Thaçi nuk pret kushtëzime nga Mali i Zi

January 15, 2009   | Rajoni / Region

hashim-thaciKryeministri Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk pret kurrfarë kushtëzimesh me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi.
Duke komentuar kërkesën e Presidentit malazias Filip Vujanovic që, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, malazeztë të futen në Kushtetutën e Kosovës dhe që të krijohen kushtet për kthimin e popullatës joshqiptare, Thaçi ka theksuar se qeveria e tij po punon në krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë atyre të cilët kanë braktisur Kosovën.
“Dy shtetet tona kanë marrëdhënie të mira dhe besoj se ato shumë shpejt do të ngritën edhe në nivelin diplomatik, pa kurrfarë kushtëzimesh”, ka deklaruar Thaçi për të përditshmen malaziase “Vijesti”.
Thaçi konsideron se kërkesat e Vujanovic janë të drejta. “Ne kemi mirëkuptim për to, mirëpo më duhet të rikujtoj se ne për çdo ditë po punojmë në atë drejtim në mënyrë që nëpër shtëpitë e veta të kthehen të gjithë ata të cilët e kanë lënë Kosovën. Qeveria jonë po punon në këtë drejtim me përkushtim dhe këtë askush nuk mund të na e mohojë”, ka theksuar Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova “po e ndërton shtetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e jo shtetin e një apo dy kombeve”.
Gazeta Express