KOHA JAVORE për shqiptarët është shumë më tepër se POBJEDA për malazezët!

April 12, 2009   | Shoqëria / Društvo

koha-javore_bardhiKOHËN JAVORE  s’guxon askush ta shuajë!
Reagim
Mehmet Bardhi

Kur këto ditë, pikërisht më 4 prill 2009,  e gjithë bota shqiptare  po feston anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Veri-Atlantikut, nga redaksia e të vetmës gazetë në gjuhën shqipe në MZ, KOHA JAVORE, nga redaktori i saj përgjegjës z. Ali Salaj, morëm lajmin se qeverisja malazeze (për të satën herë me radhë në kësi rastesh) po na përgatitë përsëri një befasi  “të këndshme”, shuarjen e të vetmës gazetë në gjuhën shqipe  KOHËS JAVORE!?
“Si  pasojë e dështimit të tenderit për privatizim të SHAGBG “Pobjeda” dhe për shkak të krizës financiare me të cilën po ballafaqohet kjo kompani, në bazë të propozimeve të dala nga Qeveria e Malit të Zi (Ministria për Financa)  mbi masat e kursimit dhe racionalizimit,  ndërpriten ose reduktohen botimet suplemente  (disa shtojca  dhe revista “Porodicni magazin”). Ky reduktim e përfshiu edhe gazetën e vetme në gjuhën shqipe “Koha javore”, e cila në të ardhmën do të botohen një herë në javë në formë shtojce prej 4 faqesh në të përditshmën “Pobjeda”…”, thuhet në shkresë.
Lajmi është i qartë Qeveria – Ministria e Finansave  “kursimin e racionalizimin” në këtë krizë finasiare (vallë a vetëm finasiare!?) planifikon ta fillojë e ta bëjë me shqiptarët, me të vetmën javore në gjuhën shqipe!? Ky është vendimi i  atyre që sa herë që e do puna për interesa e poena politikë, para faktorit ndërkombëtar përsërisin përmendësh “ se Mali i Zi është shembull i harmonisë multietnike…”. Vallë kështu na qenka “harmonia multietnike…” duke planifikuar reduktimin e privimin e të drejtës themelore – të drejtën e informimit në gjuhën amtare shqipe, po çka që ky veprim do të jetë në kundërshtim edhe me dispozitat e Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave po edhe me Kushtetutën e Malit të Zi, madje ashtu të cunguara e diskriminuese, kur është fjala të te drejtat e pakicave!?
Lidhja Demokratike dhe unë si kryetar e deputet i saj dhe deputet i ardhshëm i LISTËS SHQIPTARE, kundërshtojmë me forcë këtë planifikim ugurzi të mbylljes së gojës së të vetmës gazetë në gjuhën shqipe.
Vallë, athua gjithmonë ne shqiptarët duhet të jemi fajtorë e humbësit kujdestarë kur është fjala ”për të mirën e përgjithshme të Malit të Zi!?”
Jo zonja e zotërinj pushtetarë. Kjo kësaj radhe nuk guxon të ndodhë. KOHA JAVORE nuk guxon të shuhet as të reduktohet e të bëhet nënfletë e POBJEDËS.  Dalja e saj në dritë me vendim të Kuvendit të MZ, me pjesëmarrje e me një pajtim të plotë të pozitës dhe opozitës parlamentare, pas kërkesës këmbëngulëse të LD-së e timin si deputet, ndihmësekretarit për informata të MZ-së, z. Nikollë Camaj, e pëlqimit, pjesëmarrjes dhe përkrahjes së plotë të sekretarit D. Jarediq e kryetarit të parlamentit S. Maroviq, më 20 qershor 1999, është një e drejtë e arritur, që pushteti në emër të asnjë shkaku as arsyeje  nuk mund ta vëjë në pikëpyetje jetën e saj.
Prandaj Lidhja Demokratike në Mal të Zi  dhe unë si deputet do të vemë në dispozicion gjithë qenjën e dijen tonë, ashtu siç e vumë për ta formuar, tash  mos ta lejojmë që ta shuajnë.
Ftoj opinionin demokratik e përparimtar, subjektet politike e të tjerë organizma që kultivojnë demokracinë që ta ngrisin zërin kundër këtij plani asimilues.
Ulqin, më 07 prill 2009

MALESIA.ORG