Juna, vajza e Virgjil Kules banorja më e re e Big Brother Albania 2

April 13, 2009   | Big Brother 2 Albania - Thashetheme

junida-me-miqte-big-brother-albania-2Flasin miqtë: “Një tip pa komplekse si Juna i duhej asaj shtëpie”.  

Meqë ka shumë vite në Gjermani menduam që të pyesim miqtë e saj për të mësuar më shumë për Junën, banoren e re të “Big Brother”. Ja çfarë na tregojnë Jonida, Ermiri dhe Gloria…

Si mendoni. a ishte një ide e mirë pjesmarrja e mikes tuaj, Junës në “Big Brother”?

Sigurisht që u gëzuam për lajmin dhe e mbështesim pjesmarrjen e saj në “Big Brother” , normalisht dhe një rezultat pozitiv do të na gëzonte shumë.

Sa e pengon fakti se ajo nuk ka shumë kohë për të treguar nga vetja pasi kanë mbetur shumë pak javë “Big Brother”?

Juna është njeri optimist që di të tregojë aftësitë e veta qoftë edhe brenda kësaj kohe të shkurtër që i ka mbetur. Nuk besoj se Junën do e pengojë ky fakt për të treguar cilësitë e saj pozitive. Ndoshta shumë mendojnë që kjo mund të jetë një disavantazh kundrejt banorëve të vjetër, por s’duhet të harrojmë që ata dhe mund të jenë lodhur e konsumuar pak për publikun, ndërsa banorët e rinj, në mes tyre dhe Juna ngjallin interes te shikuesit.

 Çfarë të reje do sjellë Juna në atë ambient

? Juna është një vajzë e pjekur nga jeta dhe e çiltër. Eksperienca e një jete të pavarur prej 12 vjetësh në Gjermani e ka mësuar të jetë tepër e zonja në relata me njerëz të ndryshëm. Juna ka veti të gjallërojë ambientet e plogështa me karakterin e saj të fortë, të qeshur dhe tepër tolerant. Besoj se për banorët e vjetër ajo do jetë një sfiduese e fortë, një shoqe e mirë.

Me aq sa ç’e keni ndjekur “Big Brother”, a mendoni se një konkurente si Juna mungonte aty?

 Sigurisht mungonte karakteri i fortë i Junës, e qeshura e saj karakteristike dhe horizonti saj i madh, përderisa banorët e tjerë s’duken aq të rrahur nga jeta, qoftë nga mosha apo nga mënyra e jetesës që mund të kenë bërë.

Juna duket se është përshtatur shumë shpejt, po në jetën e përditshme sa lehtë apo vështirë i krijon ajo miqësitë?

 Siç përmendëm më sipër, Juna është tip i çiltër dhe i hapur që s’e ka problem të krijojë miqësi. Vetë jeta dhe puna apo ambientet që ajo frekuenton, i kanë dhënë mundësitë të dijë të zgjedhë si dhe të përshtatet shpejt me natyra të ndryshme, duke mos dalur kurrë nga karakteri saj. Juna është tip që përshtatet me të gjithë, sa do janë apo s’janë tipi i saj perfekt.

junida-ne-party-big-brother-albania-2

 Na thoni disa cilësi të Junës që ju si miq ia njihni, edhe defektet natyrisht?

. Juna është e dashur, moderne, e qeshur, optimiste, autentike, e pjekur, indipendente, e dedikuar pas gjërave dhe personave që do. Juna është një shoqe e ngushtë siç mund ta dëshirojë çdokush dhe që s’të lë kurrë në baltë. Ajo i gëzohet jetës dhe gjërave të bukura por nganjëherë s’e ngre telefonin ngaqë është shumë e zënë (ky një defekt i vockël )

A mendoni se mund të krijojë ndonjë lidhje brenda shtëpisë së “Big Brother”?

 Nuk mendoj që në një kohë kaq të shkurtër, Juna do krijonte një lidhje. Mund të ndodhë që të ketë tërheqje përkundrejt një banori më shumë se ndaj të tjerëve, por jo lidhje. Por le t’ia lëmë asaj në dorë, ajo është një tip i lirë dhe në të shumtën e rasteve vepron ashtu siç e ndjen.

Cili nga djemtë aty brenda mund të ishte tipi i përshtatshëm për Junën?

 Vështirë të jap përgjigje, s’di ta them. Juna ka shumë tipa që i përshtaten, dhe të gjithë meshkujt në shtëpi kanë pak nga të gjitha ato që do donte Juna te një mashkull mbase.

Çfarë mendon Juna për meshkujt dhe a ka bërë ajo ndonjëherë krahasime të meshkujve të huaj me ata shqiptarë dhe ku qëndron ndryshimi sipas saj?

 Juna e shijon lirinë dhe jetën e saj, rëndësi ka personi dhe jo origjina. Ajo është një femër e fortë që ka nevojë për një mashkull të fortë dhe të suksesshëm, i cili e kompleton dhe e sfidon njëkohësisht natyrën e saj.

 Çfarë të kaluare ka Juna pasi ka thënë se ka punuar si modele, ndërkohë di të luajë bukur në piano, çfarë tjetër ka bërë ajo në jetë?

 Juna vazhdon studimet për letërsi dhe linguistikë, ndërkohë që puna si modele është vetëm njëra nga shumë profesione të cilat ka zotëruar, si për shembull menaxhere e një lokali, apo e një Boutique me Haute Couture. Në të shumtën e rasteve është marrë me Promotion në sfera të ndryshme si psh promovuese e Lufthansës në aeroportin e Köln/Bonn. Po ashtu herë pas here i ka pas rënë pianos këtu në Gjermani për një audiencë të zgjedhur. Ka punuar edhe për një periudhë kohe dhe tek Europcar. Mendoj se Juna me tipin që ka mund të bëjë shumë punë, mjafton që t’i sjellin kënaqësi.

junida-me-miqte-big-brother-albania-2Ku i kaloni fundjavat?

 Fundjavat i kalojmë shpesh me shoqërinë këtu tek një live music bar në Köln, të cilin e frekuentojmë me shumë qejf për arsye të ambientit dhe cilësisë së tij, por edhe klube apo restorante të Kölnit. Natyrisht duke qenë shumë afër dhe me shtete të tjera si psh Hollanda apo Belgjika, organizojmë dhe me studentë të tjerë shqiptarë fundjava jashtë Gjermanisë. Junës i pëlqen të udhëtojë dhe këtë e bën shpesh, por në kohën që ajo nuk udhëton, në të shumtën e rasteve ajo ndodhet mes shoqërisë së saj duke kërcyer apo duke biseduar në një ambjent të qetë.

A do kthehet Juna në Shqipëri përgjithmonë dhe nëse po, me çfarë do të merret?

 Ajo është shumë e zënë me projekte internacionale momentalisht dhe nuk di nëse ka menduar të kthehet në vitet e ardhshme, por asnjë sfidë s’do të ishte e paarritshme për të, pra le ta ndjekim. Ndoshta Big Brotheri dhe ajo që e pret pas tij mund të ishte diçka interesante për të menduar ndoshta më shpejt kthimin në Shqipëri.

Cilët janë banorët më të fortë sipas jush aty brenda?

Juna dhe Ari nga të rinjtë, si dhe Qetësori, Adi, Arjoni dhe Bjordi nga të vjetrit. Të tjerët duken paksa të humbur në lojë dhe jo tepër interesantë si karakter 

REDONA SADIKU

1