Sokoli, vëllai i Adit, rrëfen: Jam krenar për kthesën që ka bërë Adi

sokoli-pojana-big-brother-albania-2[…] Bjordin e vlerësoj shumë […]

Jemi drejt të javës së madhe të BB. Tani besoj se vëmendja juaj është akoma më e madhe? Po emocionet tuaja si janë?

Emocionet me thënë të vërtetën janë të mëdha. Për ne, Adi, në çdo ditë apo sekondë që të dalë, është i fituar, sepse opinionet që marrim nga njerëzit janë pozitive. 70 mijë euro është një shumë e kënaqshme por megjithatë, jo e rëndësishme. Çfarëdo që të ndodhë, Adi është i fituar dhe ne jemi të kënaqur për atë që kemi kaluar, për atë që kemi hequr me Adin dhe për atë që ai ka hequr vetë. Sipas nesh, e gjitha kjo që po ndodh është një rilindje për atë dhe një lindje për ne. Kuptohet çfarë gëzimi ka familja kur ndodh një lindje. Kjo është arsyeja që jemi të kënaqur. Sinqerisht nuk e besonim që Adi do të kthehej në jetë. Ishte si ajo dega e thatë e një peme që është e vështirë të ringjallet, vetëm nëse i bëhet një transplant.

E kishit menduar se Adi do të arrinte deri këtu?

Unë si vëlla, në momentin që Adi hyri në BB, isha i kënaqur. Më dukej vetja krenar, jo thjesht se doli në ekran por për kthesën që Adi bëri. Që në ditët e para në BB, shumë njerëz më thoshin që Adi do të shkojë deri në fund, por nuk isha optimist duke parë që elementet e tjerë ishin të zgjedhur dhe sepse ata kishin një të shkuar më të mirë se ajo e Adit. Kjo ishe ajo lloj frike dhe mendoja se do të isha i kënaqur edhe po të kalonte gjysmën e ditëve brenda shtëpisë. Tani që ka ardhur fundi, mendoj përse të mos jetë në finale dhe përse të mos dalë i pari. Tani bëj krahasimin dhe shikoj se të gjithë janë të mirë edhe pse rivaliteti mbetet. Mua më pëlqejnë shumë që të gjithë. Edhe Qetsori, edhe Ari, i cili për kohën që ka hyrë sipas mendimit tim ka treguar vlera të jashtëzakonshme. Adelajda është shumë mirë. Për Bjordin nuk gjej dot fjalë dhe superlativa, pasi për moshën e tij, ka një zgjuarsi të jashtëzakonshme dhe është i përgatitur. Më vjen mirë që ka gjetur gjuhën e përbashkët me Adin.

Bjordi në fakt ka deklaruar hapur se mendon që çmimi i madh i takon Adit? Cili është komenti juaj për këtë?

Jo vetëm tani, por edhe më parë në “grupin e vet” le të themi se në fakt ata kanë ndenjur të gjithë, por aty ku pëlqehej biseda, dhe shoqëria ka ardhur vetvetiu, Bjordi e ka shprehur simpatinë për Adin. Pikërisht Bjordin e vlerësoj shumë dhe familja ime gjithashtu. Kur thotë Bjordi që i takon Adit që ta fitojë, ne nuk shohim vetëm fjalët por edhe zemrën e tij. Njerëzit shihen tek paratë, se në rrugë të gjithë të mirë bëhen, por kur vjen fjala te paratë…. Na vjen mirë kur e thotë atë fjalë.

Mund të jetë thënia e tij një strategji për të fituar simpatinë e publikut?

Unë nuk mendoj fare për strategji, por që ai ka zemrën e madhe. Njeriu mund të thotë shumë gjëra, por nëse analizohen të gjitha mendimet dhe thëniet kuptohet sa të vërteta i ka. Do të ishte një strateg shumë i madh po të luante. Edhe sikur dikush tjetër të ma ushqejë këtë arsyetim që Bjordi e ka thënë për strategji, nuk do ta besoja, do të vazhdoja me mendimin që është një djalë i mirë, i dashur, inteligjent. Ai njeri ka gjetur vendin në familjen tonë.

Ndërkohë Qetsori ka replikuar me Bjordin, duke thënë që ai nuk e njeh Adin…

Ku e njohu Qetsori si është Adi? Ku e di ai sesi është Adi jashtë? Se Adi ka shprehur të kaluarën e vet nuk do të thotë se nuk është i vërtetë aty brenda. Qëndrimi i Sorit, për mua, është vazhdimi i mentalitetit që të tjerët kanë për ata njerëz që kanë vuajtur si Adi e kanë një të kaluar si e tija. Edhe ne nuk e dimë si është Qetsori dhe kushedi si mund të jetë.

E kemi parë Adin këto ditë të merret me joga? Ushtrohet vazhdimisht?

Në kushtet e shtëpisë, Adi ka bërë gjithmonë joga. Ai është marrë me joga edhe kur ishte në burg. Ndoshta edhe vetmia në qeli i ka dhënë spunto. Por të përditshme ai ka fizkulturën në kushtet e shtëpisë.

Si i parashikoni ditët që po vijnë?

Më pëlqeu shumë kur Adi tha se këto ditë që kanë mbetur t’i kalojmë sa më mirë. Ai është indiferent ndaj parave. Sa për të tjerët po shikoja një mbrëmje kur Ari që është shumë inteligjent po thoshte me Sorin që të bëjnë debate. Arjani është rebel në bisedë, them që ai ashtu do vazhdojë. Edhe Qetsori, tek i cili kam vënë re diçka, sipas mendimit tim, pas surprizës së Adit me nënën e tij, ka rënë në panik pasi ka parë një lojtar më potent brenda shtëpisë. Por mendoj se tani e gjithë loja është te nominimi dhe e shtuna e kaluar e tregoi këtë gjë.