Agoni : Dashuroj tipin e Adelajdës

February 26, 2009   | Big Brother 2 Albania - Thashetheme

vajzat-ane-ftohte-big-brother-albaniaTë shumta dhe të ndryshme kanë qenë diskutimet banorëve të “Big Brother”. Të ndarë në grupe, duke qenë se u duhet të përkujdesen për lopët ata kanë pasur mundësi të flasin e të shprehen mbi tema të ndryshme. Mimoza është shprehur për Bjordin dhe Arjonin, Lirita dhe Aida kanë tallur Adelajden. “Kjo zysha është një kanarinë e prishur”, ka thënë vajza nga Kosova. Disa prej tyre kanë diskutuar për Adin. Cili është në të vërtetë ai? E nuk mund të mos flitej edhe për katër banorët e dominuar për këtë javë. Secili ka shprehur mendimet personale në lidhje me ta.

Agoni simpatizon Adelajdën

Agoni ndodhet në kuzhinë me Liritën ku një ndër bisedat e tyre është ajo në lidhje me Adelajdën. Ajo e pyet nëse zysha e ka marrë inat por, Agoni ia kthen se ndoshta ashtu duket dhe se në të vërtetë nuk është ashtu. Megjithatë, ai e pyet Liritën nëse të tjerët e kanë komentuar këtë fakt. Agoni i tregon asaj se ka që dje që ka filluar të kuptojë se ai e pëlqen Adelën, madje thotë se ka filluar ta dashurojë tipin e saj. Ata kanë shkëmbyer edhe komplimente me njëri-tjetrin apo edhe biseda, që për Agonin, një motiv është edhe ai për të kaluar kohën.

“Turni i radhës”

Është radha e Arjonit dhe Adelajdës që të qendrojnë në tendë e të kujdesen per lopët. Ata diskutojnë se e kanë pak të vështirë të mësohen me turnet. Adela thotë se nuk arriti as të përgatitej për turnin e tyre, pasi ishte ende në gjumë. Arjoni e gjen këtë si një rast për të bërë shaka me të. Më pas ata folën edhe për nominimet ku Adela lutet që të mos jetë radha e saj për të dalë këtë javë, por për Arjonin ky urim duhet të jetë për të gjithë ata që janë në nominim. Adelajda është kurioze se çfarë mendojnë për të njerëzit që janë jashtë. Arjoni e pyet për shkollën dhe për futjen e saj në “Big Brother” dhe nëse arsyeja e saj do ta çojë deri në finale apo jo. “Objektivi im është që të qëndroj sa më gjatë këtu”, thotë Adela por, për Arjonin kjo gjë nuk është e mjaftueshme.

“Tradhtia”

Arjoni dhe Adelajda janë ende në tendë duke pritur që të mbarojë turni i tyre. Ata vazhdojnë të flasin për jetët private të tyre dhe marrëdhëniet në çift. Ai thotë se në lidhjen e fundit nuk ka qenë shumë korrekt dhe shpesh e ka tradhëtuar atë dhe më pas ja tregonte këtë dhe asaj. Ai thotë se me këto veprime e ka bërë shumë të vuajë ish të dashurën e tij dhe se shumë gjërave nuk u ka dhënë rëndësinë e duhur. Tani që është rritur mendon se shumë veprime bëhen si pasojë e moshës.

“Cili është Adi?”

Duke folur për të gjithë banorët dhe tipat e tyre, Arjoni dhe Adela ndalen tek Adi. Sipas tyre, ai është një tip që ende nuk është shfaqur dhe nuk e njohin. Adela tregon se Adi i pëlqen shumë, por që nuk e njohin fare. “Më pëlqejnë shakatë e tij, për aq sa ka treguar më duket njësh”, thotë ajo. Kurse Arjoni thotë se nuk dinë asgjë nga jeta e tij private. Për Adelajdën, ai dhe Bjordi janë personazhe pa të cilët shtëpia do të dukej ndryshe.

“Aplikimet për ‘Big Brother‘”

“Jam i lumtur që jam këtu,” shprehet Adi i cili ndodhet në tendë, pasi ka ardhur radha e tij dhe Bikës të kujdesen për lopët. Ata fillojnë të flasin për aplikimin dhe audicionet e njëpasnjëshme derisa arritën këtu. “Për mua është fat i madh se deri më sot nuk më ka ecur në shumë drejtime”, është shprehur Bika. Ajo tregon se kur ka aplikuar, ka qenë shumë euforike. Xhaxhai i saj i ka dhënë lejen pa e diskutuar gjatë. “Do vesh e do kualifikohesh”, i jepnin zemër miqtë e saj por, ajo ishte shumë pesimiste për këtë fakt. Megjithatë, kur i erdhi mesazhi i parë për audicionin ajo u emocionua shumë dhe audicion pas audicioni Bika ia doli mbanë. “Vlerësime për të nominuarit”

Adi dhe Bika diskutojnë për banorët që janë nominuar këtë javë. Ata janë të të njëjtit mendim se si Adelajda dhe Aida duhet të qëndrojnë brenda në shtëpi dhe se largimi do të diskutohet ndërmjet Agonit dhe Arjonit. Sipas Bikës, më shumë probabilitet që të largohet ka Agoni. Ajo e përcakton Arjonin si një lojtar të zgjuar e deri diku të sinqertë, por që po bën lojë e vazhdon të shtiret. “Më parë kam pasur një opinion të mirë për të – thotë ajo, – por nëse Arjoni do të luajë edhe unë do bëj lojën e tij”. Adi thotë se i duket sikur Arjoni po merr rolin e autorit të “Big Brother” dhe se ai duhet t‘i lërë gjërat të rrjedhin vetë. Bika vë në dukje gjithashtu se banorët ndryshojnë sjelljen e tyre kur janë në nominim dhe ajo merr rastin e Zhuljetës, e cila filloi të sillej mirë madje edhe t‘i puthte të gjithë gjatë asaj kohe, por për të, kjo nuk është e drejtë se nuk mund të fitohet respekti i të tjerëve më këtë lloj sjelljeje.

“Shaka dhe të vërteta”

Aida, Bika dhe Arjoni janë në kuzhinë duke përgatitur drekën. Ata shkëmbejnë batuta me njëri-tjetrin duke sjellë atmosferë të këndshme në shtëpi. Aida komenton me habi se Bika po qesh kurse ajo ia kthen se nuk është aq serioze sa duket. Arjoni pason habinë e Aidës duke thënë se mund të dalë ai këtë javë, përderisa po ndodhin çudi. Duke vazhduar shakatë mes tyre, Aida vë re dhe i thotë Arjonit se Bika ka filluar ta ketë xhan atë, sepse ka filluar të bëjë batuta me të, ndërsa me vetë Aidën kishte kohë që i bënte. Por Arjoni thotë se Bika e ka pasur xhan që ditën e parë dhe Aida nuk e ka kuptuar, kurse Bika i thotë se as ai nuk e ka kuptuar këtë gjë. Bika i tregon Arjonit se tani ka ndryshuar mendim për të dhe se do kenë kohë të flasin për këtë çështje. Arjoni i thotë se ka po të njëjtin mendim që ka pasur që në fillim për të, por jo antipati.

Feja më ndikon shumë!

Një bisedë gjatë turnit të radhës, mes Adelajdes dhe Bjordit, mbi ekzistencën ose jo të dinozaurëve, është kthyer në një diskutim të vërtetë mes tyre. Bjordi e pyet Adelën se çfarë mendon kur shkon në një muze dhe shikon kockat e një tiranosauri. “Unë dyshoj!” – ka thënë Adelajde. Bjordi shfaqi gjatë gjithë kohës habinë e tij sesi mund të dyshojë ajo në fakte shkencore apo të mos mendojë asgjë në lidhje me kockat e dinozaurëve. “Nuk po flasim për fenë, -i tha Bjordi, po flasim çfarë mendon ti kur sheh kockat e një dinozauri”. “Ku e di ti – ia ktheu Adela, – që ata nuk e groposur pak më parë atë kockën e pastaj kanë thirrur kamerat? Unë për vete dyshoj!” Ajo vazhdoi duke thënë se feja apo besimi që ajo ka ndikojnë shumë në mendimet e saj, prandaj i kërkoi Bjordit të mos i bënte më pyetje të tilla se ajo ishte e influencuar nga feja.

Lirita imiton Adelajden

Ndërsa Aida dhe Lirita ishin ulur jashtë duke folur, në sfond dëgjohej zëri i Adelajdes që diskutonte më Bjordin. Pasi ndaluan njëherë ta dëgjonin dhe qeshën me të madhe, Lirita bëri një imitim të saj kur fliste dhe tha që të “acaronte zorrët”. Më pas shtoi: “Kjo zysha është si kanarinë e prishur!”

“Bëjmë një udhëtim bashkë!”

Bjordi i ka thënë Adelajdes se ai dëshironte që ajo të jetonte jashtë Shqipërisë për pak kohë. Ai mendonte se ajo kishte nevojë për këtë dhe se mund t‘i bënte vërtet mirë. Adelajda ka thënë se dhe ajo e ka dëshiruar përherë për këtë gjë. “Bëjmë një udhëtim bashkë!”- i ka thënë Bjordi, duke premtuar se fillimisht do të qëndronin pak në Itali, pastaj do të shikonin Anglinë e më pas do ta çonte në Paris. “Po- i ka thënë Adelajda duke qeshur, – kur të më dalin dokumentet!”

Adelajda si Angeline Jolie

Gjithçka ka nisur me Bjordin që u ka treguar Adelajdes, Mimozës, Qetësorit dhe Ardjanit se i kishte rastisur të udhëtonte në avion me Cristina Del Basso, një prej konkurrenteve të Grande Fratello-s, në Itali. Atëherë Adelajda ka treguar se i kishin thënë që ngjasonte shumë me të dhe se asaj i ishte bërë qejfi. Sipas Qetësorit, është bukur t‘i ngjash ndonjë aktori edhe ai do ta kishte dashur këtë për veten. Ndërsa sipas mendimit të Bjordit, nisur nga tiparet e Adelajdes, syve, buzëve dhe hundës, Adelajda i ngjan Angeline Jolie. “Ma kanë thënë shumë!” – ka mbështetur ajo mendimin e Bjordit.

Bjordin e kam si vëlla!

Duket qartë se pyetja e Arbanës gjatë spektaklit në lidhje me Mimozën dhe Polin, konkurrentin e vjetshëm të “Big Brother”, ka ngjallur kureshtjen e të gjithë banorëve të shtëpisë. Po ashtu si të tjerët, edhe Adi, ka shfrytëzuar qëndrimin bashkë gjatë turnit, për ta pyetur Mimozën. Ajo i ka thënë atij të njëjtat gjëra që u ka thënë të gjithëve, pra që me Polin e lidhte veçse miqësia, që ishin njohur në internet e më pas ishin takuar në Kosovë e që ai ishte me të vërtetë një djalë i mirë. Atëherë Ardjani i ka thënë se këtu brenda ka kandidat edhe Bjordin, gjë të cilën ajo e ka hedhur poshtë duke thënë se e sheh dhe e konsideron atë, vetëm si vëlla. “Megjithatë, nuk e di si e mendon ai,- ka shtuar ajo, – por unë e kam si vëlla!”

Arjoni nuk më pëlqen më!

Adi i ka treguar Mimozës se Arjoni ka filluar të mos i pëlqejë më. Mimoza i ka thënë të njëjtën gjë. Ai ka vazhduar duke thënë se i ka bërë përshtypje fakti që ai bën si i ditur, madje përpiqet t‘i mësojë atij (Adit) gjëra që ky i di prej kohësh. Adi ka treguar gjithashtu se në fillim i pëlqente, ndërsa tani me këto “muhabetet” që bënte, kishte ndërruar mendim. Mimoza e ka aprovuar duke thënë se ai bënte shumë pyetje, donte të dinte edhe gjëra që s‘duhej apo që të tjerët nuk donin t‘i tregonin. Sipas Adit, Arjoni me pyetjet që bënte, kërkonte t‘i fuste të tjerët në grackë, këtë ia kishte thënë edhe atij dhe madje kishin debatuar. Adi dhe Mimoza kanë rënë dakord edhe në një pikë tjetër, në xhelozinë e Arjonit për Bjordin. “I vjen inat, – ka thënë Adi, -ngaqë të gjithë e duan Bjordin! Normal, është i çiltër!”

Agoni: “E prisja nominimin!”

Pyetjes së Zhuljetës sesi po e përjetonte nominimin, Agoni i është përgjigjur se po e përjetonte shumë keq. Ai ka thënë se megjithatë e kishte pritur një gjë të tillë, madje kishte qenë 80 për qind i bindur se kjo do t‘i ndodhte. Zhuljeta i ka thënë se përderisa e priste ta nominonin, s‘kishte pse ta përjetonte kaq keq. Sipas saj, në këtë rast ai duhet ta kishte më të lehtë. Agoni ka thënë se gjëja që e bënte të ndihej më keq, ishte fakti që ai e konsideronte shumë herët daljen e tij në nominim apo nga shtëpia e “Big Brother”.

Gazeta  Shqip

1