Monografi e periudhave kohore nga Gazmend Çitaku

June 15, 2009   | Kulturë / Kultura

Albumi nga Gazmend ÇitakuKur isha i ri kam shënuar një citat që thoshte se të jetosh me fotoalbum apo me monografi do të thotë të mos plakesh kurrë. Tashti që po trokasim rreth monografisë “ Fotoalbum i Ulqinit, II”, monografi në fotografi e fjalë, kur e lexova dhe i shqyrtova të gjithë fotografitë dhe dokumentat që na ka dhënë në dorë autori Gazmend Çitaku, jam i mendimit se ka paraqitur monumentet e kulturës që janë historike, arkeologjike, arkitekturore, artistike, etnografike, mjedisore dhe fetare.
Kur isha i ri kam shënuar një citat që thoshte se të jetosh me fotoalbum apo me monografi do të thotë të mos plakesh kurrë. Tashti që po trokasim rreth monografisë “ Fotoalbum i Ulqinit, II”, monografi në fotografi e fjalë, kur e lexova dhe i shqyrtova të gjithë fotografitë dhe dokumentat që na ka dhënë në dorë autori Gazmend Çitaku, jam i mendimit se ka paraqitur monumentet e kulturës që janë historike, arkeologjike, arkitekturore, artistike, etnografike, mjedisore dhe fetare. Kjo thënie urtake më rishfaqet në mendje në një dritë të re e më një nëntekst të ri: po të jetosh me monografi të vlefshme, që sjellin prurje e shqyrtime jo vetëm interesante po edhe të vyera për njohjen e trevave të pasura, siç është në këtë rast “Fotoalbumi i Ulqinit, II”, të Gazmend Çitakut, të duket se je ende i ri, sepse, ndër të tjera, kupton që kemi ende shumëçka për të mësuar e për të shijuar në fushën e shkencës dhe trashëgimi së kulturore kombëtare. Dhe kjo nuk besoj të jetë vetëm një përshtypje personale e imja. Ky fotoalbum paraqet një monografi historiko-shoqërore dhe etnokulturore për Ulqinin, monografi e mirëseardhur për tryezën e shumë studiuesve shqiptarë, qofshin ata historianë, letrarë, gjuhëtarë, folkloristë a etnologë dhe etnografë e më gjerë, sepse na jep një pamje të gjerë të një prej trevave jo vetëm interesante e të pasur, po edhe jo gjithaq të njohur për shumë kohë, siç është Ulqini, vend me të cilin autori ka lidhje të fortë shpirtërore, sepse e ka dëshiruar për shumë vjet vendlindjen e nënës të tij dhe, ndonëse autori ka mbajtur të ndezur flakën e dashurisë për vendlindjen e prindërit e bukuritë e saj, të ushqyer e të njomur pa reshtur prej tregimeve e gojëdhënave.
Kështu, autori në këtë fotoalbum ka pasur si objekt traditat, historinë më të lashtë të Ulqinit në fotografi të tërthorta, aspekte të jetës shoqërore në fotografi dhe fjalë, jeta kulturore dhe sportive, ngjarjet, detari, tregti, zakonet dhe folklorin , më fjalë të tjera, etnografi dhe etnologji.
Këtë temë, në të vërtetë, autori e ka marrë e rimarrë disa herë, kurse tashti na jep një botim të dytë të saj, të plotësuar e të pasuruar më tej, më një pamje tipografike dhe në një vështrim më të përpunuar e më të përditësuar me dokumentacionin burimor. Kjo e bën monografinë një ndihmesë më vlerë e me interes të shumanshëm: historik, etnografik, folklorik, etnokulturor dhe etnologjik. Mund të thëmi pa drojë se kush do të dijë për Ulqinin, për emrin dhe historinë e tij të lashtë e për rrjedhat e jetës e të veprimtarisë historike e kulturore të ulqinakëve deri në ditët e sotme, kush ka dëshirë të dijë e të hulumtojë më tej vlerat e traditat etnokulturore të ulqinakëve, kujt i interesojnë në mënyrë të veçantë doket, zakonet dhe ndihmesat e shumëllojshme të ulqinakëve në lëmin e historisë, të zejeve dhe, sidomos, kujt ia do puna të njohë ndihmesat atdhetare të ulqinakëve, do të gjejë shumëçka të vlefshme në monografinë “Foto­album i Ulqinit, II” të Gazmend Çitakut.
Po të përdorim një figurë letrare, duke dashur ta përcaktojmë së çfarë na jep autori në fjalë, në këtë monografi, mund të thoshim së aty gjejmë një monografi etnokulturore, etnografike, etnologjike e historiko- shoqërore të Ulqinit e të ulqinakëve. Natyrisht, një monografi me një histori të parashtruar këndshëm e më vrujimin e paprerë të një dashurie spontane e të thellë të autorit për vendlindjen dhe për njërëzit atdhetarë që Ulqini i ka dhënë vijimisht altarit të Atdheut e fondit të kulturës kombëtare shqiptare.
Le të përpiqemi të japim një vlerësim për disa nga mbërritjet më të rëndësishme që i përkasin kësaj monografie.
“Fotoalbumi i Ulqinit, II”, ndër të tjera, ka meritën se u bën vend në radhë të parë atyre fakteve dhe të dhënave historike, urbanistike dhe kulturore që dëshmojnë qytetari, kulturë ndëjtare, jetesë me punë e krijimtari të pandërprerë më frymë ndërtuese të një qyteti shqiptar në bregdetin e Malit të Zi nga më tipikët. Ulqini njihet si qendër e rëndësishme qytetare në rrjedhë të moteve, për vlerat e saj njerëzore e kulturore kanë shkruar edhe jo pak studiues e udhëpërshkrues të mirënjohur.
“Fotoalbumi i Ulqinit, II”, ka për qëllim të mbushë një zbrazëti të ndjeshme në fushën e studimeve mbi çështjet e historisë, domëthënë, lashtësisë së Ulqiit. Problemet e mëdha që përbëjnë njëherazi edhe kapitujt e kësaj monografie lidhen me jetën shoqërore, kulturore, etnografike, etnologjike si dhe me paraqitjen e veprimtarive detaro- tregtare të ulqinakëve.
Kjo monografi trajton disa probleme të jetës ekonomiko- shoqërore dhe kulturore të Ulqinit dhe ulqinakëve gjatë periudhës së re kohore e posaçarishtë historisë, arkeologjisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore. Kujdesi i autorit ka qenë që, duke u mbeshtetur mbi një bazë burimore sa më të gjerë, ti ndriçojë sadopak këto probleme që përmbajnë në vetvetë vështirësi dhe fshehtësi të shumta. Besoj se autori ia ka aritur sadopak qëllimit të vet dhe e justifikon besimin që ia ka dhënë vet vetes për trajtimin e këtij problemi të rëndësishëm.
Në kulturën popullore dhe veprimtaritë e tjera kulturoro- shoqërore, monografia e Gazmend Çitakut zë një vend të dukshëm në paraqitjen e këtyre problemeve të përmendura. Mjerisht, ky problem i rëndësishëm që nxjerr në pah traditat, nivelin e kulturës materiale dhe shpirtërore të ulqinakëve si dhe vlerat e çmuara artistike, kulturore etj., në këto fusha nuk është trajtuar sa duhet.
Fotografitë dhe dokumentet arkivore të paraqitura në “Fotoalbumin e Ulqinit, II”, autori ka treguar se ulqinakët kanë krijuar me djersën e vet dhe mendjen e vet, historinë dhe kulturën vetjake origjinale-autoktone, të brumosur gjatë shekujve në kushte të caktuara historike në të cilat ta kanë jetuar dhe janë zhvilluar.
Të nisur jo vetëm nga kërkesat dhe detyrat e veta personale dhe vetjake, por edhe nga sedra e vullneti i një punonjësi e gjurmuesi, autori në fjalë, ka gjetur dokumente burimore të pabotuara mbi Ulqinin dhe ulqinakët, duke mbledhur një sasi të konsiderueshme të materialit dhe njoftime të ndryshme, të cilat i rreshtoi në monografinë kushtuar Ulqinit. Gjatë gjithë punimit, ka gjetur mbështetje në dokumentacionin burimor.
Është e vërtetë se në vazhdën e këtyre gjurmimeve, autori kishte vullnet të madh të niset nga dëshira ose kureshtja për të mësuar mbi Ulqinin dhe ulqinakët, në shumë aspekte studimore, pak të njohura për lexusin brenda trevës së Ulqinit dhe jashtë saj, e sidomos në diasporë.
Mbështetje kryesore në këtë monografi janë burimet dokumentare arkivore vendëse, të panjohura dhe të pastudiura deri sot për temat të botuara në disa vëllime, në këtë monografi. Duke shfrytëzuar një material mjaft të pasur burimor të dorës së parë, jo vetëm që autori kishte mundësi të ndërtojë strukturën e kësaj monografie mbi një bazë dokumentare të re, të panjohur për historiografinë shqiptare, por, duke e veshur atë me këtë lëndë të re, plotëson zbrazëti të madhe, të cilat me burimet ekzistuese nuk do të ishte në gjendje të kryhet kjo monografi, në këtë formë dhe me këtë kualitet dhe përmbajtje, që e ka kjo monografi.
Monografia në fjalë është përpjekje e parë përgjithësuese për të parë si një veprimtari unitare krijimtarinë popullore të qytetit të Ulqinit e paraqet me fotografi dhe dokumente të ndryshme duke u bazuar në dokumentacionin e gjerë të gjetur ke vendasit e vet, pra, në Ulqin.
Materiali dokumentar dhe fotografik, pjesë përbërëse e monografisë, paraqet shembujt më të spikatur e me tipikë të kësaj krijimtarie, duke konkretizuar kështu me mjete dokumentare shtjellimin e temës në fjalë.
Me këtë monografi për Ulqinin, lexuesi do të përfitojë mjaft informacione të ndryshme që jepen aty për një trevë kaq të thekur në atdhetari e në kulturë, për një vatër traditash të bukura e djep të shumë burrave të shquar e njerëz të letrave, po edhe do të merret një model i bukur se si duhet vepruar për t’ia shpërblyer sadopak Ulqinit, duke i blatuar jo vetëm dashuri e nderim, po edhe dije e trajtime me vlera etnokulturore.
Edhe në fund, autorit të monografisë “Fotoalbum i Ulqinit II”, i uroj punë të mbarë në periudhën e ardhshme dhe në hulumtime të metejshme.

Dr Maksut Xh. Haxhibrahimi
Koha Javore

YouTube Preview Image