Nusja e Qetsorit : S’jam xheloze, ia njoh shijet

nusja-e-qetsorit-big-brother-albania-2

Liljana është 29 vjeç. Dje, pra më 1 maj, ishte datëlindja e saj. Punon kontrollore në paraburgimin e Vlorës. Të birit dy vjeç, i kanë vendosur emrin e babait të Qetësorit (që nuk jeton më), ndërsa pret një vajzë dhe është në muajin e katërt të shtatzënisë.

Në paraburgimin e Vlorës, sapo pyet përmes portës prej hekuri për të, e identifikojnë menjëherë, duke përdorur emrin e Qetësorit. “Ah, kërkoni të shoqen e Qetësorit? Por, a do të fitojë ai? Pyetja kthehet nëdebat ndërmjet bluve roje, ndërsa na ndihmojnë për një numër kontakti.
Liljana na lë takim pasdite në një nga baret e qytetit, ndërsa shoqëruesi me sy bojëqielli, i veshur tërësisht me xhins, është djali dy vjeç. Merko, ose si i thërrasin shkurt, Eri. Ajo që spikat në fillimin e bisedës, është se Liljana jeton ende me emocionet e takimit me të shoqin në shtëpinë e BB-së, kur i ka treguar për vajzën e tyre që, për pak muaj, do të vijë në jetë. Sot dita përkon me datëlindjen e saj dhe si për të ndarë këto momente me të shoqin, pranon menjëherë që biseda të lakohet rreth tij.

Çfarë ju bën më tepër pështypje këto javë drejt fundit të “Big Brother”-it? 
Ndoshta Qetësori është bërë më i ndjeshëm, pasi me çunin ka një lidhje të veçantë. Më i tërhequr ndaj ngacmimeve që ka patur në fillim, por gjithsesi, alegrinë dhe humorin nuk e ka ndarë në asnjë moment.

Do të veçoje ndonjë episod? 
Normalisht tani po vjen finalja dhe secili po tregon më tepër vlerat e veta. Duan të hyjnë në debate, por Sori këto i ka pasur që në fillim. Ndoshta të tjerët tani kanë nisur të aktivizohen më shumë. Siç e ka thënë dhe Sori, e ka filluar shpejtësinë e maratonës me 20 km në orë. Pra, është siç ka qenë dhe në fillim, ndërsa të tjerët po nxjerrin gjëra të tjera. Po të shikosh, p.sh., Adin, ai në fillim ka qenë më i qetë, ndërsa tani duket më luftarak, më ngacmues.

Përsa i përket nominimit Adi-Qetësor, çfarë mund të na thuash?
Thjesht një çështje “inati” pse u thye një pakt. Ndoshta tani po i bëhen në të njëjtën mënyrë. Këtë herë ishte Lirita. Të paktën, te nominimet që bën Sori, më duken me bazë, ka dhe argumente për to, ndërsa nominimet që i bëjnë Qetësorit, në njëfarë mënyre, i ngrenë dhe vlerat. E cilësojnë kandidat të fortë.
Sori me Adin nuk kanë asgjë personale. Madje ia ka thënë këtë. Edhe përsa u përket nominimeve,Adi e ka nominuar shumë më tepër. Ndoshta e shikon me frikë…

Sori ndihet apo jo vetëm, tani që është pa aleatë? 
Absolutisht jo! Sori është si më parë. Asnjëherë nuk trembet nga të tillë faktorë. Është folur pak nga banorët kjo, por nuk është aspak e vërtetë. Sori nuk është tipi që do të ndihej vetëm.

Çfarë do t’i veçonit Sorit nga banorët e tjerë? 
I kap mirë situatat, është studiues i të tëra gjërave, inteligjent, studion goxha mirë situatat, ngjarjet, nuk i shpëton gjë. Çdo gjë e bën të mirëllogaritur, në vendimet që merr është i prerë, i saktë. Nuk ka frikë nga opinioni i të tjerëve. Të paktën, me syrin tim, kam vërejtur se të tjerët kanë frikë nga debatet, mundohen të sillen mirë, ndërsa Sori nuk ka frikë nga debati.

Sa ndihet mungesa e Sorit në familje? 
Dita bëhet monotone. Çdo gjë e qetë, ndërsa me Sorin ke të papritura në çdo minutë. E para, Sorika shumë ide. Çdo ditë do të të japë ndonjë ide të re. I pëlqen ndryshimet. Nuk kanë munguar as propozimet për plane të pritshme për jetën tonë (për të cilat ajo nuk jep detaje). Ai do të eksplorojë, do një familje të madhe. Po ta krahasosh me tipin tim, jemi pak të ndryshëm në këtë. Unë jam e qetë, dua një jetë të mbyllur, Sori do shumë më tepër. Adhuron shumë natyrën, adhuron gjërat e bëra me dorë. Shtëpinë e do larg zhurmave të qytetit. Madje ka ideuar dhe skicat si do e kemi në të ardhmen.

Thonë se “dashuria kalon nëpërmjet stomakut”. Vlen shprehja, kur Sori di të gatuajë mirë? 
Ajo që më duhet të evidentoj, duke e lënë paksa mënjanë shprehjen, është ndryshimi. Unë dua shumë gjëra ndonjëherë për të gatuar diçka, ai ia arrin dhe me pak gjëra. Kur kemi datëlindje, fejesa, gjëra të tilla, është Sori që kujdeset. Në ditë të zakonshme, ndodh që gatuaj unë, pasi Sorit i duhet të merret me punë. Por duhet ta pranoj, Sori gatuan shumë më mirë.

Mund ta përdor shprehjen “dashuri” në njohjen tuaj? 
Njohja? Mund ta quaj histori paksa të çuditshme. Atëherë isha studente dhe po kaloja me shoqet para universitetit. Ai ishte me kushërirën e vet. Nuk e kisha parë asnjëherë. As ai mua. Përnjëherësh tha: “Me këtë vajzën dua të martohem”. Unë nuk e ktheva as kokën. Mendova siç e kanë çunat që duan të tërheqin vëmendjen. Rastësia e solli që vajza e dajës së Sorit të ishte në një klasë me mua. Ajo pruri një foto të një dasme. Aty kishte shumë njerëz, por mua më vajtën sytë te Sori. “Po ky çuni? Është djali i hallës sime, – vjen përgjigja. – Sa simpatik, – i thashë dhe ndoshta këtu nisi pika e lidhjes. Unë isha paksa e ndrojtur, por më doli instinktive shprehja. Sori në këtë kohë ishte student në Itali, vazhdonte vitin e dytë për filozofi dhe vinte kur kishte pushime. U prezantuam. Përshtypja e parë për Sorin nuk ishte kushedi se çfarë. Ai kishte një vëth në vesh, një shenjë në ballë, dhe as ma mbushi syrin, dukej shumë i egër. Por ishte alegro, djalë i shkathët, pa emocione. Unë emocione kisha, të them të drejtën. Përshtypja e parë shpejt u shua dhe u lidhëm. Pas 6 muajsh u fejuam. Ndenjëm dy vjet fejuar dhe pastaj u martuam.

Jeni ndier ndonjëherë xheloze në ditët kur Qetësori është brenda shtëpisë? 
Xheloze? Jo fare. Di që është besnik. E njoh mirë, por njoh pak a shumë dhe shijet e tij. Nuk ka asnjë shkas deri tani të ndihem xheloze. As në jetën e përditshme nuk ndihem xheloze. Është një tip i sinqertë. Për atë që ka, ma thotë. Megjithatë, ai ka krijuar relata të vërteta miqësie me të gjithë, madje edhe me gocat. Një familjar i vërtetë. Ndoshta po të ishte ndonjë nga vajzat provokuese, ndoshta…, por nuk e them dot në këto kushte, kur gocat aty janë goxha të mira.

Për ju u përdor një shprehje, që indinjoi nënën e Qetësorit…
Ishte një shprehje jashtëzakonisht shumë e ulët, që nuk përdoret për asnjë. S’e prisja nga Eltoni që mbahej si intelektual. Normal që më preku pak si shprehje. Edhe atë vetë, nëna e vet e ka bërë. Pa përdorur shprehjen e tij… Ndoshta edhe publiku e vlerësoi….

Javët e fundit si po përjetohen? 
Padyshim që e përjetojmë çdo moment të tij. Kemi emocione. Fitorja është gjë e madhe, por do doja që Qetësori të mos ndryshonte asgjë. Është shumë mirë kështu si po ecën.
Shumë i ndjekur është edhe aty ku punoj, në paraburgimin e Vlorës. Edhe familjarët e të burgosurve që vijnë të takojnë të afërmit, nuk harrojnë të bëjnë komente për të. Nëse vlerësohet sinqeriteti, loja e pastër, them se duhet të fitojë.

Diçka për banorët e tjerë… 
Adelajda me Bjordin… lidhja e tyre qe disi e sforcuar nga ana e Adelajdës dhe u rrit paksa si lidhje për çmimin final. Gjithsesi, duhet të ketë një ndjenjë.
Bjordi, i vogël, por goxha i zgjuar.
Adelajda, sado që është mësuese, por prapë në botën e saj ndikohet nga mentaliteti.
Po ta shikosh atë, Bjordi e ka ndihmuar dhe plotësuar goxha. Mendoj se pa të, Adelajda do kishte dalë nga shtëpia.

Adi thotë që loz drejt, por mendoj se luan paksa pas shpine.

Anjeza, gocë simpatike, e qetë, pa komplekse. Shkonte me Arjonin, do më pëlqente t’i shikoja bashkë ende. E shoh një vajzë të thjeshtë e pa komplekse. Pozitive.

Moza, habitem shumë që po reziston akoma, pasi nuk është aktive, as në debat, as në shtëpi. Pasqyron vetëm një femër të bukur, por pasive.

Juna, u shfaq person me shumë vlera, e fortë, me kulturë dhe u mendua se ç’do bënte. Tani e shikoj jo si një rivale për Sorin.

Arjani, inteligjent, me eksperiencë jete. Ka lexuar shumë. Është rival në inteligjencë, por i mungon humori. Kjo e fundit e bën Sorin, ndoshta dhe të dallueshëm nga të tjerët.

Gazeta Shekulli

4