Organizohet menifestimi “Vera 2009” në Krajë

August 7, 2009   | Kulturë / Kultura

Festa e Krajës 2009Manifestim i tradicionales me bashkëkohoren
Edhe kësaj vere si edhe tash shtatëmbëdhjetë vjet me radhë në Krajë u mbajt manifestimi “Në fillim të verës” 2009 – Ditët e kulturës dhe sportit në Krajë.
Manifestimi i sivjetshëm nisi të mërkurën më 15 korrik me një mbrëmje artistike kur u bë edhe hapja solemne e manifestimit. Pati kënaqësinë e posaçme që hapjen ta bëjë kryetari i Këshillit organizativ të manifestimit ekonomisti Kujtim Boci, njëherit kryetar i FR të Degës së Krajës. Ai në fjalën e rastit ndër të tjera tha se Këshilli organizativ ka bërë përpjekje që manifestimi i sivjetshëm të jetë i begatë me përmbajtje të larmishme kulturore e sportive. Në të njëjtën kohë ai falënderoi edhe sponsorët që mundësuan të organizohet menifestimi “Vera 2009” në Krajë.
Pjesëmarrësit e shumtë të kësaj mbrëmjeje për herë të parë në Krajë patën rastin të shohin për së afërmi një ekpozitë të fotografisë artistike. Këtë kënaqësi atyre ua dhuroi fotografi amator Jenuz Gjeçbritaj me objektivin e fotoaparatit të tij.
Të flasësh për vlerat artistike të fotografive të ekspozuara duhet të jesh profesionist në këtë lëmë, por s’do mend se fotografitë e ekspzuara i kalojnë pa mëdyshje suazat e një amatori në këtë lëm të artit pamor. Kjo ishte evidente gjithandej. Objektivi i aparatit të Jenuzit ka fiksar dhe kapur pamje të tilla që syri jonë nuk mund t’arrijë t’i shohë . Natyra e virgjër, liqeni më valë, lindja e dielli, muzgu, pejzazhe në të katër stinët e vitit, pamje këto të fiksuara me syrin e mprehtë të autorit, padyshim se janë një arritje në artin pamor të imazheve statike. Secila fotografi e ekspozuar ka mesazhin e vet. Fryti i gështenjës buzëqesh me dhëmbët e fildishtë dhe me ngjyrën e saj specifike. Duket se kërkon mëshirë dhe lutet që ta ruajmë, kërkon të mbetët autoktone ashtu siç ka qenë gjithmonë. Shumica e fotografive janë mostër e natyrës së virgjër të nënqiellit të Rumisë. Këto imazhe të mrekullueshme publiku i vlerësoi lart edhe nga vetë fakti se i dhuruan një kënaqësi shpirtërore të veçantë atij.
Më pastaj mbrëmja vazhdoi me promovimin e librit “Motet” të autorit Ali Gjeçbritaj, përmbledhje kjo me poezi. Lidhur me përmbledhjën folën Syme Kokaj, redaktore e librit, Hajredin Kovaçi, recenzent dhe mr. Anton Gojçaj, shkrimtar dhe kritik letrar. Dashamirët e fjalës së shkruar patën rastin që të dëgjojnë edhe disa poezi nga kjo përmbledhje të interpretura për mrekulli nga moderatorja e mbrëmjes Teuta Gjeçbritaj dhe recituesja e njohur nga Kraja Jasmine Gjençiqi. Për dashamirët e librit dhe të letersisë në përgjithësi ishte promvimi i parë e një libri në Krajë gjë që paraqet një evenimemt të posaçem kulturor në këtë trevë me tradite në rrafshin e letrave shqipe. I gjithë ky aktivitet u zhvillua në Shtëpinë e Kulturës në Ostros.
Mbrëmja e dytë e “Ditëve të kulturës dhe të sportit” u mbjat të premtën më 17 korrik po ashtu në Shtëpinë e Kulturës ku u shfaq komedia “ I biri i lugatit” të autorit Krist Berisha. Interpretun për mrekulli nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Gj. K. – Skënderbeu”, anëtarë të seksionit të dramës. Loja në skenë e aktorëve të rinj për një orë e gjysmë sa zgjati shfaqja e kënaqi publikun e shumtë që kishte mbushur sallën. Krahas nxënësëve aktorë meritë të madhe në realizimin e kësaj komedie ka Aishe Gjeçbritaj e cila e vuri në skenë këtë komedi. Kujtojmë se këta nxënës brenda një viti me regjinë po ashtu të profesoreshës së letërsisë dhe gjuhës shqipe që e cekëm më lartë kanë shfaqur me sukses edhe dy drama të tjera “Halili e Hajria” të Kolë Jakovës dhe “Nuk vritet pranvera” të Fadil Krajës. S’do mend se është ky një aktivitet i madh i këtij seksioni dhe i udhëheqëses së tij.
Dita e tretë e manifestimit kryesisht iu kushtua aktiviteteve sportive e që kësaj here dominuan sportet në ujë, por nuk u lanë anash as sportet e tjera tradicionale dhe bashkëkohore.
Ky aktivitet u mbajt në Skje, saktësisht në Molëm e Hutajve, në Liqenin e Shkodrës, në afërsi të pikës kufitare të dikurshme me Shqipërinë. Kërcimet në ujë nga lartësia e molos, garat në notim në kategori të ndryshme dhe stile të ndryshme, lundrimi nëpër Liqenin e Shkodrës si dhe garat në rremim me sule ishin karakteristikat e kësaj dite. Për fat të mirë edhe koha të dielën më 19. korik kur u mbajt ky aktivitet ishte e përshtatshme. Po në këtë ditë në bregun e Liqenit të Shkodrës u mbajt një ligjëratë nga ekologjia ku temë boshte ishte: Mbrojtja e biodiversitetit të Liqenit të Shkodrës dhe bregut të tij. Lidhur me organizimin e kësaj dite sa sportive aq edhe rekretative e relaksuese, pse jo edhe ekologjike meritë kanë Xhafer Cukaj dhe Samih Doda, aktivistë të dalluar të shumë aktiviteteve të ngjashme në Krajë.
Këto tre aktivitete kulturore e sportive të mirëfillta i paraprinë manifestimit qendror, atij tashmë tradicional që rregullisht mbahet tash shtatëmbdhjetë vjet me radh.. E martja me 21 korrik ishte planifikuar nga Këshilli Organizativ për mbajtjën e tij. Kjo kohë është edhe më e përshtatshmje për një manifestim të tillë edhe nga vetë fakti se edhe mërgimtarët e shumtë nga këto anë pikërisht në këtë kohë i kalojnë pushimet në vendlindje. Zatën edhe për këtë organizatori viteve të fundit manifestimin po e organizon në korrik.
Që nga perëndimi i diellit vargu i njerzëve ia mësynë vendit ku u mbajt manifestimi. Kolonat e veturave vinin nga të dy krahët që shpiejnë për në qendër të Krajës, Ostros. Nga çasti në çast terrenet e hapura sportive të shkollës mbusheshin plot e përplot. Bina e stolisur me pamje nga vendbanimet e Krajës e zbukuroi eshe më shumë ambientin e natës së këndshme verore në Krajë. Nuk ka gjë më të bukur se orkestrimi i mrekullueshëm i dy të rinjve kranjanë, Ilirit dhe Dardanit që në fillim me instrumente shqiptare presin manifestuesit. Në skenë ngjitet Teuta, kjo princeshë ilire që me të veretetë i shkon për shtati së bashku me Ilirin dhe Dardanin kësaj feste. Përshëndesin të parnishmit Ali Gjeçbritaj, njëri nga themeluesit e manifestimit qysh në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhe falënderojnë të gjithë ata që gjatë gjithë këtyre viteve dhanë kontributin e tyre në organizimin e Festës së Krajës. Përmend ai edhe Ruminë dhe objektin e kishës së metalt në maje të sajë që u vu me ndihmën e helikpterëve të Ushtrisë serbo – malezeze më 18.06.2005, nga kur edhe u privuan alpinistët që të vizitojnë këtë majë të bjeshkës. Në skenë ngjitet deputeti Mehmet Bardhi i cili përgëzon organizatorin për organizimin e këtij manifestimi. Përshëndet dhe uron të gjithë ata që kanë ardhur nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, nga diaspora, Shqipëria, Kosova. Deputeti Bardhi në fjalën e tij, mes tjerash kërkon që sa më parë të hiqet objekti metaltë i kishës nga maja e Rumisë. Bardhi zotohet para mijëra manifestueseve se si edhe deri më tash do të angazhohet në heqjen e këtij objekti nga Rumia dhe deklaron se do ta çojë në vend kërkesën e popullit. Radhën e ka pjesa argëtuese e mbrëmjes. Moderatorja fton në skenë Myzafer Koliqin, ai që i dha shkëlqimin manifestimit vite me radhë. Edhe sonte bilbili i Krajës ia nis e pari, si gjithmonë. Këngët kushtuar Krajës, Taraboshit, Muriqit e nisin pjesën muzikore të mbrëmjes. Tingëllojnë bukur fjalët Krajë, Tarabosh, Smajl Sallaku, jemi vëllëzër të një gjaku, jo nuk ndahet vëllu me vëlla …duartrokitje frenetike për këngëtarin kranjan.
Prakalojnë më pastaj këngëtarë të trevave shqiptare në Mal të Zi. Kënga e tyre përcillet me vallëzim të të rinjve dhe entuziazëm. Pasojnë vallet e bukura të përgatitur nga koreografi shkodran Aldo Nika, luajtur nga grupi i valleve të shkollës në Ostros. Vallja e fluturave dhe Po vjen nusja, padyshim se janë një realizim i mrekullueshëm i valltareve të reja.
Mysafirë specialë të mbrëmjës ishin Çiljeta Xhilaga dhe Sinan Hoxha. Dalja e tyre në skenë zgjon entuziazëm të papërshkruar ndonjëherë në Krajë. Këngët e kënduara nga këta artistë të estradës publiku i duartroket gjatë, dy këngëtarët tiranas kanë ardhur nga kryeqyteti shqiptar në Krajë pikërisht pasi kanë dëgjuar se në Krajë organizohet një festë e tillë. Artistët tiranas u mahnitën me bukuritë natyrore dhe u befasuan për të mirë për mikpritjen e Krajanëve. Miku i tyre Zaim Lika me prejardhe nga Boboshti, e që momentalisht shërben në ambasadën Franceze në Tiranë ka meritën më të madhe për pjesëmarrjen e Sinanit dhe Çiljetës në manifestimin e Krajës. Nuk mungoi as kënga shkodrane. Shkodër locja gjithmonë ka qenë me Krajën. Për këtë u përkujdes këngëtarja e re shkodrane Adelina Corraj nën përcjelljen insrimentale të profesorit Bardhyl Hysa.
Kënga dhe vallja shqipe u këndua dhe u luajt deri pas mesnatës. Nuk mbahet mend ndonjëherë që në një vend të grumbullohen aq mynifestues siç ndodhi kësaj here.
Të gjithë pjesëmarrësit u gostitën me ushqim tradicional, me petulla, djathë, mjaltë si dhe me ushqime të tjera bashkëkohore dhe tradicionale.
Për këtë meritë padyshim ka organizatori, LD në MZ-Dega e Krajës, gjegjësisht Forumi Rinor i degës në Krajë.
Çfarë të thuhet në fund?
Një gjë është më së evidente. Edhe në trevat më pak të urbanizuara mund të organizohet jetë kulturore. Këtë e dëshmoi edhe ky manifestim. E themi këtë sepse ka mjaft argumente që e vertetojnë këtë. Të hapësh një eksozitë, të promovosh një libër, të garosh në notim, të marrin pjesë këngëtarë dhe artistë të njohur të estradës shqiptre, ndër më të njohurit etj. është padyshim një arritje e madhe në kultivimin e traditës kulturore jo vetëm të Krajës por edhe më gjerë. Kjo edhe kësaj here u arrit me aktivitet dhe punë vetëmohuese të të gjithë atyre që e duan artin dhe kulturën dhe bëjnë përpjekje maksimale që ta ruajnë dhe kultivojnë atë.
Të shtojmë në fund se sponsor kryesor të manifestimit të sivjetshëm ishin Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Komuna e Tivarit shoqata atdhetare “Kraja” me seli në New York si dhe donatorë të tjerë nga Kraja, Tivari dhe Ulqini. Organizatori përzemersish i falenderon të gjithë sepse pa ndihmën e tyre nuk do ishte e mundur të organizohej një manifestim i tillë.

Ali Gjeçbritaj
Koha Javore

YouTube Preview Image

1