Video-Presidenti Topi takon Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç

June 24, 2009   | Rajoni / Region

Presidenti Topi me homologët Sejdiu, Ivanov dhe Vujanoviç para fillimit të takimit – Vlorë.Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkëbisedoi sot me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në kuadër të takimit të katër Presidentëve, të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, që po zhvillohet në qytetin e Vlorës.
Në këtë takim të zhvilluar mes tyre, dy Presidentët vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke rikonfirmuar angazhimin dhe vendosmërinë e plotë për intensifikimin e tyre në vazhdimësi dhe pa pengesa në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve e popujve tanë. Dy Presidentët theksuan faktin se Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët ndajnë një histori të përbashkët, kanë sot të gjitha motivet për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi.
Në vijim të bisedës, Presidenti Topi vuri në dukje se me një interes të posaçëm shikohet shfrytëzimi, por edhe zgjerimi i hapësirave ekzistuese në fushën ekonomike e tregtare, ku përparësi do të merrte krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe lehtësimi i qarkullimit të njerëzve. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit nënvizoi rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe Malin e Zi që të dyja palët të nxisin bashkëpunimin dhe në dikastere të tjera, duke shprehur bindjen se intensifikimi e zgjerimi i mëtejshëm i këtyre nismave veçse i hap rrugë zhvillimit të shpejtë, investimeve të ndërsjella, projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, shkëmbimeve kulturore, artistike, sportive, tregtisë kufitare, etj. Edhe një herë gjatë këtij bashkëbisedimi, Presidenti Topi vlerësoi klimën pozitive që është krijuar tashmë në rajonin ballkanik, duke iu referuar për këtë intensifikimit të marrëdhënieve në nivelin më të lartë të përfaqësisë së vendeve të rajonit dhe shprehu bindjen se tradita ballkanike, vlerat mjedisore, historike e kulturore, do të bëjnë të mundur rritjen e investimeve dhe zhvillimin e shpejtë të turizmit.
Nga ana e tij, Presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç shprehu kënaqësinë për këtë takim të radhës që bashkoi në tryezën e bisedimeve Presidentët e katër vendeve fqinjë. “Këto takime të hapura e miqësore transmetojnë mesazhe pozitive për qeveritë tona dhe për afrimin e mëtejshëm të dy shteteve”, – vlerësoi ai, duke e cilësuar idenë e takimit të Vlorës si të shkëlqyer dhe një tregues që konfirmon bashkëpunimin rajonal. Presidenti Vujanoviç përshëndeti arritjet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik dhe shprehu bindjen se, si një mike e ngushtë Shqipëria do të bashkëpunojë dhe do të mbështesë dhe Malin e Zi në këtë drejtim.

Zyra e presidentit

http://91.187.97.13/video/images/content/Rtv21Video/Flash/Qershor/java-3/24_flesh_15.flv