Lirohet Agim Çeku

June 25, 2009   | Shtypi / Mediji

Burgimi i agim çekut ne Bullgari

(Update) Gjykata bullgare e qarkut në Kyustendil e ka liruar ish`kryeministrin e Kosovës Agim Ceku.
Kjo është bërë e ditur nga Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Albana Beqiri.
“Agim Çeku është liruar nga paraburgimi dhe shumë shpejt pritet të kthehet në Kosovë”, ka thënë Beqiri për Express.

S’ka vendim për Çekun

Gjykata bullgare e qarkut në Kyustendil ka ndërprerë për herë të dytë të enjten seancën gjyqësore lidhur me shqyrtimin e rastit ndaj Agim Çekut, ish-Kryeministër i Kosovës, ka raportuar agjencia bullgare e lajmeve, Focus.

Tash për tash nuk është qartë nëse gjykata do të marrë sot vendimin rreth lirimit të Agim Çekut, i arrestuar të martën, në bazë të një flet-arresti serb, të shpërndarë përmes Interpolit.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës presin që Çeku të lirohet sot.

Sipas agjencisë Focus, bazuar në qëllimin e autoriteteve serbe për ekstradim të Çekut në Serbi, në gjykatë është bërë kërkesa për zgjatjen e paraburgimit deri në 40 ditë.

Ekipi mbrojtës i Agim Çekut ka paraqitur në gjykatë disa letra si dëshmi për rastin, shkruan Focus.

Në gjykatë është deponuar një letër nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën sqarohet se ish- Kryeministri Çeku është anëtar i stafit diplomatik të Republikës së Kosovës.

Është deponuar edhe një letër nga OKB, në të cilën thuhet se i paraburgosuri është nën juridiksionin e Misionit të OKB’së.

Dëshmia e tretë e dorëzuar në gjykatë është një letër e ish-Ministrit bullgar të Punëve të Jashtme, Solomon Passy, i cili kishte ftuar Çekun për një vizitë zyrtare në Sofje.

Kuvendi në mbrojtje të Çekut

Deputetët e Legjislativit të Kosovës kërkuan të enjten nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, që të bëjnë presion mbi autoritetet bullgare, që të lirojnë sa më parë nga paraburgimi, ish-kryeministrin e Kosovës dhe komandantin e ish-UÇK-së, Agim Çeku.

Po ashtu ligjvënësit kosovarë në fillim të seancës së rregullt plenare, kërkuan që të ndërpritet fushata agresive serbe ndaj ish-guerileve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U tha se kjo fushatë e zbatuar nëpërmjet Interpolit, është në kundërshtim me parimet e funksionimit të shtetit kosovar.

Shqetësimin në emër të Kuvendit të Kosovës e ngriti deputetja Kaqusha Jashari, e cila tha se arrestimi në Bullgari i kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Agim Çeku, është fyerje për shtetin e Kosovës. Prandaj nëpërmjet Qeverisë, ajo tha se Kosova duhet të reagojë që Çeku të lirohet.

“I bëj thirrje Parlamentit të Kosovës dhe të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të bëjë përpjekje për lirimin e gjeneral Agim Çekut, por edhe të ndalojnë ndikimin e turpshëm të politikës serbe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha deputetja Jashari.

Ne emër të legjislativit, ajo i bëri thirrje kryeministrit Hashim Thaçi dhe tri dikastereve të kabinetit të tij, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, që të angazhohen në këtë rast, që ish komandanti i UÇK-së dhe TMK-së të lirohet nga mbajtja.
“Shpresoj që ky do të jetë rasti i fundit që një qytetar të arrestohet në bazë të akuzave që janë shpifë nga regjimi i Beogradit”, tha deputetja Jashari, sipas të cilës, institucionet e Kosovës në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare duhet t’i japin fund denigrimit qytetar.

Këtij shqetësimi, ndërkaq iu bashkua edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re (AKR), Ibrahim Makolli i cili tha se arrestimet me akuza të Serbisë nuk kanë të ndalur. Madje ai përmendi edhe rastin tjetër kur një ushtar tjetër i ish UÇK-së, Genc Zogaj është arrestuar në Hungari dhe është ekstraduar në Serbi.

Këtë kërkesë të ligjvënësve e mbështeti edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili kërkoi nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministritë tjera përkatëse, që të kryejnë obligimin kushtetues, për të ndikuar që Çeku të lirohet. (Klive)

Bullgaria nën presion për ta liruar Çekun

KOSOVO-BULGARIA/ARRESTBullgaria është nën presion të fuqishëm nga përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë dhe Francës të cilët kërkojnë lirimin e menjëhershëm të ish- kryeministrit kosovar Agim Ceku- bën të ditur e përditshmja beogradase Danas.

Artikulli citon zëdhënësin e ish kryeministrit kosovar i cili përshkruan arrestimin e Çekut si një incident të papëlqyer. Sipas tij Serbia prej vitesh ka humbur të drejtën mbi kontrollin e lëvizjeve të shtetasve kosovare, dhe shtoi se arrestimi është kryekëput i pa pranueshëm.

Ai i bën thirrje organizatave ndërkombëtare të ndihmojë në ndalimin e arrestimeve me motive politike, të lëshuara nga qeveria e Milloshvicit, të cilat janë jashtë funksioni.

Agim Ceku, u arrestua të martën në mbrëmje teksa hyri në territorin e Bullgarisë, nga një pikë kufitare me Maqedoninë, me një fletë arrest të Serbisë. Ai akuzohet për krime lufte ndaj serbëve gjatë luftës në Kosovë, kur Ceku ka qenë ish komandat i UCK-së.

Si Kryeministër, kishte imunitet

Gjykata e rajonit Kustendil të Bullgarisë, e përballur me një çështje të pazakonshme për të, nuk e ka liruar të mërkurën ish-Kryeministrin kosovar Agim Çeku.

Lideri i PSDK’së po shkonte drejt Sofjes përmes një pike kufitare me Maqedoninë kur ai është ndalur nga policia bullgare. Gjykata në fjalë i ka dhënë atij një masë paraburgimi deri në 72 orë, që është maksimumi standard i paraburgimit. Është hera e katërt që Çeku ndalohet bazuar në një urdhër të Gjykatës së Qarkut në Nish, lëshuar më 2002.

Politikanët bullgarë kanë kërkuar lirimin e Çekut ndërsa Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vënë kontakte me Sofjen dhe se ka marrë garanci se ish-kreu ekzekutiv do të lirohet brenda një kohe të shkurtër.

Ndërkohë Ministresha e Drejtësisë së Serbisë, Snezana Malovic, i ka thënë agjencisë Tanjug se ka dërguar kërkesë tek autoritetet bullgare për ekstradimin e Agim Çekut dhe se pret që brenda një afati shumë të shkurtër të marrë “përgjigje pozitive në kërkesën e bërë”.

Sipas ligjeve ndërkombëtare, do të ishte çështje e dy shteteve në fjalë – Bullgarisë dhe Serbisë – por askush nuk e beson se Çeku do të ekstradohet në shtetin serb. Zakonisht ai tri herë të tjera dhe Kryeministri aktual Hashim Thaçi (dy herë) janë ndalur për pak orë dhe janë lëshuar.

Por, çfarë është urdhri ndaj Agim Çekut i cili po i shkakton atij tashmë telashe të rregullta të lirisë së lëvizjes?

Express ka kontaktuar me Zyrën për Shtyp në selinë e Interpolit në Lyon, të mërkurën, por një zëdhënëse ka thënë se “aktualisht rasti është nën hetim” dhe se prandaj e kishte ta pamundshme të fliste për temën konkrete.

Megjithatë, Agim Çeku nuk është i kërkuar ndërkombëtar nga Interpoli përmes “vërejtjes së kuqe”.

“Z.Çeku nuk ka qenë kurrë subjekt i një liste të personave ndërkombëtarë të kërkuar nga Interpoli, përndryshe e njohur si “red notie” (vërejtja e kuqe)”, thuhet në një deklaratë të Interpolit, që mban datën 26 mars 2006, e cila mund të gjendet në faqen zyrtare të kësaj organizate në internet.

“Në fakt, z.Çeku ishte subjekt i një ‘diffusion notice’ (vërejtje shpërndarëse) të dërguar në Interpol nga autoritetet serbe më 4 qershor 2002 nëpërmjet Byrosë Qendrore Kombëtare të Interpolit në Beograd”, thuhet në të njëjtën deklaratë.

“Ajo shpërndarje kërkonte arrestimin e tij me shpresë të ekstradimit bazuar në urdhrin e arrestit të lëshuar më 18 Mars 2008 nga gjykata serbe për akuza gjenocidi. Ajo ishte regjistruar si e tillë në databazën e Interpolit për personat e kërkuar”, vazhdohet në deklaratë.

Në bazë të legjislacionit që rregullon këtë organizatë, “vërejtja difuzive” dërgohet nga byrotë kombëtare qendrore tek një numër shtetesh ose tek të gjitha shtetet anëtare të Interpolit me të cilën mund të kërkohet “arrestimi ose ndalimi i një individi ose informacioni shtesë në lidhje me ndonjë hetim policor”.

Kështu për shembull gjatë vitit 2008, në bazë të shënimeve të Interpolit, mbi 13 mijë “vërejtje difuzive” janë regjistruar në databazën e kësaj organizate.

Në të njëjtën deklaratë, të vitit 2006, thuhet se Interpoli “nuk mundet dhe nuk tenton të heq urdhrat e arrestit të lëshuara nga gjykatat kombëtare”.

“Megjithatë, Interpolit i kërkohet me rregullat e veta të mos qarkullojë dhe regjistrojë informacion ose të bashkëpunojë ndryshe me autoritetet kombëtare kur bashkëpunimi i kërkuar nuk është kompatibil me ligjet e organizatës”.

Kështu, në rastin e Agim Çekut, bashkëpunimi i Interpolit me Serbinë nuk ishte i mundshëm sa ai ka qenë Kryeministër.

KOSOVO-BULGARIA/ARREST“Më 10 mars 2006, z.Çeku ishte emëruar Kryeministër i Kosovës. Në linjë me jurispodencën ndërkombëtare se urdhra ndërkombëtarë të arrestit kundër personave që gëzojnë imunitet nën të drejtën ndërkombëtare – sikurse Ministrat e Jashtëm, shefat e shteteve dhe shefat e qeverive – nuk mund të lëshohen, politika e Interpolit është të mos procesojë informacion të tillë, ose nëse veç është proceduar dhe regjistruar, atëherë të mos mbahet aktiv në databaza në rrethana të tilla”, thuhet në deklaratë.

“Prandaj, bazuar në ato që u thanë më lartë dhe në statusin e qeverisë civile të Kosovës nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Sekretariati i Përgjithshëm vendosi të suspendojë gjithë informacionin në lidhje me z.Çeku aktualisht të regjistruar në databazën e Interpolit gjatë kohës sa ai do të vazhdojë të shërbejë si Kryeministër i Kosovës. Të gjitha byrotë qendrore kombëtare të Interpolit në 184 vendet anëtare janë informuar për këtë vendim”, vazhdohet në të.

Nga kjo deklaratë mund të deduktohet se pasi Çeku kishte dalë nga detyra e Kryeministrit, urdhri ndaj tij ishte ri-aktivizuar.

Gjykata në Nish e akuzon për vrasjen e 669 civilëve serbë dhe joshqiptarëve të tjerë. Është gjerësisht e kuptueshme se akuza të ngjashme janë të motivuara politikisht.
Pas ndalimit të fundit të Çekut në Kolumbi, muajin e kaluar, Ministri i Brendshëm kosovar Zenun Pajazti i kishte shkruar Interpolit se, ndër të tjera, “Serbia nuk ka më juridiksion mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj”.

Autoritetet kosovare duhet të hulumtojnë mundësitë se si të zgjidhin këtë problem. Në një prej tyre, ato po shikojnë opsionin e kandidimit për anëtarësim në këtë organizatë.

Çeku luftoi për liri

Ish-Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Solomon Passy, u ka thënë gazetarëve se ai kishte mësuar për arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës Agim Çeku përderisa po u fliste njerëzve në qytetin Ivaylovgrad se si kufijtë duhet të jenë të hapur në mënyrë “që rajonet të mund të zhvillohen më mirë”.

“Kam qenë vërtet i shokuar me lajmin e arrestimit të tij. Agim Ceku është një person i vlershëm i cili ka luftuar për lirinë e qytetarëve të Kosovës, për mbijetesën e tyre dhe për pavarësinë e vendit të tij. Ai është në njeri shumë i respektuar në Kosovës”, ka thënë Passy, raportoi Focus News.

Ai ka shtuar se Agim Çeku duhet të lirohet.

“Në opinionin tim, vendimi dhe urdhri për arrestimin e tij erdhi si rezultat i një keqkuptimi të madh ndërkombëtar, një mbeturine politike, që i ngjan gjendjes politike të Ballkanit të viteve 1999”, është shprehur Passy.

Gazeta Express

http://91.187.97.13/video/images/content/Rtv21Video/Flash/Qershor/java-3/25_flash_15.flv