Dështoi tentativa e shuarjes së “Kohës Javore”

May 4, 2009   | Shoqëria / Društvo

ali-salaj-redaktor-koha-javoreVetëm presioni jep rezultat
Atë që nuk u arrit përmes zgjedhjeve dhe tenderëve të panumërt në Ulqin, ia arriti pushteti malazias: të gjitha partitë nacionale shqiptare u bashkuan në qendrimin se duhet të ruhet e drejta e daljes së të vetmes të përjavshme në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Udhëheqja e Shoqërisë Aksionare Gazetare, Botuese dhe Grafike “Pobjeda” në fillim të këtij muaji vendosi që për shkak të krizës ekonomike me të cilën po përballet kjo kompani, e në bazë të propozimit të Qeverisë malazeze, respektivisht të Ministrisë së Financave mbi kurisimin dhe racionalizimin, të shuhen apo të reduktohen botimet e veçanta (disa shtojca dhe revista, “Porodiçni Magazin”). Në këtë ndërmarrje me shumicë të kapitalit shtetëror, kishin planifikuar që e përjavshmja në gjuhën shqipe “Koha Javore” në të ardhmen të dalë një herë në javë me vetëm katër faqe, si shtojcë e botimeve të përditshme të gazetës “Pobjeda”.
ALARMI: Ky ishte alarm për redaktorin përgjegjës të “Kohës Javore” Ali Salaj që me këtë skenar t’i njoftojë partitë politike shqiptare, Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi.
“Ju bëj thirrje që të reagoni në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me parimet në mbrojtjen e së drejtës themelore të shqiptarëve në Mal të Zi, siç është e drejta e informimit në gjuhën amtare, që është garantuar me Kushtetutë dhe me Ligjin mbi të drejtat e pakicave kombëtare”, thuhet në letrën e Salajt të datës 4 prill dhe shtohet se është fjala për një “vendim të ndjeshëm i cili do të reflektohet negativisht në informimin e shqiptarëve në Mal të Zi”.
Hapi i parë u ndërmor nga vetë redaksia. Anëtarët e saj refuzuan propozimin që “Koha Javore” të dalë para lexuesve më 16 prill si shtojcë e “Pobjedës”.
Reaksionet e partive shqiptare nuk munguan dhe ato do të mund të përmbledheshin në dy fjali: “Mali i Zi në këtë mënyrë nuk mund të hyjë në Europë. Ky është diskriminim”.
Pastaj u rikthyen kujtesat. Me të njëjtin preteks (“nuk ka para”) u shua revista “Koha”, e cila doli nga vitet 1979 deri më 1990 dhe shtojca në gjuhën shqipe në “Polis”.
Faktin se ndoshta është fjala për ndonjë skenar e dëshmon edhe vendimi i paradokohshëm i Televizionit të Malit të Zi që edhe emisioni i tij i përjavshëm njëorësh “Mozaiku 60” të mos quhet më kështu. Pasi që u shkurtua për një të tretën, ju ndërrua edhe emërtimi dhe quhet “Mozaik”.
Reaguan edhe organizatat joqeveritare shqiptare dhe intelektualët e pavarur, diaspora nga SHBA-ja, diplomatët e huaj. Të gjithë ishin të befasuar me mënyrën sipas të cilës Mali i Zi i cili, siç preferojnë të deklarojnë krerët e tij, është “oazë e demokracisë multietnike në Ballkanin Perëndimor”, tenton të reduktojë dhe të shuajë të vetmen të përjavshme në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Qytetarët e Ulqinit deklaruan në një anketë se ata janë më të zellshmit në pagimin e tatimit dhe se me Kushtetutë është përcaktuar detyrimi që të financohet informimi në gjuhët e pakicave.
Zyrtarët malazezë u gjetën të befasuar. “Ne nuk dimë asgjë për këtë. Do ta zgjidhim problemin”, ishte komenti i tyre i vetëm.
Redaksia e “Kohës Javore” pastaj u njoftua përmes telefonit nga udhëheqja e “Pobjedës” se çdo gjë do të shkojë si përpara.
“Nuk ka arsye për dramatizim”, na thonin.
Epilogu i këtij episodi të trishtë tashmë është i njohur: pas dy javësh “Koha Javore” përsëri u gjend në kiosqe.
Kësisoji dështoi tentativa që, nën pretekstin e dështimit të tenderit dhe të krizës ekonomike, të shuhet e vetmja e përjavshme në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
FINANCIMI: Redaktori përgjegjës i “Koha Javore” Ali Salaj thotë për “Monitor” se për këtë rast nuk duhet fajësuar udhëheqja e “Pobjedës”. “Përgjegjësinë më të madhe e mban Parlamenti i shtetit, i cili është themelues i kësaj gazete. “Pobjeda” nuk është e detyruar që të na financojë. Këtë duhet ta bëjnë Kuvendi apo Qeveria ose, siç ndodh në Vojvodinë, Këshilli Nacional”, konsideron ai.
Në këtë krahinë serbe dalin 27 gazeta në dhjetë gjuhë, kurse me ligj është parashikuar që ato nuk guxojnë të privatizohen.
Salaj tha se është posaçërisht i kënaqur që rreth kësaj çështjeje shqiptarët arritën konsenzus të plotë. “Posa të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Malit të Zi, do të kërkojmë që ai ta financojë gazetën, që selia e saj të transferohet në Ulqin ose në Tuz dhe të ketë xhiro-llogarinë e vet”, shtoi ai.
Tahir Tahiri, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, deklaroi për “Monitor” se është koha që “Koha Javore” të transformohet nga gazetë e përjavshme në një gazetë të përditshme dhe të hapet edhe një kanal në televizionin shtetëror për pakicat. “Shumëkush mendon se janë problem financat dhe kaudrot. Mirëpo, ne duhet të bëjmë çdo gjë brenda mundësive tona që këto projekte të realizohen, sepse nevoja është me të vërtetë e madhe”, tha Tahiri.
Sido që të jetë, e drejta e informimit në gjuhën amtare, krahas të drejtës për arsimimin, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, është njëra nga të drejtat elementare të pakicave. Kjo sidomos vlen për shqiptarët ngase gjuha e tyre është e vetmja gjuhë e pakicave në Mal të Zi që ndryshon nga gjuhët e tjera.

Mustafa Canka
Monitor

Koha Javore