Fuqitë e Mëdha përgatiten për demonstrim detar

  • Digg
  • Mixx
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Google Bookmarks
  • Live
  • StumbleUpon
  • Technorati
  • Yahoo! Buzz
  • Print
June 22, 2009   | Kulturë / Kultura
Partager

flota Fuqitë e Mëdha përgatiten për demonstrim detarULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (25)
Fuqitë e Mëdha përgatiten për demonstrim detarFuqitë e Mëdha përgatiten për demonstrim detar
Austro-Hungaria parimisht pajtohej me propozimin që të merrte pjesë në një demonstrim të këtillë të flotës së bashkuar në dobi të Malit të Zi dhe propozoi që çdonjëra nga Fuqitë e Mëdha të marrë pjesë me nga dy anije. Ajo propozoi gjithashtu që do të ishte me vend që Mali i Zi të thirrej që me ushtri ta okuponte Ulqinin. Austro-Hungaria e përkrahu gjithashtu edhe propozimin e Granvilit që Portës së Lartë t’i dërgohej një komunikatë e përbashkët e Fuqive të Mëdha që për tri javë ta zbatonte Protokollin e prillit. Në qoftë se nuk do ta plotësonte këtë kërkesë, atëherë Turqia do të duhej të thirrej që t’u bashkangjitej Fuqive të Mëdha për ta ndihmuar Malin e Zi që ta merrte Ulqinin. Ajo ishte edhe kundër zbarkimit në tokë, sepse nuk e përjashtonte mundësinë e angazhimit të drejtpërdrejtë të Rusisë në anën e Malit të Zi.
Anglia në parim pranonte që çdo shtet të dërgonte nga dy anije, por nuk do të paraqiste vështirësi edhe nëse ndonjëri nga shtetet do të dërgonte vetëm një anije. Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria u morën vesh për pikat themelore: kuptimin, modalitetin dhe madhësinë e flotës së bashkuar ndërkombëtare.
Gjermania tregoi gatishmëri që në shoqëri me fuqitë e tjera të valëvitet edhe flamuri i saj në ujërat para Ulqinit. Ajo hodhi poshtë pjesëmarrjen në çfarëdo aksioni eventual në tokë që do të shkonte në favor të Malit të Zi.
Franca gjithashtu tregoi gatishmëri për të marrë pjesë në demonstrimin detar. Ajo theksonte se ky aksion duhej të ishte aksion tërësisht kolektiv, të paraqiste dëshirën e të gjithëve. Në qoftë se nuk do të merrte pjesë vetëm edhe një shtet, mendonte ajo, atëherë do të kompromitohej autoriteti i Evropës. Franca kërkonte të mos ndërmerrej desanti si dhe të mos ndizej asnjë fishek nga anijet.
Rusia, mike dhe aleate, në realitet mbrojtëse e Malit të Zi, theksonte se duhej të ndërmerrej një aksion efikas, por nuk i hynte definimit të tij, sepse dëshironte të mbeste anash, neutrale. Si qëndrim zyrtar i qeverisë ruse mund të merrej përgjigjja e Girsit dhënë Granvilit se qeveria e tij pajtohet dhe se ajo tërë kohën kishte theksuar se “pa masa efikase nuk do të zgjidhet çështja e Malit të Zi”. Girsi shpresonte se një thirrje kolektive do të mund të kishte efekt, kështu që ndoshta nuk do të kishte nevojë për demonstrim detar.
Fuqitë evropiane ranë dakord për parimet themelore, për karakterin dhe qëllimin e demonstrimit detar. Gjithashtu duhej definuar protokollin e realizimit të Protokollit të prillit po qe se Porta do të jepte përgjigje pozitive. Sipas Hajmerles, në protokollin e ardhshëm duhej të përkufizohej e të theksohej se ky demonstrim detar i dedikohet vetëm çështjes së Malit të Zi dhe se qeveritë pjesëmarrëse nuk do të bëjnë kurrfarë pazarllëqesh që do të ishin në kundërshtim me aksionin e përbashkët për zbatimin e Traktatit të Berlinit.
Porta lëkundej në qëndrimin e saj. Ajo ishte e gatshme në parim ta lëshonte Ulqinin, por u gjet përballë qëndresës së vendosur jo vetëm të banorëve të qytetit dhe rrethinave të tij, por edhe të popullsisë së krahinave të tjera të Shqipërisë, e veçanërisht të Shkodrës që kishte lidhje të ngushta me ekonominë e Ulqinit. Nga ana tjetër, Fuqitë e Mëdha i kanoseshin Portës me një demonstratë të bashkuar të flotës luftarake përpara Ulqinit për ta detyruar të zbatonte vendimet e Berlinit.
Ambasadori austro-hungarez i shkruante Vjenës se sulltani kishte më shumë frikë nga kryengritja shqiptare sesa nga demonstrata e flotës ndërkombëtare.
Në bisedën që kishte bërë ambasadori italian, Corti, në Stamboll me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Abedin pashë Dinon kishte fituar përgjigjen se Porta e Lartë ishte e vendosur që t’i jepte fund çështjes së Ulqinit duke ia dorëzuar Malit të Zi. Në propozimin e Abedin pashës, Porta deklaronte se i vinte rëndë të lëshonte tokë pjellore në vend të Hotit dhe të Grudës. Në propozimin e Abedin pashës se është e mjaftueshme që trupat osmane të largoheshin nga territori në fjalë, përfaqësuesi italian kishte shprehur mendimin se do të ishte e domosdoshme që dorëzimi formal i territorit në fjalë të bëhej nga ana e autoriteteve osmane, duke ia dorëzuar princ Nikollës. Gjithashtu u bë me dije se princi Lobasov parashtroi një ide, sipas së cilës Porta do të okupojë ushtarakisht tokat në diskutim dhe pastaj do t’ia dorëzojë forcave malazeze që të vendosen aty. Abedin pasha deklaroi se Porta obligohet që vetëm forcat e armatosura dhe administratën t’i tërheqë në anën tjetër të Bunës, por nuk do të japë kurrfarë përgjegjësie në qoftë se shqiptarët do ta mbrojnë tokën e paraparë për lëshim.

Riza Rexha
Koha Javore

YouTube Preview Image

2 

  1. ulqini on Tue, 30th Jun 2009 17:08 

    ULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (26)

    Fuqitë e Mëdha pranojnë kërkesat e Portës

    Në fund të gushtit 1880 Fuqitë e Mëdha i pranuan dy kërkesat e Portës për t’ia lënë Dinoshën Perandorisë Osmane dhe për ta zgjatur afatin e dorëzimit të Ulqinit deri më 20 shtator 1880. Nga presioni i vazhdueshëm i Fuqive të Mëdha, nga qëndrimi i tyre i vendosur për t’i dhënë fund çështjes së Ulqinit, Porta e Lartë filloi të përgatitej për të marrë masa energjike kundër shqiptarëve.

    Mr. Riza Rexha

    Duke pasur përvojë të hidhur në lojën e deriatëhershme diplomatike, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Stamboll i vunë rëndësi të posaçme faktit që Porta e Lartë duhej të obligohej në kushte precize teknike dhe modalitete të caktuara që do të jetë siguri e realizimit.
    Ideja e demonstratës së flotës së bashkuar luftarake ndërkombëtare e ngushtoi Stambollin, sepse ajo jo vetëm që do ta diskreditonte Perandorinë Osmane, por edhe do t’u çilte rrugë Fuqive të Mëdha për ta vazhduar politikën e tyre në favor të Greqisë. Për këtë arsye ajo u përpoq edhe një herë verbalisht më 14, ndërsa me shkrim më 18 gusht 1880, t’i bindte Fuqitë e Mëdha që të hiqnin dorë nga demonstrata mbasi kjo, sipas saj, nuk ishte në interes të paqes.
    Porta e Lartë parimisht e pranonte lëshimin e Ulqinit me dy kushte: 1. Që vija kufitare të ishte ajo që dilte nga zbatimi në vend i pikave të definuara në Traktatin e Berlinit (duhej të eliminohej çdo përmirësim kufiri – ishte fjala për fshatin Dinoshë) dhe 2. Afati për realizimin e këtij vendimi duhej të shtyhej edhe disa javë, sepse afati tri javë nga data e notës së 3 gushtit 1880 ishte vërtet i shkurtër. Në qoftë se Fuqitë e Mëdha nënshkruese nuk do ta pranonin propozimin e mësipërm dhe do të mendonin se do të marrin ndonjë masë që do të prihej për ta ndihmuar Malin e Zi që ta pushtojë me forcë qytetin e Ulqinit, Qeveria Perandorake do të ndodhej në pamundësi që t’u bashkohej nën çdo formë qoftë, me masa që do të merreshin pa pëlqimin e saj.
    Sulltani u njoftua për të gjitha çështjet që kishin të bënin me dorëzimin e Ulqinit. Ai kërkonte qartësi se në qoftë se nuk do të jetë e mundur që të zbatohen pikat e marrëveshjes së 18 prillit 1880 dhe do të preferohet shkëmbim me Ulqinin, atëherë duhet të bëhet e qartë që ana e Ulqinit të mos konsiderohet e të mos quhet më vonë nga malazezët ose nga Fuqitë e Mëdha si një shtojcë ndaj viseve të Hotit e të Grudës, por të bëhej e qartë se kur të dorëzohej Ulqini me rrethina, viset e Hotit dhe të Grudës do t’i mbesin Perandorisë Osmane. Kërkonte që të përpilohej një hartë dhe të tregohen viset e Ulqinit dhe rrethinave të tij që do t’i lëshoheshin Malit të Zi dhe viset e Hotit dhe Grudës që duhet t’i mbeteshin Perandorisë Osmane.
    Diplomacia e Fuqive të Mëdha mori qëndrim se nuk duhej bërë problem, por t’i lihej Dinosha Turqisë. U vlerësua si i pranueshëm vendimi i kushteve të Portës së Lartë, sepse nuk e cenonte thelbin e vendimit të 26 qershorit 1880. Cetina e kundërshtoi. Në notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi paraqitur ministrit të Vjenës, Temel, më 21 gusht 1880, thuhej se princi kurrë nuk do ta jepte pëlqimin e vet për këtë lëshim. Protestat e Cetinës nuk u morën parasysh. Në fund të gushtit 1880 Fuqitë e Mëdha i pranuan dy kërkesat e Portës për t’ia lënë Dinoshën Perandorisë Osmane dhe për ta zgjatur afatin e dorëzimit të Ulqinit deri më 20 shtator 1880.
    Nga presioni i vazhdueshëm i Fuqive të Mëdha, nga qëndrimi i tyre i vendosur për t’i dhënë fund çështjes së Ulqinit, Porta e Lartë filloi të përgatitej për të marrë masa energjike kundër shqiptarëve. Si masë të parë ajo largoi nga Shkodra valiun Izet pashën dhe në vend të tij caktoi Osman pashën. Komandën e forcave ushtarake të vilajetit ia ngarkoi gjeneralit energjik Riza pashës, të cilin e pajisi me kompetenca të gjera për të vepruar kundrejt shqiptarëve si me dhunë ashtu edhe me dredhi.
    Ndërkohë në Shkodër ishte kthyer edhe Isuf Sokoli për të shqyrtuar situatën në të gjitha aspektet me Komitetin e Shkodrës, për të kërkuar ndihma e për të hartuar planin për të ardhmen. Ardhja e tij u prit me entuziazëm nga populli.

  2. ulqini on Tue, 7th Jul 2009 19:03 

    ULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (27)

    Riza pasha përdor çdo mjet për t’i bindur shqiptarët

    Më 22 gusht 1880 Riza pasha thirri në një mbledhje anëtarët e Këshillit Ndërkrahinor të Shkodrës, të cilët u përpoq t’i bindte me arsyetime, me honorare, me dekorata dhe me premtime të ndryshme. Nga ana tjetër i kërcënoi me masa të rënda, nëse nuk do t’i bindeshin urdhërit të Sulltanit. Ai shpërndau shuma të konsiderueshme të hollash te klerikët françeskanë në mënyrë që ata të ndikonin te fiset malore për t’iu shmangur kontributit për mbrojtjen e Ulqinit. Ai nuk u kufizua vetëm në Shkodër, por shpërndau dekorata edhe në krahinat e Shqipërisë së Mesme. Ua shpërndante njerëzve me influencë që mund t’ia mbushnin mendjen popullit që të mos çonin vullnetarë.

    Mr. Riza Rexha

    Më 19 gusht 1880, Riza pasha arriti në Shkodër nga ana e Shëngjinit me vaporin “Mutbiri Surur”, i shoqëruar nga shtatë batalione (3000 ushtarë), prej të cilëve dy do t’i çonte në Goricë e dy në Anë të Malit, i pajisur me 15 000 lira turke dhe me 128 dekorata të llojeve të ndryshme, për t’i bindur me anën e tyre krerët e Shkodrës që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Kishte marrë me vete edhe 1200 kuintalë miell për t’i zbutur malësorët e egërsuar ndaj Portës së Lartë. Ai kishte porosi që të përgatiste dorëzimin e Ulqinit pa hyrë në konflikt të hapur me shqiptarët.
    Ditën e nesërme, më 20 gusht 1880, Mali i Zi u lëshoi një notë Fuqive të Mëdha në Cetinë, në të cilën thuhej: “Në qoftë se komandanti i flotës së bashkuar më siguron që Porta do ta lëshojë Ulqinin pa luftë, Mali i Zi është gati që brenda tetë ditëve të marshojë në Ulqin. Ndërsa, në qoftë se dorëzimi i Ulqinit është i dyshimtë ose i pamundur, Mali i Zi, para se të marshojë dhe të kalojë kufirin në drejtim të Ulqinit, do ta vlerësojë situatën në Shqipëri dhe në pikat e tjera kufitare. Për këtë gjë Mali i Zi do të përgjigjet në mënyrë afirmative sipas rrethanave, sepse duhej bërë përgatitje”.
    Sapo arriti në Shkodër, Riza pasha ftoi në një mbledhje të veçantë anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor, të cilëve u tha se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre që në kundërshtim me porosinë e Portës së Lartë do të pengonin zbatimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare në lidhje me dorëzimin e rajoneve të parapara Malit të Zi.
    Riza pasha përdori një ton të vrazhdë dhe fyes. Me qëndrimin e tij brutal, ai i hidhëroi edhe më tepër shqiptarët.
    Më 22 gusht 1880 Riza pasha thirri në një mbledhje anëtarët e Këshillit Ndërkrahinor të Shkodrës, të cilët u përpoq t’i bindte me arsyetime, me honorare, me dekorata dhe me premtime të ndryshme. Nga ana tjetër i kërcënoi me masa të rënda, nëse nuk do t’i bindeshin urdhërit të Sulltanit. Ai shpërndau shuma të konsiderueshme të hollash te klerikët françeskanë në mënyrë që ata të ndikonin te fiset malore për t’iu shmangur kontributit për mbrojtjen e Ulqinit. Ai nuk u kufizua vetëm në Shkodër, por shpërndau dekorata edhe në krahinat e Shqipërisë së Mesme. Ua shpërndante njerëzve me influencë që mund t’ia mbushnin mendjen popullit që të mos çonin vullnetarë. Pasi shpërndau para dhe libra, si dhurata prej sulltan Hamidit, një hoxhë iu përgjigj pashës me krenari: “Me këto para që po m’i jep, ta dish se s’të tradhëtoj: gjysmën po ia dërgoj djalit tim që e kam në Ulqin vullnetar, e gjysmën po i mbaj për vete. Prej tyre mos prit gjë”.
    Riza pasha nuk ia arriti qëllimit. Populli kishte vendosur të rezistonte. Flitej se për trimëri u dalluan Oso Mani dhe Hysen beu. Ky i fundit kishte komandën në Urën e Shëngjergjit. Për ta bindur që ta lëshonte urën, Riza pasha i kishte dërguar një sasi të hollash. Ky i ishte përgjigjur: “Jo këto para, por edhe gjithë thesarin e mbretit po t’ma japësh, nuk i tradhëtoj shokët që ua kam dhënë besën”.

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.