Lumi Buna – mrekulli e natyrës

June 29, 2009   | Intervista / Intervju

Grykederdhja e Bunes ne detMargaritar i Ulqinit dhe rajonit
Nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, sidomos pas kontrabandimit të naftës dhe derivateve të naftës nga Shqipëria, Buna është lumë i plagosur. Për shkak të pakujdesisë së trafikantëve, mazuti disa herë u derdh në lumë e kur ai përzihet me ujin e ftohtë, pasojat për ekosistemin mbesin vite me radhë, pohojnë ekspertët.
Si rrjedim i kësaj, nga Buna u zhduk ngjala e kristaltë, peshk ky jashtëzakonisht i rrallë dhe i bukur, i cili kërkon ujë të pastër si kristali. Një kilogram i ngjalës së kristaltë në tregjet europiane kushton disa qindra euro.
Për shkak të dysisë së vet lumi Buna është mrekulli e vërtetë e natyrës, thotë prof.dr. Mihajllo Buriq. Kësisoji, fundi i shtratit të lumit, para derdhjes së tij në det, dy metra nën nivelin e detit, diku diku është edhe deri pesë metra nën nivelin e detit.
Por, vetia gjithësesi më e theksuar e lumit Buna është se fundi i shtratit të saj, duke filluar nga grykëderdhja, ndodhet nën nivelin e detit nëpër tërë gjerësinë prej 36 km. teposhtë lumit!
Kjo këtë lumë e bën fenomen natyror të jashtëzakonshëm sidomos kur kihet parasysh prurja e tij e madhe. Megjithatë, me gjithë prurjen e madhe, uji i detit depërton thellë lumit përpjetë nëpër shtratin e tij. Në këtë mënyrë lind dysia e parë karakteristike e lumit Buna. Mbase, në shtratin e tij ndodhet edhe uji i njelmët i detit dhe uji i ëmbël i lumit. Uji i detit, si më i rëndë, rrjedh nëpër fundin e shtratit të lumit Buna gjithnjë deri afër Shën Gjergjit.
Dysia e dytë shfaqet në rrjedhën nëntokësore të Lumit. Kësisoji shtrati i dikurshëm i Bunës ka qenë rreth 40 metra më lart se terreni i sotëm i shkëmbinjve të Fraskanjelit. Lumi Buna e shtroi shtratin e vet me zhavor. Mbi zhavor janë sedimentuar sedimente ujëmbajtëse nga deltina në të cilat është formuar shtrati i sotëm i lumit Buna. Kështu sot, në të njëjtin drejtim, njëra mbi tjetrën në drejtim të detit rrjedhin rrjedha sipërfaqësore e lumit Buna, kurse në thellësinë prej 10 – 15 metra rrjedha nëntokësore e lumit Buna.
Rrjedha nëntokësore gjithashtu lëviz nga veriu në drejtim të jugut dhe mund të paraqitet si rrjedhje e ujit nëpër tubin nëntokësor të mbushur me zhavor. Rrjedha nëntokësore është e njohur sipas vendburimit Lisna-Bori.
Dysia e tretë realizohet në deltën e Bunës – ky lumë ndahet në dy pjesë të cilat si rrjedha të posaçme derdhen në det, kurse dysia e katërt e lumit Buna manifestohet në lëkundjet e dyfishta të nivelit të saj. Dysia e karakteristikave nuk duhet gjithëherë të përmirësojë cilësinë e fenomenit natyrorë, mirëpo karakteristikat dysore të lumit Buna shtojnë begatinë e strukturës së karakteristikave të saj, madje edhe vlerën e saj të tërësishme si fenomen natyror, shton prof. Buriqi.
Specialistë të huaj dhe të vendit regjistruan në këtë lokalitet jo më pak se 143 lloje dhe nënlloje të peshqve. Për këtë arsye e tërë kjo hapësirë e grykëderdhjes së Bunës në Detin Adriatik formalisht është nën mbrojtje të posaçme të shtetit. Ky është detyrim i tij kur dihet se ky lumë ka rëndësi ndërkombëtare dhe se është rrugë e migrimit të peshqve nga Deti Adriatik në Liqenin e Shkodrës, por si duket, ka qenë vendimtar presioni i investitorëve të huaj të fuqishëm, të cilët së shpejti do ta zotërojnë këtë hapësirë.
Shteti ka treguar mungesë të jashtëzakonshme efektiviteti që të parandalojë përhapjen e “tumorit” në Bunë, me çka u është dhënë kurajo plotësuese ndërtuesve informalë. E në brigjet e Bunës janë mbi 400 sish! Tani ka më së paku vendas, edhe pse ata mbajnë përgjegjësinë më të madhe për kaosin në këtë lumë. Natyrisht, bashkë me Ndërmarrjen Publike për Qeverisjen e të Mirave Detare nga Budva, që menaxhon këtë hapësirë tashmë 17 vite dhe rregullisht mbledh tatime nga pronarët e shtëpizave. Pra, në Ulqin ndodhen të mirat detare dhe bregu i lumit!
Mjerisht, për Bunën së shpejti nuk do të mund të flitet ajo që Mahatma Gandi ka thënë për lumin e shenjtë Gang: “Uji në Gang është gjithëherë tjetërfare, por Gangu është gjithëherë i njëjti”.


Koha Javore

YouTube Preview Image