë Milo Gjukanoviç, aktualisht Kryeministër. Ne ishim shumë më të interesuar të vendosnim partneritet me krahun e tij, pasi në të gjithë aktivitetin tonë politik, këtu në Mal të Zi, kemi gjykuar se kauza numër një e shqiptarëve në Ballkan, në këtë fazë, është Kosova. Prandaj kemi dashur të japim kontributin tonë për të dhe të mos bëjmë asnjë ndërkëmbëzë, që do të pengonte realizimin e aspiratave të shqiptarëve të Kosovës. Të themi të drejtën, veç partisë sonë, Unioni Demokratik Shqiptar, parti qeveritare që në vitin 1998, jo të gjitha partitë shqiptare kanë gjykuar në këtë mënyrë.

Cilat ishin arsyet që vendosët të jeni pjesë e qeverisë?

Më 1997, ne nënshkruam një marrëveshje me krahun e Milo Gjukanoviçit dhe me shumicën e partive opozitare në Mal të Zi për vendosjen e standardeve të demokracisë në këtë vend. Kjo marrëveshje theksonte subjektivizmin e shqiptarëve përmеs partive shqiptare. Duhet thënë se në këtë drejtim, kemi ende dukuri që dëshmojnë se shqiptarët kanë votuar dhe vazhdojnë të votojnë për parti joshqiptare. Na ishte dukur se një qeveri, që del kundër politikave të Millosheviçit, duhet të jetë edhe në interesin e shqiptarëve.

Në zgjedhjet e 1998, partia e Gjukanoviçit fitoi bindshëm dhe Unioni Demokratik Shqiptar, edhe pse në një atmosferë dilemash të brendshme e sulmesh nga ana e partive të tjera, pranoi të futej në qeveri me premtimin se do të formohej Ministria për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Ky premtim u mbajt dhe unë u bëra ministri i parë shqiptar në një qeveri të Malit të Zi. Që prej asaj kohe, ministrat në krye të kësaj ministrie kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shqiptarë nga radhët e Unionit Demokratik Shqiptar. Nëpërmjet kësaj ministrie, kemi dashur të realizojmë disa projekte të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi, për të cilat nuk kemi pasur përkrahjen e duhur të partive të tjera shqiptare, që, në veçanti Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi, ishin kundër pjesëmarrjes në qeveri.

Si kanë përparuar që atëherë të drejtat e shqiptarëve, përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare në Malin e Zi? Dhe cili është roli i Ministrisë për të Drejtat e Pakicave Kombëtare?

Partia jonë i është përmbajtur parimit që të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi t‘i avancojmë nëpërmjet institucioneve të vendit dhe në kontakte paralele me faktorin ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, qysh në fillimet e punës ia kemi dalë të formojmë, sikurse thashë, Ministrinë për të Drejtat e Pakicave Kombëtare dhe të nxjerrim ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare (sot flamuri kombëtar shqiptar është në përdorim në Mal të Zi, në përputhje me standardet demokratike evropiane.) Pas kësaj, erdhi lufta në Kosovë dhe ne përcollëm me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve, gjithnjë përkrah qeverisë së Gjukanoviçit. Kur në vitin 1999 Mali i Zi hapi dyert për rreth 100 mijë refugjatë kosovarë të dëbuar nga regjimi i Ðœilosheviçit, na u forcua bindja se duhet të vazhdojmë partneritetin tonë me këtë forcë politike në Mal të Zi.

Si pasojë, në vitin 2000, partia jonë doli me një platformë për nevojën e përcaktimit të një statusi të veçantë për shqiptarët në Mal të Zi. Platformën e bëmë publike, e dërguam në të gjitha viset përkatëse të shqiptarëve brenda vendit, si dhe në organizmat ndërkombëtare. Ne ishim të hapur që kësaj platforme t‘i bashkoheshin të gjitha partitë politike shqiptare, si edhe partitë e pakicave të tjera kombëtare, përderisa Mali i Zi është shtet me përqindje të lartë të pakicave. Donim të formohej një mekanizëm, i cili të krijonte kushtet e pranisë së përhershme të përfaqësuesve autentikë të pakicave kombëtare në skenën politike e shtetërore të Malit të Zi.

A po funksionon ky mekanizëm?

Ky mekanizëm, për mendimin tonë, duhet të ishte një dhomë e dytë në Parlament – dhoma e pakicave kombëtare. Përfaqësuesit e tyre në këtë dhomë do të kishin kapacitetin e fjalës së fundit për projektet, që kanë të bëjnë me bazën e identitetit të pakicave kombëtare. Fatkeqësisht me këtë platformë nuk u bashkuan partitë e tjera shqiptare as sot e kësaj dite, ato as që dolën vetë me ndonjë prоjekt të tyre më të mirë, që ne ta përkrahnim.

Pas kësaj menduam që, hap pas hapi, të realizonim parashikimet e platformës, që kishim përgatitur, ku përfshihej edhe çështja e krijimit të Këshillit Nacional Shqiptar, që do të ishte në disa raste edhe vendimmarrës për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Ky Këshill, megjithëse me vonesë, ashtu sikurse edhe në pakicat e tjera, tanimë është formuar dhe luan rolin e trupit përfaqësues të shqiptarëve në Mal të Zi, nëpërmjet pjesëmarrjes të të gjitha subjekteve politike shqiptare. Të mos harrojmë se edhe nëpërmjet partisë së Gjukanoviçit, shqiptarët gjithashtu janë përfaqësuar në Parlament me dy deputetë.

Cili është qëllimi madhor, sipas jush, që duhet të kenë shqiptarët në rajon?

Synimi ynë sot është që të rritet roli aktiv i shqiptarëve në strukturat shtetërore të Malit të Zi dhe luftojmë për një përfaqësim proporcional të tyre në to. Tani përfaqësimi është gati 1%, kur shqiptarët përbëjnë 7% të popullsisë.

Ne e vazhdojmë partneritetin. Sikur të mos bashkëpunonim me forcën politike të Gjukanoviçit, pushtetin do ta merrte atëherë forca politike proserbe, që nuk do të mendonte të ndryshojë për mirë pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo është arsyeja që ne u treguam aktivë në fushatën para referendumit për pavarësinë dhe ia arritëm që të sigurohet një përkrahje e madhe e shqiptarëve për këtë, kur disa grupe të tjera shqiptare ishin për bojkotimin e referendumit ose për asnjanësi. Pavarësinë e Malit të Zi e kemi konsideruar si paradhomën e pavarësisë së Kosovës. Koha vërtetoi qëndrimin tonë të drejtë. Kjo ka ndikuar edhe në vendimin e Malit të Zi në tetor 2008 për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi me qeverinë e Gjukanoviçit, që është njëkohësisht edhe properëndimore, kemi arritur të realizojmë disa projekte në të mirë të shqiptarëve, siç është hapja e degës së mësuesisë në gjuhën shqipe me qendër në Podgoricë. Ia kemi dalë gjithashtu të hapim maternitetin e parë në Ulqin, që më parë ka munguar. Kemi arritur të hapim edhe pika të reja kufitare me shtetin amë – Shqipërinë, siç është pika e Muriqanit në zonën e Ulqinit dhe një tjetër afër Plavës në Veri. Luftuam që Tuzi të marrë një shkallë më të lartë të organizimit administrativ, të kthehet në komunë të pavarur. Mirëpo si zgjidhje kalimtare na u desh të përkrahnim në këtë drejtim variantin e dуtë të një projekti pilot, që e shpallte atë komunë urbane të Podgoricës me disa elementë të autonomisë lokale. Një shkak jo pak i rëndësishëm, që na shtyu të miratonim variantin e dуtë, аtë të projektit pilot, ishte se pa votat e shqiptarëve të Malësisë së Tuzit, Podgorica, si kryeqytet do të binte në duart e opozitës serbe.

Me gjithë këtë, Unioni Demokratik Shqiptar vazhdon të përkrahë idenë e një komune të plotë të Tuzit, kur ky të ketë kushtet e vetëfinancimit. Fatkeqësisht, vërejmë se pushteti lokal i Tuzit nuk ka bashkëpunimin e duhur me pushtetin komunal qendror në Podgoricë. Aty pushtetin lokal e kanë dy parti shqiptare: Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Alternativa Shqiptare, që janë në koalicion me Partinë Popullore Socialiste Serbe – një parti që ka kundërshtuar pavarësinë e Malit të Zi dhe pavarësinë e Kosovës.

Jeni shprehur shpesh se viti 2008 ishte viti i shqiptarëve…

Vitin 2008 mund ta quajmë vitin e shqiptarëve. Kosova u bë e pavarur dhe shtet më vete, Shqipëria po hyn në NATO, Mali i Zi është pa çizmen e Serbisë. Shqiptarët nuk kanë arsye të jenë të pakënaqur. Unë jam optimist se do të kemi arritje të tjera, veç duhet të bashkërendojmë si duhet përpjekjet e integrimit, i cili krijon premisa për marrëdhënie të reja në Ballkan dhe sjell stabilitet në rajon. Me mençuri, me një ndjenjë pragmatizmi të shëndoshë dhe sinqeritet të brendshëm të faktorit shqiptar, pozita e shqiptarëve në Mal të Zi duhet të avancojë dukshëm dhe ky faktor mund të bëhet kontribuues i marrëdhënieve të mira të Podgoricës me Tiranën e Prishtinën.

Në zgjedhjet e fundit, partia jonë kishte një moto, që mbetet ende si e tillë: Unioni Demokratik Shqiptar do të jetë bërthamë në trekëndëshin Podgoricë-Prishtinë-Tiranë. Vizita e kohëve të fundit e Kryeministrit Milo Gjukanoviç në Shqipëri e rriti besimin tim si anëtar delegacioni se ky trekëndësh do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen. Ne, shqiptarët kemi shansin të jemi faktor i stabilitetit në Ballkan, madje edhe prijësit e proceseve integruese ballkanike dhe euroatlantike. Theksoj se në këtë drejtim kemi pasur dhe kemi përkrahjen e fortë të faktorit amerikan, të cilit i detyrohemi me mirënjohje për arritjet e deritanishme.

Ka raste, kur bëhet pyetja: a jeton te shqiptarët kërkesa e bashkimit me shtetin amë?

Sigurisht, që ka dhe bëhet një kërkesë e tillë. Por unë do të thosha se pas luftës në Kosovë, është zbehur një kërkesë e tillë, sepse edhe SHBA kanë paralajmëruar për këtë. Mund të kеtë edhe tek ne, në Mal të Zi, individë apo grupe romantike, që ëndërrojnë për të jetuar me troje të bashkuara, por qarqet përkatëse politike të shqiptarëve, si në Mal të Zi edhe gjetiu, e kuptojnë se projekte të tilla romantike nuk kanë të ardhme. Veç kësaj, kam frikë se emocionet e këtyre njerëzve romantikë mund të manipulohen nga njerëz të borxheve dhe synimeve të vjetra, të nxitur edhe nga serbët. Në kushtet e tanishme, absolutisht nuk mund të jetë në interes të shqiptarëve të shtrohet çështja e bashkimit të trojeve, kur projekti i Kosovës është optimal për kohën që po flasim. Nuk mund të ketë projekt tjetër jashtë projektit të Kosovës.

Me Kosovën-shtet, me Shqipërinë në NATO dhe Malin e Zi të pavarur mendoj se faktori shqiptar ka fituar peshë më të madhe në rajon. Na duhet se pari një sinqeritet i brendshëm, sepse këtu në Mal të Zi jemi bërë shumë parti shqiptare. Është koha për të krijuar dy blloqe partiake paraelektorale, që të konkurrojnë me njëri-tjetrin në zgjedhje. Ndryshimet programore midis partive janë shumë të vogla, ndryshimet e tyre janë në sjellje, në qasje. Tani na duhen njerëz të shkolluar, sepse nuk kemi shumë në radhët tona të tillë që të njohin standardet demokratike evropiane.

Si e shikoni të ardhmen e Malit të Zi? Flas integrimin, NATO-n…

Mali i Zi nuk e ka të vështirë t‘u përshtatet lehtë standardeve të NATO-s. Në sajë të reformave të qeverisë, sukseset në procesin e integrimit euroatlantik të Malit të Zi janë të mira. Ç‘është e vërteta, opinioni publik malazez nuk është i përgatitur si duhet për këtë. Ekzistojnë tri grupe me qëndrime të ndryshme ndaj hyrjes në NATO: grupi që është për hyrjen, i dyti që shprehet kundër dhe që përfaqësohet kryesisht nga opozita serbe, e cila gjithnjë i referohet sulmit të NATO-s kundër Serbisë për çështjen e Kosovës dhe i treti, grupi asnjanës.

Në synimin e saj zyrtar për t‘u bërë anëtare e NATO-s, Podgorica duhet të gëzojë përkrahjen e Shqipërisë dhe këtu shoh një nga fushat e rolit të Shqipërisë në dobi të Malit të Zi. Mali i Zi e ka të qartë se para se të hyjë në Bashkimin Evropian, ai duhet të bëhet anëtar i NATO-s. Qeveria e ka parasysh këtë dhe punon intensivisht në këtë drejtim. Mali i Zi është vend i vogël dhe nuk e ka të vështirë t‘u përshtatet standardeve dhe sistemit të NATO-s Për këtë përshtatje, sikurse u binda edhe nga vizita e fundit e Kryeministrit Gjukanoviç në Tiranë, atij nuk do t‘i mungojë mbështetja dhe përvoja e Shqipërisë.

Në Samitin e ardhshëm të NATO-s, Mali i Zi mund të mos marrë ftesën për anëtar, por do t‘i afrohet tepër derës së saj. Nga kontaktet me faktorët e brendshëm përkatës, por sidomos me faktorët e jashtëm, një gjë e tillë do të bëhet e mundshme.

Forcat politike të opozitës serbe flasin për organizimin e një referendumi për hyrje në NATO, ndërkaq ne mendojmë se nuk do të kemi referendum. Faktori përkatës malazes do të krijojë kushte, që të shprehet konsensusi nëpërmjet institucioneve të tjera, siç është, mbi të gjitha, Parlamenti. Referendumi do të ishte një rit, që opozita serbe do të donte ta shfrytëzonte për të shkaktuar një situatë të trazuar, gjë që nuk do të jetë në interes të qytetarëve. Pushteti mund të sjellë mjaft argumente për të bindur njerëzit, numri i të cilëve në favor të hyrjes në NATO po rritet nga dita në ditë.

Flitet se rusët, por edhe të tjerë, por më shumë rusët, po blejnë gjithnjë e më shumë toka e objekte në Mal të Zi…

Duhet të pranojmë se në Mal të Zi, kapitali rus ka depërtuar jo pak, si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat. Janë blerë objekte industriale, siç është uzina e aluminit, hotele turistike në zonën e Ulqinit, si edhe toka në bregdet për zhvillimin e turizmit apo për qëllime të tjera ekonomike në perspektivë.

Si parti kemi sensibilizuar faktorin tjetër të jashtëm, duke shprehur shqetësimin për pasojat, që do të ketë një proces i tillë në trojet, ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

Duket se kjo ka ndikuar dhe po i pritet hovi kapitalit rus për të depërtuar me ato ritme si më parë. Qeverisë dhe Kryeministrit ne ia kemi bërë të qartë se shtrirja e kapitalit rus në trojet me shumicë shqiptare nuk do të jetë e mirëpritur. Ne jemi për futjen e kapitaleve më stabël dhe pa prapasynime politike. Kështu mendohet të veprohet në të ardhmen për Plazhin e Madh, që mund të jetë një projekt madhor me përfshirjen edhe të zonave të Shqipërisë, në radhë të parë për punësimin e një numri të madh të rinjsh nga Shqipëria. Ulqini mendohet të kthehet që në vitin 2009 në një kantier të madh, i cili, pa dëmtuar interesat e biznesit turistik të vogël e të mesëm vendas, do të sjellë zhvillimin e biznesit të madh në këtë fushë, që do të kërkojë edhe burime njerëzorе të kualifikuara nga Shqipëria fqinje.

Për Liqenin e Shkodrës, ekzistojnë projekte të përbashkëta, por kështu me projekte të përbashkëta mund të veprohet edhe për shfrytëzimin e bregdetit në një lidhje zinxhir. Gjatë vizitës së Gjukanoviçit në Shqipëri, u fol për urën e re mbi Bunë, për zgjerimin dhe modernizimin e rrugës Ulqin-Shkodër nëpër Muriqan, ku do të ndërtohet një qendër kufitare e doganore për shfrytëzim të përbashkët, siç u fol edhe për realizimin e rrugës Podgoricë – Shkodër nga Hani i Hotit dhe Plavë-Podgoricë me kalim nëpër Shqipëri.

Projekte të tilla do të sjellin patjetër rritjen e ritmit të investimeve të kapitalit perëndimor, pa përjashtuar këtu edhe atë amerikan. Në këtë mënyrë do të shkurtohen lidhjet e rajonit të brendshëm të Ballkanit Perëndimor me bregdetin, jo vetëm nëpërmjet arteries kryesore Durrës-Morinë.

Kuptohet vetvetiu se kjo perspektivë e zhvillimit, në radhë të parë në trojet me shumicë shqiptare të popullsisë, do të sjellë rritjen e mëtejshme të rolit aktiv të shqiptarëve në rajon.

Gazeta Shqip

YouTube Preview Image

1