Partitë shqiptare fitojnë katër deputetë

April 11, 2009   | Reportazh / Reportaža

shqiptaret-kater-deputete-ne-parlamentin-e-malit-te-ziPërkundër përçarjes dhe numrit të madh të listave zgjedhore të partive dhe koalicioneve shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 29 marsit
Pas përçarjes së disa partive shqiptare dhe numrit të madh të listave zgjedhore shqiptare për zgjedhjet parlamentare të 29 marsit (nga 16 lista, pesë ishin shqiptare), edhe optimistët më të mëdhenj nuk kishin besuar se shqiptarët do të arrinin të fitonin katër deputetë nga pesë sa zgjedhen nga vendvotimet ku jetojnë shqiptarët. Prandaj, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 29 marsit mund të duken befasuese dhe me fat për shqiptarët dhe partitë e tyre nacionale.
Në krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe përbërjen e mëparshme të Parlamentit, partitë nacionale shqiptare do të kenë katër deputetë, domethënë një deputet më shumë, ndërsa Koalicioni “Mali i Zi Europian” ka humbur një deputet që del nga zona me vendvotime shqiptare dhe në përbërjen e ardhshme të Parlamentit të Malit të Zi do të përfaqësohet me një deputet nga kjo zonë.
Përveç UDSH-së dhe LD në MZ, gjegjësisht Listës Shqiptare, në Parlamentin e Malit të Zi do të kenë deputetin e e vet për herë të parë Forca e Re Demokratike dhe Koalicioni Shqiptar “Perspektiva”.
Në këtë mënyrë, partitë shqiptare pas shumë vitesh arrijnë që sërish të jenë të përfaqësuar me katër deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.

Fitore bindëse e Koalicionit “Mali i Zi Europian”

Ashtu siç pritej, Koalicioni “Mali i Zi Europian” – Millo Gjukanoviq, i përbërë nga Partia Demokratike Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Boshnjake dhe Iniciativa Qytetare Kroate ka fituar 168 290 vota duke siguruar 48 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.
Në vendin e dytë, në bazë të numrit të votave është renditur Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi me 54 545 vota dhe 16 deputetë, Demokracia e Re Serbe – Andrija Mandiq 29 885 vota, me tetë deputetë dhe Lëvizja për Ndryshime – Mundemi – Nebojsha Medojeviq 19,546 vota dhe pesë deputetë.
Komisioni Zgjedhjeve Shtetëror ka njoftuar se sipas rezultateve paraprake nga 498.305 votues të regjistruar kanë votuar gjithsej 329.818 votues.

UDSH – partia më e fortë shqiptare në Mal të Zi

Rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar se Unioni Demokratik i Shqiptarëve është partia më e fortë shqiptare në Mal të Zi. Kjo parti ka fituar 4 747 vota. Në vend të dytë për nga numri i votave është renditur Forca e Re Demokratike me 2 939 vota, Lista Shqiptare e përbërë nga LD në MZ dhe Alternativa Shqiptare me 2 898 vota dhe Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” me 2 619 vota. Megjithatë PDS ka arritur të marrë sërish më tepër vota në vendvotimet ku gravitojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Në Parlament pritet që shqiptarët t’i përfaqësojnë sërish deputetët Mehmet Bardhi, kryetar i LD në MZ, Ferhat Dinosha nga UDSH, Vasel Sinishtaj nga Koalicioni Shqiptar “Perspektiva”, i cili më parë ka përfaqësuar Alternativën Shqiptare (në bazë të marrëveshjes politike parashikohet që dy vitet e para deputet i këtij koalicioni do të jetë Vasel Sinishtaj, kurse dy vitet e tjera Amir Hollaj) dhe Luigj Shkrela nga PDS.
Deputeti i vetëm i ri shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi për momentin do të jetë Genci Nimanbegu nga Forca e Re Demokratike.

Fati u buzëqesh shqiptarëve

Rezultati i përgjithshëm i arritur nga partitë dhe listat shqiptare është cilësuar si sukses, por nga vetë përfaqësuesit kjo është cilësuar më tepër fat e tyre duke qenë se katër nga pesë listat garuese kanë arritur të hyjnë në Parlamentin e Malit të Zi, ndërsa vetëm Partia e Prosperitetit Demokratik ka mbetur jashtë Parlamentit.
Nënkryetari i UDSH-së, Met Zenka, ka thënë se rezultatet dhe katër mandatet e fituara nga partitë shqiptare nuk kanë qenë të pritura.
“Me paraqitjen e numrit të madh të partive shqiptare, është pritur humbja dhe shkapërderdhja e votave. Për fat të mirë, mandatet u ndanë me shumicë ndër subjektet shqiptare”, ka thënë ai.
Edhe për deputetin e Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, Vasel Sinishtaj, shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me mandatet e fituara të deputetëve.
“Në përgjithësi shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, por jo edhe me numrin e listave zgjedhore shqiptare”, ka thënë ai.
Deputeti i PDS-së, Luigj Shkrela, e çmon si afirmativ faktin që partitë shqiptare kanë fituar katër deputetë.
„E çmoj si afirmativ faktin që partitë nacionale shqiptare participojnë me katër mandate në Parlamentin e Malit të Zi që është e para herë që prej kur është përfshirë në sistemin zgjedhor i ashtuaquajturi diskriminim pozitiv apo aksion afirmativ“, thotë ai.
Edhe Ali Rexha, bartës i listës për deputetë të Partisë së Prosperitetit Demokratik, e vetmja parti shqiptare që nuk ka arritur të fitojë deputetin, ka shprehur kënaqësi që subjektet shqiptare kanë arritur të sigurojnë katër deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.
“Urojmë qe me dijnitet dhe sukses të përfaqësojnë interesat e të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Të gjitha partitë dhe subjektet shqiptare që kanë arritur të sigurojnë deputetin kanë shprehur kënaqësi për rezultatin e arritur.
“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve kanë treguar se optimizmi i UDSH-së ka qenë me arsye të plotë. UDSH ka treguar dhe dëshmuar se jemi partia më e fortë shqiptare në Mal të Zi. Po ashtu sukses të madh ka arritur në Komunën e Ulqinit, ku jemi subjekti më i fortë politik. E gjithë kjo është paralajmëruar edhe në fushatën tonë parazgjedhore, sepse gjithë fushatën kemi deklaruar dhe e kemi përqendruar në fitimin e deputetit të dytë. Mirëpo për shkak të disa rrethanave objektive dhe subjektive, për një numër shumë të vogël votash, rreth 200 sosh, nuk arritëm që të marrim deputetin e dytë”, thotë Met Zenka, nënkryetar i UDSH-së.
Ai ka shprehur dyshime për rezultatin e disa subjekteve të tjera shqiptare, pa përcaktuar se për kë e ka fjalën.
“UDSH shpreh disa dyshime të cilat me arritjen e rezultateve përfundimtare do të deklarohen sepse janë të dyshimta një numër votash që vijnë nga disa treva ku nuk gravitojnë shqiptarët”, thotë nënkryetari i UDSH-së.
Deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka vlerësuar poyitivisht rezultatin e arritur nga kjo parti.
“Angazhimi i të gjithëve ka ndikuar që rezultati ynë të jetë mbi 40 për qind më i mirë se në vitin 2006. Ky rezultat na inkurajon edhe më tepër për shkak të faktit se gjithë kohën vepruam si opozitë”, ka thënë ai.
Nimanbegu e ka cilësuar këtë rezultat si fitore të kësaj partie politike.
“Kjo fitore ka vlerë shumë të madhe sepse Forca është prezente në të gjitha trevat shqiptare, si në Ulqin, Anë të Malit, Krajë, Malësi, Plavë e Guci dhe në Rozhajë. Sa i përket skenës politike shqiptare në Mal të Zi, ajo ndryshoi vetëm me Forcën”, ka thënë ai.
Deputeti i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, Vasel Sinishtaj, e ka vlerësuar mjaft të suksesshëm rezultatin e arritur nga kjo listë.
“Ne jemi të kënaqur pasi që kemi siguruar mandatin e një deputeti”, ka thënë ai.
Deputeti i PDS-së, Luigj Shkrela, ka shprehur kënaqësi për rezultatin e arritur në nivel vendor nga Koalicioni “Mali i Zi Europian”, por jo edhe në zonën e veçantë ku votojnë shqiptarët. Megjithatë, sipas tij, PDS ka arritur të fitojë numrin më të madh të votave edhe në këtë njësi zgjedhore ku garojnë partitë shqiptare.
“Sa i përket njësisë së veçantë zgjedhore ku garojnë shqiptarët, PDS ka fituar numrin më të madh të votave, por nuk ka arritur rezultatin e zgjedhjeve të tjera. Ndërsa sa i përket rezultateve të PDS-së në Ulqin çmoj numrin e votave si real duke marrë parasysh konkurrencën e shtuar dhe fushatën agresive parazgjedhore të disa subjekteve nacionale ndaj elektoratit tonë“, ka thënë ai.
„Votat tona janë vota të sigurta, të pastra, të njerëzishme, të kthjellta si loti, pa lodra, pa dajre, pa ikonografi të së kaluarës, pa folklor dhe patriotizëm të dyshimtë, pa marketing të nivelit europian, pa të gjithë atë që mund të jetë diskutabil për rrjedhën apo zhvillimin e procesit parazgjedhor“, ka shtuar Shkrela.
Bartësi i listës zgjedhore të PPD-së, Ali Rexha, ka thënë se pavarësisht se kjo parti nuk ka arritur të sigurojë mandatin e deputetit, ka arritur të faktorizohet si subjekt politik.
“Si edhe në dy mandatet e mëparshme, ne kemi qenë të gatshëm të anashkalojmë interesat tona partiake për hirë të interesave të përgjithshme shqiptare. Andaj, deri në momentin e fundit kemi qenë të hapur për bashkëpunim me subjektet shqiptare. Mirëpo, pos dështimit të bisedimeve me UDSH-në për shkaqe tanimë të njohura dhe në mungesë të interesit nga partitë apo grupimet e tjera shqiptare, në momentet e fundit u detyruam të dalim vetë në zgjedhje për të ruajtur dhe faktorizuar subjektin tonë politik, gjë që arritëm ta realizojmë edhe atë në mënyrë shumë të sofistikuar d.m.th. në ato përmasa ku nuk kemi vënë në rrezik interesat e përgjithshme shqiptare”, thotë ai.
Përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe deputetët e tyre janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë me njëri tjetrin me qëllim të realizimit të kërkesave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Nënkryetari i UDSH-së, Met Zenka, thotë se kjo parti qëndron pas deklaratave të veta drejtuar subjekteve të tjera politike shqiptare duke u ofruar bashkëpunim partive të tjera shqiptare për arritjen dhe realizimin e aspiratave të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Tani me arsye presim prej subjekteve të tjera politike shqiptare që t’i bashkojmë kërkesat tona në ato sfera ku nuk kemi kundërshtime apo kemi kërkesa të njëjta. Pra, të bashkohemi rreth kërkesave thelbësore apo esenciale për shqiptarët në Mal të Zi”, thotë ai.
Deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, shpreh gatishmëri për bashkëpunim me forcat e tjera politike dhe deputetët e tjerë shqiptarë.
“Përsëri shprehim gatishmëri për bashkëpunim me të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi”, ka thënë ai.
„Presim që të kemi qëndrime dhe vlerësime të njëjta dhe në këtë mënyrë të arrihet marrëveshje për formimin e grupit parlamentar të partive shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi“, ka thënë deputeti i Koalicionit Shqiptar „Perspektiva“, Vasel Sinishtaj.
Edhe PPD ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim.
“Partia e Prosperitetit Demokratik ka qenë dhe do të mbetet përherë e hapur për bashkëpunim
në proceset integruese që na presin”, ka thënë ai.

I.Kallaba
Koha Javore