Situata parazgjedhore parlamentare ne vitin 2009

February 24, 2009   | Shoqëria / Društvo

muhamet-nika_ulqinLokalizmat e vonuar
Imagjinoni një gotë të thyer që bie nga tavolina dhe thyhet copë-copë në dysheme. Po ta filmonim aktin e thyerjes dhe ta zhvillonim filmin mbrapsht do të shikonim copat e mbledhura përnjëherë në dysheme, që kërcenin në ajër, për të formuar një gotë të plotë mbi tavolinë. Duke e parë rastin shohim që kjo është iluzion filmik sepse proceset në natyrë nuk mund të ndodhin kështu. Kjo nuk lejohet nga ligji i dytë i termodinamikës. Ligji thotë se në sistemet e mbyllura gjërat gjithmonë kanë tendencë të shkojnë keq!. Dhe se me kalimin e kohës çrregullsia shtohet. Ky ligj rrjedh nga fakti se gjithmonë ka shumë më tepër gjendje të çrregullta sesa gjendje të rregullta. Ligjin e përmendim për të shpjeguar disa ftesa, të personave dhe liderëve politikë, për krijimin e koalicionit gjithëshqiptar, që sipas parimit «të gotës së thyer» – ligji i fizikes nuk e lejon.
Meqë në shoqërinë shqiptare në Mal të Zi ende mungojnë opinionistët të cilët, te zgjedhesit duhet të formojnë opininet e mira apo të këqi për politikanët në mënyrë të pavarur siç ndodhë p.sh. ne Kroaci, Shqipëri ku opinionistët për mendimin e pavarur ndëshkohen, ndërkohë për opinionet e (pa)formuara konstatojmë sa vijon:
Zakonet e biznesit vlejnë edhe për zakonet shoqërore – politikën, andaj për të kuptuar disa aktualitete politike do të shkëpusim një mendim të Bennisit i cili shprehet: «Menaxhim do të thotë t`i bësh gjërat saktë, lidershipi është të bësh gjërat e duhura». Menaxhimi është efikasiteti në ngjitjen e shkallës së suksesit; lidershipi përcakton nëse shkalla është mbështetur pas murit të duhur». Nga kjo mund ta rrokim shpejt se nuk ka dallime të rëndësishme ndërmjet menaxhimit dhe lidershipit politik. Gjithnjë në këtë vijë më duket se menaxherët politikë shqiptarë patën sukses që të grumbullojnë votat në partitë shqiptare, mirëpo skenës politike iu ngjitën «disa liderë» të cilët urdhëruan që shkallën ta vëjnë në murin e pasigurtë. Kjo situatë u hetua që në zgjedhjet për President të Republikës e kjo do të thotë që, sado të mëdha të jenë sukseset e menaxherit politik ashtu si në biznes ato asnjëherë nuk mund të mbulojnë humbjet e lidershipit politik i cili te ne shqiptarët në Mal të Zi mjerisht pothuajse nuk ekziston.
Për kahjet e lidershipit të partive shqiptare, gjatë kësaj kohe e sidomos pas prishjes së koalicionit në Komunën e Ulqinit e duke ftuar haptas që të votohet kandidati i opozitës Medojeviq, si bumerang të këtyre veprimeve do të formohet një realitet krejt i ri te shqiptarët, në aspektin e grupimit politik. Për atë që ndodhi mund të thuhet: Nëse jemi të lirë të zgjedhim veprimet tona ne nuk jemi të lirë të zgjedhim pasojat e veprimeve. Pasojat udhëhiqen nga ligjet natyrale pra, ne zgjedhim reagimin tonë në çdo situatë, por duke vepruar kështu ne zgjedhim edhe pasojën shoqëruese. «Kur ngrejmë njerën anë të shkopit, njëkohësisht kemi ngritur edhe anën tjetër», Po ta incizojmë situatën përmes pikënisjeve të dhëna nga subjektet e ndryshme rezulton kështu:
Pozita 1 – LD në MZ, më 29 janar 2009 «Koha Javore» shkruan: LD në MZ fton partitë politike shqiptare për bisedime lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi për të krijuar një listë të përbashkët, siç thuhet… nisur nga interesat e përgjithshme kombëtare shqiptare. Sipas saj zgjedhjet e shpallura nuk janë brenda mandatit (2010) e as brenda afatit të paralajmëruar me marrëveshjen e veçantë pozitë – PZP (nentor-dhjetor) 2008 të arritur para aprovimit të Kushtetutës për çgjë duheshin 2/3 e votave në Kuvend.
Komenti:
LD në MZ dhe mjerisht të gjithë deputetët shqiptarë të partive nacionale shqiptare në momentin e miratimit të Kushtetutës nuk ishin në sallë, e mos të harrojmë që më herët në kuadër të opozitës, kishin menduar që pozitën kushtetuese të shqiptarëve ta përmirësojnë me një kushtetutë të hartuar nga partitë opozitare serbe e proserbe që dihej se nuk do të përkrahnin proceset e demokratizimit të Malit të Zi, pasi që më parë nuk njohën pavarësinë e Malit të Zi e më pas e as të Kosovës!
Pozita 2 – LD në MZ, 4 shkurt 2009 – Nikollë Camaj, gazeta «Dan»
Citoj: 6 parti dhe disa OJQ deri tash përkrahin listën e përbashkët… Liderët politikë shqiptarë të shtunën që shkoi zhvilluan bisedime për listën e përbashkët në zgjedhjet e marsit. Rrethin e parë të bisedimeve e bënë Alternativa shqiptare, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Forca e Re Demokratike të enjtën fillojnë bisedimet me Partinë e Prosperitetit dhe me Partinë e Bashkimit Demokratik si dhe me grupin e Aleancës së Re. Gjithashtu thotë që partitë opozitare SNP, Nova (ish lista serbe), dhe «PZP» ende nuk kanë kontaktuar me partitë shqiptare. Një gjë të tillë po në këtë ditë e vërteton se ka ngjarë edhe Genc Nimanbegu për gazetën “Vijesti”. Po në këtë ditë njohtohemi se Amir Hollaj nga PPD kishte dërguar ftesë publike për tubim të qytetarëve në Katërkollë me moton: Të zgjedhim deputetin e Anës së Malit?!
Komenti: Sa për deputetin e Anës së Malit si veteran i organizimit politik mendoj se kemi të bëjmë me një lokalizëm të vonuar i cili gjatë viteve 90 pat përfshi Degën e Lidhjes Demokratike të Ulqinit e cila pastaj u transformua në UDSH, kurse të njëjtën gjë pat bërë edhe Dega LD në MZ e Malësisë e cila vendosi të shkojë me Degën e Ulqinit të LD-së (UDSH-se), por kur u «zhgënjye» në të formoi Alternativën Shqiptare.!
Bisedat e politikanëve shqiptarë me ato që deklarohen si serbë, që votojnë partitë serbe e që prirës shpirtëror kanë Amfillohijen kurse dëshirojnë sSerbinë, e adhurojnë Rusinë, mund të bëhen pasi që të kenë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur të garantojnë që shqiptarëve do t`u zbardhë kur opozita të vijë në pushtet. Përndryshe shkuarja pas tyre sot, ia përngjet punës së asaj deles që u plagua nga ujku dhe kur u takua përsëri në rrugë me të, harroi dhe vazhdoi t`i shkojë pas…! Thënien e Camajt e vërtetoi Bardhi, gjithashtu në «Dan» më 6 shkurt, ku siguroi që shqiptarët do të fitojnë 4 mandate dhe se do t`i përgjigjet ftesës së Miliqit… (po të ndodhte)!
Pozita 3 –Amir Hollaj deklaron për «Bota Sot» më 7 shkurt 2009:
Në të vërtetë në skenë ka dalë edhe një emër i ri – Aleanca e Re. Njëri prej nismëtarëve Amir Hollaj, kryetari aktual i Partisë së Prosperitetit Demokratik, e prekur tash 2 vjetë e më shumë nga fërkimet e brendshme, thotë se Aleanca e Re është një lëvizje, por ai nuk mohon se nesër mund të shndërrohet në parti politike. Bashkënismëtar i kësaj iniciative është edhe Ali Doda, kryetar i Bashkimit Demokratik të shqiptarëve i cili, siç spekullohet, «i ka ikur anëtarësia më vitale», si dhe një grup qytetarësh që kanë zgjedhur për moto: «të gjithë së bashku për deputetin e Anës së Malit»… Këtë lajm e vërteton edhe Koha Javore» e datës, 12.02.2009.

Pozita 4 – Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Muhamet Nika për “Vijesti” të datës 10 shkurt 2009, deklaron: “Nika kërcënon me ndërrime“.
Më 11 shkurt po e njëjta gazetë sjell lajmin që Këshilli Drejtues i PPD, bazuar në Statut më 2/3 ia merr të drejtën z. Hollaj të flasë në emër të Partisë të lidhë koalicione, duke u tërhequr vërejtjen negociatorëve të mundshëm për pasojat që mund të kenë nëse nuk merren parasysh vendimet e Këshillit Drejtues.

Pozita 5 – Vasel Sinishtaj, deputet i Alternativës Shqiptare, për gazetën «Dan» të datës me 10 shkurt 2009, hedh tezën që shqiptarët dëshirojnë një parti, dhe se kjo do të ndodhë diku në të ardhmen, pas këtyre zgjedhjeve.
Është interesant të përmendet që në një emision televiziv, më 13 shkurt në TV Tetutë, Amir Hollaj duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit Berjashi se çfarë do të ndodhë me spekulimet në opinion se Amir Hollaj do të jetë kryetar i Partisë së vetme shqiptare në formim dhe se a do të kishte pranuar këtë post! Hollaj u përgjegj se nuk do ta refuzonte. Kjo është e rëndësishme ndoshta si një prapaskenë e deklaratës së z. Sinishtaj?!

Pozita 6 – Gazeta «Dan» 11 shkurt 2009 shkruan: «Konfliktet deri te bartësi i listës kanë sjellë në pikëpyetje formimin e Koalicionit parazgjedhor shqiptar».
Citojmë gazetën: Formimi i Koalicionit të madh shqiptar ka ardhur në pikëpyetje… në njerën anë janë partitë Ulqinake (!?), Forca e Re Demokraktike, Bashkimi Demokratik, Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Aleanca e Re… Këta i përkrah edhe Alternativa Shqiptare që bartës të listës të jetë nënkryetari i Forcës Genc Nimanbegu i cili dëshiron ta shohë veten si bartës i listës … kurse në anën tjetër është Lidhja Demokratike e cila dëshiron që bartës i listës të jetë Mehmet Bardhi…, mirëpo punët disi edhe brenda Lidhjes nuk janë si duhet ngase disa anëtarë të kryesisë janë që z. Genci të jetë bartës i listës, përfundon gazeta.
Aspiratat e z. Hollaj për të përvetësuar të drejtën e Këshillit Drejtues që me Statut të PPD – së koalicionet në nivel Republikan lidhë vetëm Këshilli Drejtuar me sa duket i vetëdijesuan politikanët e Lidhjes që z. Hollaj ta refuzojnë në bisedimet shumpalëshe, e kjo mësohet nga disa burime të tërthorta, kurse vetë deklarimi i z. Hollaj në TV Tetute që do të përkrahë kandidatin e Degës së Anës Malit për deputet z. Fatmir Gjeka (UDSH) nëse është bartës i listës. Për këtë mund të kontaktojë si Aleancë e Re edhe me z. Dinosha, dëshmon që z. Hollaj tashmë ndihet i braktisur nga subjektet shqiptare me të cilët pat bërë negociata për të përforcuar pozitat e veta personale!
Këshilli Drejtues i PPD-së ashtu siç nuk dëshiron që grupe formale dhe informale të subjekteve të tjera të përzihen në politikën e brendshme të Këshillit Drejtues nuk përkrah as përzierjet e z. Hollaj në punët e brendshme të subjekteve të tjera.

Pozita 7 – Partia e Prosperitetit Demokratik në një kumtesë për opinion njofton se kjo parti mbi bazën e Programit dhe Statutit të saj është e gatshme për bisedime me partitë politike që u angazhuan për pavarësinë e Malit të Zi, dhe për njohjen e Shtetit të Kosovës.
Nga kjo po duket se shqiptarët në Mal të Zi janë të ndarë në dy grupime politike. Në ato që përkrahin pozitën në pushtet e që janë UDSH dhe PPD si dhe partitë e tjera, të cilave nuk u pengon ardhja e opozitës në pushtet.
Të martën, më 17 shkurt nga gazeta «Dan» mësuam se marrëveshja e shqiptarëve për një koalicion të madh duket se do të dështojë, dhe që FORCA është e gatshme të dalë vetë në zgjedhje; Për t`i kuptuar vlimet politike partiake të subjekteve shqiptare në Mal të Zi përmendim ligjet e fizikës e sidomos atë i cili thotë se energjia (partia) nuk mund të krijohet nga hiçi, e kjo vlen edhe për koalicionin. Pasi që koha sipas fizikës nuk mund të kthehet mbrapsht (shembulli i gotës sëthyer) përmendim parimin e mundësisë së ndarjes së materijes (partive) në fizikë, në çifte grimcash ku njëra prej tyre detyrimisht do të jetë grimcë, e tjetra anti grimcë. Kështu çiftet grimcë-anti grimcë ndahen pastaj sërish bashkohen duke gjetur secila partnerin e vet dhe pastaj asgjësohen përfundimisht në vrimën e zezë ku «horizonti i ngjarjeve, zihet në grackë». Ligjet e fizikës do të vlejnë edhe për koalicionin shqiptar në mënyrë ekzakte, (materie, antimaterie – parti e antiparti) Ata pasi u ndanë detyrimisht u bashkuan me partnerët e vet “gjoja për koalicion” dhe sipas ligjit të përmendur të natyrës, përfundimisht u asgjësuan.
Për të mos qenë pesimist në këto zgjedhje parlamentare po e përmbylli me një parim nga libri i shenjtë – Kur`ani, të cilin e bazoj në përvojën time personale e që është: ka do gjëra që ju mendoni se janë mirë për ju e ato janë keq për ju, dhe ka do gjëra që ju mendoni se janë keq për ju e ato janë mirë për ju!

Muhamet Nika
Koha Javore

3