Materniteti i ulqinit në ditëlindjen e tij të katërt

February 17, 2009   | Shoqëria / Društvo

shtepija-e-shendetit-ne-ulqinRritja e lindjeve dëshmon rritjen e besimit
“Vetë fakti se numri i lindjeve rritet nga viti në vit, më lejon të konstatoj se besueshmëria e popullatës së Ulqinit, posaçërisht asaj femrore të aftë për lindje, është çdo ditë e më e madhe”, thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, prim. dr. Gani Karamanaga.
Nëse para fillimit të punës së maternitetit në Ulqin kanë ekzistuar hije dyshimi rreth sigurisë së lindjes në këtë institucion dhe përgatitjen e stafit të tij mjekësor, katër vjet pune të tij e kanë dëshmuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e këtij institucioni dhe kanë shuar pothuajse fare frikën e lindjes në këtë maternitet, për shkak të mungesës së sallës kirurgjikale.
Për katër vjet në këtë maternitet (më 5 shkurt u bënë katër vjet të fillimit të punës) kanë lindur gjithsej 614 fëmijë dhe numri i lindjeve ka ardhur duke u rritur nga viti në vit.
“Në vitin 2005, vitin e parë të hapjes së maternitetit, në të kanë lindur gjithsej 125 fëmijë, në vitin 2006 – 149 fëmijë, në vitin 2007 – 153 fëmijë, kurse në vitin e kaluar ky numër ka arritur në 178 lindje”, thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, prim. dr. Gani Karamanaga.
Sipas tij, rritja e numrit të lindjeve nga viti në vit tregon rritjen e besimit të qytetarëve në këtë institucion.
“Vetë fakti se numri i lindjeve rritet nga viti në vit, më lejon të konstatoj se besueshmëria e popullatës së Ulqinit, posaçërisht asaj femrore të aftë për lindje, është çdo ditë e më e madhe”, thotë ai.
Gjatë punës katërvjeçare, në këtë maternitet, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë vdekje të fëmijëve apo nënave.
Drejtori Karamanaga ia atribuon këtë, para së gjithash, “kujdesit dhe punës së mirë të mjekëve”.
“Punën për këto katër vjet e ka karakterizuar një entuziazëm i madh dhe punë profesionale e stafit mjekësor të gjinekologëve, pediatrëve, mamive dhe motrave pediatrike”, thotë ai.
Materniteti i Ulqinit është i pajisur mirë me aparatura bashkëkohore mjekësore dhe u ofron kushte shumë të mira nënave shtatëzëna, para dhe pas lindjes.
“Ndihmë për sigurimin e këtyre pajisjeve përveç Qeverisë së Malit të Zi na kanë dhënë edhe bashkatdhetarët tanë nga SHBA, Zvicra dhe Gjermania, si dhe një numër i afaristëve nga Ulqini dhe disa banka që veprojnë në këtë qytet”, thotë dr. Gani Karamanaga.
Të lindurit në këtë maternitet nuk janë vetëm nga qyteti i Ulqinit, por edhe nga qytetet e tjera të Malit të Zi, e po ashtu edhe disa vende fqinje, si Shqipëria dhe Kosova. Po ashtu edhe kombësia e të lindurve është tejet heterogjene.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin tregon se ka pasur raste kur lindjet janë kryer edhe falas kur kanë qenë në pyetje nëna me gjendje të vështirë ekonomike.
Problem megjithatë mbetet mungesa e sallës kirurgjikale dhe stacionit të transfuzionit që kushtëzon lindjet që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Përqindja e këtyre lindjeve sillet rreth 15-25 për qind dhe ato janë të detyruara të kryhen në maternitete të tjera, kryesisht në Tivar, Podgoricë, etj.
“Në të ardhmen duhet të luftojmë që materniteti të ketë atributin e maternitetit spitalor”, thotë drejtori Karamanaga.
Reforma e sistemit shëndetësor që parashikon reduktimin e numrit të punonjësve shpresohet të mos e prekë maternitetin e Ulqinit.
“Reforma në sistemin shëndetësor primar e pranon maternitetin e Ulqinit si pjesë të Shtëpisë së Shëndetit dhe shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje me rezultat të mirë në favor të punonjësve të punësuar në maternitet”, përfundon drejtori Gani Karamanaga.

I.Kallaba
Koha Javore