Roli i turizmit në zhvillimin ekonomik dhe metamorfozën e Ulqinit

July 7, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

Plazhi i vogel_ulqin_ulcinj_montenegro

Mobil: Viber + Whatsapp: +382 69 335 534  : +382 69 335 512

Hyrje
Turizmi konsiderohet kudo si një nga veprimitaritë me zhvillim dinamik, pasi në përgjithësi për të ka një treg me kërkesa mjaft të larta gjithmonë në rritje, duke përbërë njëherit edhe një burim të ardhurash dhe punësimi.
Zonat më të pëlqyeshme nga turistët zakonisht janë vendet bregdetare, pranë maleve ose qytetet me një histori të vecantë.
Si rezultat i potencialeve të shumta natyrore dhe kushteve të favorshme klimatike, i pranisë së një vije bregdetare të mrekullueshme me plazhe të gjata dhe me kualitet të mirë të rërës, Ulqini u bë destinacioni kryesor i qarkullimeve turistike në bregdetin e Malit të Zi.
Kështu, pas viteve ´60-ta e deri ne vitin 1989 zhvillimi i turizmit ka njohur nivelin e tij më të lartë. Ndërsa pas viteve ´90-ta si rezultat i ndryshimeve politike dhe socio-ekonomike që u zhvilluan në Ballkan dhe në hapësirën e ish –Jugosllavisë zhvillimi i turizmit në qytetin e Ulqinit u ballafaqua me një metamorfozë të re, si në ndryshimin e numrit dhe strukturës së turistëve, në ndryshimin e hapësirës mjedisore në këtë qytet etj.

1. Roli i turizmit në zhvillimin ekonomik dhe metamorfozën e Ulqinit

Turizmi është një nga veprimtaritë më komplekse të shoqërisë së sotme moderne si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në disa shtete në tranzicion siç është Mali i Zi. Turizmi në qytetin e Ulqinit është produkt i rëndësishëm dhe gjenerator i punësimit, zhvillimit dhe mirëqenies.
Qyteti i Ulqinit i cili shtrihet ne skajin më jugor të bregdetit të Malit të Zi me një histori të lashtë, karakterizohet nga potenciale të shumta natyrore dhe historiko-kulturore te cilat kane ndikuar ne zhvillimin e turizmit.
Industria Turistike e Ulqinit deri në vitin 1990 ka realizuar rreth 80-90 % të produktit shoqëror vendor, varësisht nga fakti për cilin vit është fjala dhe a janë marrë parasysh të gjithë faktorët e drejtpërdrejtë (industria hoteliere, gastronomia) ose faktorët e tërthortë (bujqësia, ndërtimtaria, etj.).
Gjatë viteve 1960 – 1989 turizmi në qytetin e Ulqinit njohu lulëzimin e tij dhe si rezultat i shtimit të numrit të turistëve në zonat më atraktive të qytetit si në Plazhin e Madh, pranë Plazhit të Vogël, në ishullin Ada, etj. u ndërtuan disa hotele dhe komplekse të kategorive të ndryshme si pjesë e urbanizimit turistik. Ndërtimi i hoteleve dhe objekteve të tjera turistike ndikuan në punësimin dhe në rritjen e nivelit socio-ekonomik dhe në mirëqenien e banorëve të rrethit të Ulqinit. Mbi 70% e të punësuarve i takonin sektorit të turizmit.
Deri në vitin 1990 zhvillimi i turizmit në këtë qytet turistik ishte më i organizuar dhe kjo ndikoi edhe në ruajtjen e hapësirës mjedisore nga ndërtimet e pakontrolluara. Pas viteve ´ 90-ta me ndryshimet e shumta politike që ndodhën në hapësiren e ish-Jugosllavisë dhe me kalimin nga ekonomia e planifikuar dhe e centralizuar në ekonominë e lirë të tregut edhe turizmi si dega kryesore dhe më e rëndësishmja e ekonomisë në qytetin e Ulqinit u përfshi nga një metamorfozë e re.

Gjatë viteve ´90 zhvillimi i turizmit në qytetin e Ulqinit u ballafaqua me mjaft probleme si:

  • • rënia e numrit të turistëve sidomos nga Evropa Përendimore
  • • amortizimi i objekteve hoteliere
  • • rënia e numrit të të punësuarve në sektorin e turizmit
  • • mospjesëmarrja në tregjet dhe panairet ndërkombëtar turistike etj.
  • • humbja e kontakteve me tour –operatorët turistikë ndërkombëtarë etj.

Duhet pranuar që pas viteve ’90 e në vazhdim pothuaj se është filluar nga e para si në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve pritëse (hoteleve), formimit të personelit të ri, ofrimit të një produkti të ri turistik, vënies së kontakteve me tour–operatorët e nojhur turistikë etj. Dihet se turizmi si degë e ekonomisë është i ndjeshëm ndaj situatave politike ne vende të cilat prioritet të vetin e kanë turizmin.
Situatat e reja socio-ekonomike dhe ato politike që u paraqiten në Mal të Zi ndikuan edhe në metamorfozën e turizmit në qytetin e Ulqinit. Kjo u vërejt në disa drejtime si :
• në kalimin nga turizmi i organizuar që ishte para viteve ´ 90 , në turizëm spontan e pjesërisht privat i karakterit masiv.
• në devastimin e hapësirave mjedisore si rezultat i ndërtimeve pa kriter nga investitoret privatë në zonat më atraktive turistike të qytetit të Ulqinit, kryesisht në pjesën lindore.
Prandaj mund të konstatojmë se turizmi për dekada të tëra ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të qytetit të Ulqinit në mënyrë stihike duke u bërë njëherit edhe pjesë e urbanizimit turistik.

2. Ulqini – destinacion i turizmit masiv apo elitar ?

Shfaqja e fenomenit turizëm masiv pas viteve ´90 në lëvizjet turistike në qytetin e Ulqinit u shoqërua me probleme të ndryshme. Zhvillimi i turizmit masiv në përgjthësi çoi në degradim të mjedisit natyror. Turizmi masiv rriti kërkesën si për:

  • • për energji elektrike
  • • për ujë të pijshëm
  • • për prodhime konsumi dhe shërbime
  • • për krijimin e vendparkimeve
  • • për shtimin e hapësirave të gjelbra
  • • për shtimin e kapaciteteve akomoduese kryesisht në sektorin privat
  • • për funksionimin e një rrjeti informues për turistët etj.

Pasojë e këtij lloj turizmi me të cilin po ballafaqohet Ulqini gjatë 18 viteve të fundit është rritja e ndërtimeve informale private më qëllim përfitimit, të zhurmave dhe të degradimit të mjedisit.
Si rrjedhim i këtyre pasojave negative, turizmi masiv është konsideruar si një turizëm agresiv dhe shpesh quhet në gjuhën e përditshme si “pushtim“ ose “dyndje“ turistësh duke pasqyruar kështu atmosferën që dominon gjatë stinës së pushimeve në zonat më atraktive turistike të qytetit të Ulqinit si në: Plazhin e Madh, Plazhin e Vogël pranë Qytetit të Vjetër etj.
Në qytetin e Ulqinit zhvillimi i turizmit masiv gjatë dekadës së fundit u shoqërua me metamorfozën e strukturës së turistëve si dhe të mjedisit natyror. Kjo metamorfozë e zhvillimit të turizmit ka prekur zonat më atraktive turistike të Ulqinit sidomos pjesën lindore të tij.
Deri në vitin 2007 si rezultat i çmimeve të ulëta dhe të ofertës të dobët turistike ku përvec (rërës së plazheve dhe fast-fudeve dhe muzikës pupollore kosovare), Ulqini ka qenë destinacioni kryesor i turistëve nga Kosova, të cilët kanë dominuar në mbi 90 % të numrit të përgjithshëm të turistëve në këtë qytet. Prandaj edhe oferta turistike e Ulqinit gjatë këtyre viteve është e orientuar vetëm në tregun që ka mundësi të vogla pagimi (Low-Budget).

Megjithatë nga viti 2008 politikat e zhvillimit të turizmit në qytetin e Ulqinit të bazuara edhe në STRATEGJINË E ZHVILLIMIT TË TURIZMIT NË MAL TË ZI DERI NË VITIN 2020 do të orientohet në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe elitar duke u bazuar edhe në MASTER PLANIN E ZHVILLIMIT TË TURIZMIT NË QYTETIN E ULQINIT si dhe në shfrytëzimin sa me efikas të potencialeve turistike.
A ishte viti 2007 fundi i turizmit masiv për Ulqinin dhe a është viti 2008 fillimi i një progresi të ri në turizëm, kjo pyetje besoj se do të gjejë përgjigjen e vet pas 2 – 3 viteve ndoshta edhe më tepër.
Edhe më tej mendoj se tregu kosovar por edhe ai i vendeve fqinje për disa vite do të mbeten tregjet kryesor në turizmin e Ulqinit, meqë ende mbetet të bëhet shumë punë që të krijohen produkte cilësore për konkurim me vendet me turizëm elitar.
Vetëm rreth 1.000 shtretër hotelesh janë të përshtatshëm për ofertë në tregun e jashtëm. Mbi këtë bazë nuk mund të krijohet ekonomia e përparuar turistike në Ulqin, e sidomos jo në turizëm modern.Nga atraktiviteti dhe konkurrenca e ekonomisë turistike ulqinake varen vendet e punës dhe mirëqenia, jo vetëm e një pjes të konsiderushme të popullsisë, por edhe përparimi i fuqisë ekonomike të vendit në përgjithësi.
Mendojmë se Ulqini ka shanse të mëdha të zhvillojë turizmin elitar por që për këtë lloj turizmi duhet bërë shumë në drejtime të ndryshme ku më kryesorja është përmirësimi i infrasturkturës turistike, ngritja e hoteleve me 4 – 5 yje, ngritja e nivelit të shërbimeve, përgatitja e kuadrove të reja që do të merren me trurizëm etj.

3. Cili do të jetë roli i investimeve në zhvillimin e turizmit të Ulqinit ?

Planifikimi cilësor i hapësirës është një ndër parakushtet më të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të turizmit në Komunën e Ulqinit. Mungesa e planeve urbanistike gjatë këtyre 18 viteve u ka lënë dorë të lirë ndërtimeve kaotike. Vetëm sektori privat ka investuar kryesisht në objekte private (shtëpi tipa vilash me 2-3 kate) , ndërsa sektori shtetëror gjatë këtyre 18 viteve është ballafaquar me probleme të ndryshme si ato financiare, amortizimit të hoteleve, problemet më të punësuarit në hotele etj.
Pasuritë natyrore si Plazhi i Madh, ujdhesa e Adës, Gjiri i Valdanosit, liqeni i Shasit etj. po bëhen gjithnjë më tërheqëse për investitorët e huaj, pasi në këto zona mjedisi është i paprekur nga ndërtimet informale. Ruajtja e këtyre hapësirave mjedisore duhet të jetë prioritet kryesor për investitoret e ardhshëm në qytetin e Ulqinit.
Duhet përmendur se gjatë 3-4 viteve të fundit potencialet turistike të lartpërmendura të Ulqinit kanë qenë në qendër të vëmendjes së investitorëve si nga Rusija, Evropa Perëndimore, nga Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Si rezultat i klimës së favorshme të investimeve të krijuara nga qeveria e sidomos pas pavarësisë investimet ruse kanë dominuar në turizmin e Malit të Zi. Investimet ruse, por edhe të vendeve tjera më tepër kanë qenë të drejtuara në blerjen e objekteve hoteliere si të hotelit Otrant në Ulqin etj, dhe në blerjen e pasurive të patundshme si: troje, apartamente, shtëpi private, lokale etj. pasi këto investime konsiderohen si investime afatgjata dhe të sigurta.
Pjesa më e madhe e apartamenteve dhe shtëpive të blera nga këta investitorë në bregdetin e Ulqinit kryesisht shfrytëzohen për t’u dhënë me qira gjatë 3 muajve të sezonit veror ndërsa pjesën më të madhe të viti nuk shfrytëzohen. Realizimi i Master Planit ku është paraparë ndërtimi i hoteleve me 4-5 yje si dhe të objekteve tjera përcjellëse me rreth 30 000 shtretër në Plazhin e Madh në ishullin Ada në Gjirin e Valdanosit etj do të hapte fronte të reja pune, ku sipas ekspertëve do të duhej fuqi punëtore edhe nga jashtë Ulqinit.
Investimet në turizmin e Ulqinit gjatë viteve në vijim sipas eksperteve do të kapin shifra kolosale afërsisht 5-15 mlrd.€. Investimet parashohin ndërtime të komplekseve turistike të destinuara për turizmin e lartë.

Konkluzion

Në raportet zhvillim qyteti-turizëm, në rastin e Ulqinit, turizmi do të vazhdojë të ketë rol parësor në të ardhmen e tij. Shumë ecuri të zhvillimit demografik, urban dhe infrastrukturor të qytetit do të varen direkt apo indirekt nga ecuria e zhvillimit të turizmit. Potencialet turistike mbeten të shumta dhe pjesërisht akoma të pashfrytëzuara për një ndikim të tillë të turizmit në zhvillimin e ardhshëm të qytetit.

MA. Nexhat Avdiu
MA. Agron Ibrahimi

Koha Javore

YouTube Preview Image