Plani i urbanistik i komunës së Ulqinit ngjall debate të shumta

February 24, 2009   | Reportazh / Reportaža

plani-hapsinor-i-ulqinit1Plan që ofron zhvillim apo pengon zhvillimin afatgjatë
Pas shumë vitesh, Komuna e Ulqinit ka hartuar apo më saktë ka plotësuar dhe ndryshuar një pjesë të Planit të vet të Përgjithshëm Urbanistik. Plani i miratuar përfshin zonat Gjerana 2, Kepin e Gjeranave me Port Milenë, Fushën e Ulqinit, Kodrat, një pjesë të Zogajve dhe Pinjeshin, me një sipërfaqe prej 708 hektarë nga afro 25 mijë hektarë sa përfshin gjithsej territori i Komunës së Ulqinit.
Plani është punuar nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Podgoricë dhe ka fituar dritën jeshile nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit në seancën e mbajtur më 3 shkurt. Për të kanë votuar këshilltarët e shumicës në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, ndërsa këshilltarët e Forcës së Re Demokratike (me përjashtim të një këshilltari që ka votuar kundër) kanë abstenuar, kurse ata të LD në MZ, BDSH, PPS dhe Listës Serbe nuk kanë marrë pjesë në votim.
Edhe pse përpunimi i PPU ekzistuese për zonat në fjalë ka qenë më se i nevojshëm dhe të gjithë janë pajtuar për plotësimin dhe ndryshimin e tij, Plani i propozuar ka ngjallur reagime të shumta.
Në ndërkohë, Parlamenti i Malit të Zi në gusht të vitit të kaluar ka miratuar Ligjin për Rregullimin Hapësinor dhe Ndërtimin e Objekteve, me të cilin parashikohet që planet e nivelit shtetëror janë të nivelit më të lartë. Në këtë mënyrë, çdo plan që aprovohet në nivele lokale, rrjedhimisht edhe në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, përfshirë edhe Planin e Përgjithshëm Urbanistik, duhet të jetë i harmonizuar me planet e nivelit më të lartë. Kjo ka bërë që edhe miratimi i PPU-së për një pjesë të territorit të komunës së Ulqinit të cilësohet si i vonuar duke qenë se PPU me Ligjin e ri për Rregullimin Hapësinor dhe Ndërtimin e Objekteve nuk e ka më rëndësinë që ka pasur më parë.
Sipas nënkryetarit të Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, kryetar i Klubit të këshilltarëve të Forcës në Kuvendin e Komunës së Ulqinit dhe i vetmi këshilltar që ka votuar kundër PPU-së, arsyet që e kanë bërë të votojë kundër janë të shumta.
“Nga më se 400 vërejtje ndaj propozimit të PPU-së, shumë pak prej tyre janë marrë parasysh dhe nuk janë informuar as këshilltarët, as opinioni se cilat janë marrë parasysh e cilat jo dhe se çfarë është bërë me to. Këshilltarët nuk kanë pasur mundësi që ta shohin dokumentin përfundimtar. Këtu mendoj në pjesën grafike”, thotë ai.
Sekretari i Sekretariatit për Urbanizëm dhe Rregullim Hapësinor, Nazif Hoxhiq, thotë se numri i vërejtjeve ndaj Propozimit të PPU-së kanë qenë rreth 220, kurse gjithsej diçka më tepër se 400.
Sipas tij, pjesa më e madhe e vërejtjeve që janë konsideruar të arsyeshme nga Komisioni revidues dhe përpunuesi i PPU-së janë marrë parasysh.
“Është obligim ligjor që vërejtjet të shkojnë në komisionin revidues, i cili i jep mendim dhe qëndrim përpunuesit të Planit – Fakultetit të Ndërtimtarisë në Podgoricë, dhe aty ku ka pasur vërejtje të arsyeshme, ashtu siç i ka çmuar përpunuesi me Komisionin, më se 90 për qind janë aprovuar sepse nuk ka mundur që të aprovohen absolutisht të gjitha vërejtjet”, thotë Hoxhiq.
Ai thotë se pikërisht vërejtjet dhe dëshira për të plotësuar kërkesat e qytetarëve aty ku ka pasur mundësi dhe hapësirë, ka qenë arsyeja kryesore e shtyrjes së miratimit të PPU-së.
Për kryetarin e Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkreli, deputet në Parlamentin e Malit të Zi dhe këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Plani i miratuar përbën një hap përpara në rregullimin e kaosit urbanistik që ekziston në komunën e Ulqinit dhe kjo ka ndikuar që të përcaktohesh pozitivisht për të.
Ai pranon se Plani i miratuar ka të meta sa i përket zgjidhjeve që ofron e po ashtu edhe për shkak të vonesës në miratimin e tij gjë që ka bërë që në disa segmente bien ndoshta edhe në kundërshtim me zgjidhjet e reja ligjore që rregullojnë këtë materie.
“Sidoqoftë, unë e çmoj si hap përpara në zgjidhjen e problematikës urbanistike që është evidente dhe e pranishme në komunën e Ulqinit”, thotë Shkreli.
Forca e Re Demokratike e ka kritikuar PPU-në e propozuar dhe të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit edhe për shkak të konfliktit që ky plan ka me planet e tjera dhe konfliktet e mundshme me planet për tërë komunën.
“Ky plan përfshin vetëm 2.8 për qind të territorit të Komunës së Ulqinit, kurse në të janë parashikuar që të ndërtohen bruto 1.7 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, ndërkohë që sipas Entit për Statistika të Malit të Zi në Ulqin ka diçka më pak se një milion metra katrorë sipërfaqe të ndërtuara”, thotë Genci Nimanbegu.
Sipas tij, ajo çfarë parashikon plani do të sillte një hiperndërtim dhe sigurisht që do të bëjë një lloj “budvanizimi” të kësaj zone.
Por sekretari i Sekretariatit për Urbanizëm dhe Rregullim Hapësinor, Nazif Hoxhiq, thotë se sa i përket vërejtjeve lidhur me kapacitetet e tepruara të ndërtimit, në draftin e ri të punuar pas sygjerimeve dhe qëndrimit të Komisionit revidues, janë ofruar numra të arsyeshëm dhe se versioni i fundit i propozuar dhe i aprovuar në Kuvend ka qenë i pranueshëm dhe s’ka të bëjë me atë çfarë ka qenë propozimi i parë.
Një vërejtje tjetër e Forcës së Re Demokratike lidhet me rrezikun nga ndryshimi i strukturës demografike të popullsisë nëse realizohet ajo që është parashikuar në PPU.
“Numri i popullsisë së mundshme nga diçka më shumë se tri mijë banorë që është tani në zonat që përfshin Plani, do të mundësohet për 25 mijë banorë të përhershëm. Nëse arrihet kjo, do të ndryshohet struktura demografike e popullsisë në komunën e Ulqinit”, thotë Genci Nimanbegu.
Për kryetarin e Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkreli, kritikat rreth rrezikimit të strukturës demografike të popullsisë së Ulqinit janë të pabaza.
“Nuk shoh elemente për një konstatim të tillë duke marrë parasysh se me plane kontrollohet ndërtimi, kurse me kaos dhe mungesën e planeve ecet në kahjen e kundërt. Nuk jam ithtar që dikush duhet të frikohet prej dikujt nëse mendon se ekzistencën e vet duhet ta lidhë së bashku me ne, por jam ithtar i tolerancës, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit. Ithtarët më të fortë të tezës së ndryshimit të strukturës demografike, në çdo qytet të Malit të Zi zhvillojnë afarizëm, kanë troje tokësore, infrastrukturë tregtare dhe nuk e di se me çfarë të drejte dëshirojnë t’ia mohojnë dikujt këtë të drejtë në Ulqin”, thotë ai.
Forca e Re Demokratike ka pasur edhe një varg vërejtjesh të tjera në PPU-në e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit.
Parashikimi i ndërtimit të mbi 6000 shtretërve në sektorin hotelier nga hoteli “Albatros” deri te Kepi i Gjeranave, mbyllja për trafik e rrugës nga hoteli “Galeb” deri në hotelin “Albatros”, që sipas Forcës, duket ka të bëjë me përmbushjen e dëshirës së investitorëve e jo të qytetarëve të Ulqinit, pozicionimi i marinës së parashikuar që sipas Forcës përbën një dëshirë të parealizueshme, janë vetëm disa nga vërejtjet e tjera ndaj PPU-së së miratuar.
“Fatkeqësisht është plan që është aprovuar në kundërshtim me interesat afatgjate të komunës sonë. Pjesa e vogël që përfshihet në të – 2.8% e territorit të Komunës, dyfishimi i sipërfaqes së parashikuar për ndërtim në këtë zonë, mbipopullimi i kësaj zone me rrezik të ndryshimit të strukturës demografike, janë elemente që këtë plan e bëjnë të papranueshëm”, thotë Genci Nimanbegu.
Sekretari i Sekretariatit për Urbanizëm dhe Rregullim Hapësinor, Nazif Hoxhiq, thotë se me aprovimin e këtij plani ofrohen kushte për punimin e planeve rregulluese, siç e parashikon Ligji i ri për Rregullimin Hapësinor dhe Ndërtimin e Objekteve.
I.Kallaba
Koha Javore

1