Konferenca Islamike, miraton në unanimitet rezolutën e Shqipërisë për Kosovën

May 25, 2009   | Rajoni / Region

lulzim-basha-ne-konferencen-islamikeNjë betejë e nëndheshme është zhvilluar prej më se tre muajsh ndërmjet diplomacisë shqiptare dhe asaj serbe, e cila ka përfunduar me fitoren deçizice pas miratimit të rezolutës së iniciuar nga Shqipëria në të cilën evidenton qartë se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Në këtë mënyrë diplomacia shqiptare ka arritur që në Damask të Sirisë, në Sesionin e 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike, e përfaqësuar nga numri një i diplomacisë Lulzim Basha të marrë konsensusin e 57 vendeve anëtare të Organizatës, për një rezolutë në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës. Në rezolutë thuhet se tashmë shteti i ri i Kosovës ka Kushtetutën e tij moderne, si dhe ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI-ja që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu shtetin më të ri të Europës në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj resolute me unanimitet dëshmon për një momentum të ri në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjes së saj nga Mbretëria e Bahreinit dhe Unioni i Komorreve ditë më parë. Burime nga punimet e Sesionit të Damaskut bëjnë të ditur se pas këtij momenti të ri pritet, një bum njohjesh të shtetit të ri Kosovës nga vendet anëtare të Konferencës Islamike.
Po burime të besueshme diplomatike thonë se diplomacia shqiptare ka qenë tepër aktive në funksion të miratimit të rezolutës për Kosovën. Me të dërguarit e saj specialë në Damask, në Xhedah dhe në disa vende të tjera të rëndësishme të OKI-së, Shqipëria është angazhuar prej më shumë se tre muajsh në një operacion të nëdheshëm diplomatik të përmasave të mëdha me qëllim miratimin e një rezolutë në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës. Mësohet se diplomacia shqiptare është markuar në vijimësi nga ajo serbe me qëllimin e bllokimit të kësaj iniciative. Kjo kulmoi me vizitën e 10 ditëve më parë të Ministrit të Jashtëm Jeremic në Damask dhe takimeve të tij me autoritetet më të larta të Sirisë, e cila mbante Presidencën e radhës së OKI-së.
Sakaq Jeremiq ka kërkuar bllokimin e rezolutës dhe pjesëmarrjen e Serbisë me të drejtën e fjalës, duke pretenduar madje edhe marrjen e statusit të vëzhguesit. Edhe një herë janë vënë në lëvizje mekanizmat e dy diplomacive, të Tiranës dhe Beogradit, të cilat kanë lobuar ethshëm në drejtime krejtësisht të kundërta për të marrë mbështetjen e anëtarëve të OKI-së. Burimet diplomatike janë tepër të rezervuara për të dhënë detajet e kësaj faze vendimare të betejës diplomatike. Por një gjë është e sigurtë: Jeremic dhe delegacioni serb nuk kane qenë të pranishëm në Sesionin e 36-të të Ministrave të Jashtëm të OKI-së dhe rezoluta në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës është miratuar sot në unanimitet të plotë nga 57 vendet anëtare të Organizatës

TV KLAN

http://video.tvklan.tv/lajme/5147.flv