Presidenti Sejdiu nuk ftohet në samitin rajonal në Mal të Zi

June 4, 2009   | Rajoni / Region

fatmir-sejdiuPresidenti Fatmir Sejdiu nuk është ftuar në samitin e shteteve të Europës Juglindore që mbahet të enjten në Cetinjë të Malit të Zi. Presidenca kosovare thotë ky takim organizohet nga UNESCO, e cila nuk ka ftuar Sejdiun.
Prishtinë, 2 qershor – Vetëm Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të mungojë në Samitin e presidentëve të shteteve të Europës Juglindore, që mbahet këtë enjte në Cetinjë, të Malit të Zi. Në uebsajtin zyrtar të presidentit malazias thuhet se do të marrin pjesë presidentët e shtatë shteteve të Europës Juglindore, por askund nuk përmendet Republika e Kosovës. Në listën e pjesëmarrësve janë emrat e presidentëve nga Shqipëria, Bullgaria, Bosnja, Maqedonia, Serbia, Sllovenia dhe Mali i Zi. Pjesëmarrjen e presidentit shqiptar, Bamir Topi, e ka konfirmuar për Express, zëdhënësja e tij, Mimoza Koçiu. Në samit marrin pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO’s Koichiro Matsuura, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Terry Davis Zyrtarë të Presidencës së Kosovës thonë se takimi në Cetinjë organizohet nga UNESCO, dhe kjo është arsyeja që presidenti Sejdiu nuk ka marrë ftesë. “UNESCO është pjesë e OKB’së, ndërkaq OKB ka qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi Xhavit Beqiri. Në uebsajtin zyrtar të presidencës malaziase shkruan se nikoqir i samitit është presidenti Filip Vujanovic, ndërkaq në organizohet në bashkëpunim me UNESCO’n dhe Këshillin e Europës. Sidoqoftë, kjo është ngjarja e dytë brenda pak javësh me pjesëmarrje të krerëve shtetëror të vendeve të rajonit, por pa prani të presidentit të Kosovës. Në fillim të muajit të kaluar, Shkupi zyrtar e ka përjashtuar vetëm presidentin Sejdiu nga ceremonia inauguruese e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov. Jozyrtarisht është thënë se pjesëmarrja e Sejdiut në këtë ceremoni do të shtynte presidentin serb, Boris Tadic, ta bojkotojë këtë ngjarje. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë janë lëkundur edhe më shumë kur presidenti Sejdiu u detyrua të refuzojë ftesën për vizitë në këtë shtet fqinj, për shkak se vizitës i ishte ndryshuar karakteri zyrtar. Debatet në Prishtinë dhe Shkup rreth kësaj çështje ende nuk janë shuar. Rëndësia e përfshirjes së Kosovës në të gjitha forumet rajonale ka qenë temë diskutimi në një takim pune në Durrës, mes presidentit Topi dhe homologut të tij maqedonas, Ivanov. Presidenti Topi ka nënvizuar klimën e mirë të bashkëpunimit politik e ekonomik si dhe situatën e re gjeo-politike në rajon, e cila është përmirësuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe futjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë, thuhet në njoftim të Presidencës shqiptare. Kreu i shtetit shqiptar ka theksuar se Republika e Kosovës tashmë po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumetnik dhe se mbështetja e vendeve fqinjë duhet marrë karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë diplomatik e politik në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë. “Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi nevojën e përfshirjes së Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale duke qenë se kjo do t’i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe familjen e madhe evropiane”.

B. Greiçevci
Gazeta Express

http://video.kosovapress.com/repository/videos/sejdiu-ftesa-protokollet%20270509.flv