Gjukanoviq: Së shpejti marrëdhënie diplomatike me Kosovën

February 3, 2009   | Politika

milo-gjukanoviqKryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën do të vendosen në një të ardhme të afërt, ndërsa më pas, sipas tij, pason përcaktimi i modelit të përfaqësimit. “A do të jetë në nivel ambasadash, nëpërmjet institucionit të ambasadorit rezident apo jorezident, apo në ndonjë mënyrë tjetër, është çështje që duhet të përcaktohet. Mali i Zi nuk është Amerikë dhe nuk mund t’i ketë ambasadorët dhe konsujt gjithkund në botë. Por pa dyshim rajoni është një prej prioriteteve tona”, ka thënë Gjukanoviq në një intervistë për agjencinë serbe “Beta”. Ai ka thënë se nuk mund të “gjykojë” se kur do të kërkojë Kosova vendosjen e ambasadorit të saj në Mal të Zi, sepse kjo, sipas tij, është çështje e kompetencave sovrane të një shteti. Gjukanoviq ka përsëritur interesimin që malazezët në Kosovë të fitojnë tretman adekuat, të tillë çfarë e kanë edhe shqiptarët në Mal të Zi. “Nuk ka ndonjë arsye për stagnim në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Kur them normalizim, e kam parasysh se Kosova është shtet në krijim e sipër”.

Gazetalajm