Mjekimi i sëmundjeve kronike me faktorë natyrorë në rrethin e Ulqinit

March 6, 2009   | Kulturë / Kultura

libri-i-prim-dr-gani-karamanagaNë punimin e vet, prim. Dr Gani Karamanaga merret me 7 faktorë natyrorë në rrethin e Ulqinit, të cilët mund të përmirësojnë shëndetin, ose edhe të shërojnë shumë sëmundje kronike. Këta janë uji i detit me ngrohtësinë e përshtatshme në kohën e verës, uji mineral sulfurik me temperaturë 140C, kripa e detit me përqen-drime të ndryshme, rëra e nxehtë me një radioaktivitet të lehtë, balta mjekuese me ndikim termik dhe kimik, kripa e butë e lëngshme prej kripores së Ulqinit, si dhe klima e butë bregdetare mediterane.
Pra, janë këta të gjithë faktorët që mundësojnë zhvillimin e një turizmi shëndetësor.
Në suaza të këtyre faktorëve, autori Karamanaga përmend edhe aktivitete të shumta rekreative. Sporti, notimi, shëtitja në bregdet nën pisha ose nëpër ullishtë, rrezatimi në diell, janë faktorë që e rrisin imunitetin e organizmit, mund të parandalojnë shfaqjen e sëmundjes, të përmirësojnë ose edhe të shërojnë sëmundjen, si dhe të shpejtojnë rehabilitimin e të sëmurit. Të gjithë këta faktorë natyrorë mund të shfrytëzohen gjatë krejt vitit.
Këta faktorë mund të jenë të dobishëm për mjekimin e sëmundjeve kronike gjinekologjike (posaçërisht steriliteti parësor dhe ai dytësor), për rehabilitimin mbas intervenimeve kirurgjike, për mjekimin dhe rehabilitimin e të sëmurëve të sistemit lokomotor, si edhe për disa sëmundje nervore dhe psikike, për mjekimin dhe rehabilitimin e disa sëmundjeve të lëkurës (duke përfshirë këtu edhe sindromën varikoze pa varra), për mjekimin e astmës dhe sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike, pastaj të organeve gastrointestinale dhe të gjëndrës tireoide.
Autori Karamanaga është marrë kohë të gjatë me mjekimin e astmës bronkiale dhe të sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike. Ai vërteton që mikroklima e trevës së Ulqinit paraqet një faktor shumë të rëndësishëm, ku gati gjatë krejt vitit mund të aplikohen faktorët natyrorë për mjekimin dhe parandalimin e këtyre sëmundjeve. Këtu posaçërisht ndihmon aerosoli, i pasur me ozon, oksigjen, jod, natriumklorid. Aerosoli krijohet gjatë shpartallimit të tallazeve nëpër shkëmbinj. Aktivitetet rekreative nuk i ndalohen të sëmurit. Astma dhe sporti mund të qëndrojnë së bashku.
Në bazën e të dhënave të autorit, lirisht mund të thuhet, që faktorët natyrorë të Ulqinit, si terapi plotësuese e asaj medikamentoze, e lehtësojnë dhe e përmirësojnë astmën bronkiale, si dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike.
Dhe në fund një porosi. Ideja e autorit për zhvillimin e turizmit shëndetësor në Ulqin duhet të përkrahet prej të gjithëve, e sidomos prej atyre në pozita vendimmarrëse.


Prof. Dr Simë Gjon Dobreci

Burimi / www.buzuku.cg.yu

1