Silver Korda; Bejtexhiu i fundit i Ulqinit

August 10, 2009   | Kulturë / Kultura

silver kordaBejte te Silver Korders jam ba me m’qa ne pece te zezeMbi librin më të ri me bejte të Silver Kordës “jam ba me m’qa në pecë të zezë
Ndonëse i larguar tash tri dekada nga vendlindja, Silver Korda nga Ulqini është larguar vetëm fizikisht, sepse me botën e tij shpirtërore është vazhdimisht në Ulqin. Dhe se është i tillë dëshmon edhe ky botim me qasjen dhe trajtimin origjinal të çështjeve përkatëse. Sepse duke qenë në emigrim, ai e ndien më tepër se kurrkush mungesën e qytetit të tij të lindjes.
Opinioni i gjerë e ka të njohur se letërsia e bejtexhinjve në hapësirën shqiptare daton nga shek. XVIII e më pas, dhe se origjina e saj është nga kultura orientale. Si e tillë ajo është bërë pjesë e fondit të kulturës së popullit tonë.
Fjala bejtë rrjedh nga fjala turke që në shqip do të thotë “vjershë”. Te letërsia e bejtexhinjve gjeti shprehje fryma laike e më pas ajo fetare. Një krijimtari e tillë u ngulit në hapësirën shqiptare, fillimisht në qytetet më të zhvilluara shqiptare të kohës si Berati, Elbasani, Shkodra, Prishtina, Gjakova etj. Bejtexhinjtë shqiptarë e shkruanin shqipen me alfabet arab, ndonëse gjuha e tyre ishte me ndikime nga gjuha turke, arabe e persiane.
Për kohën e tyre bejtexhinjtë kishin rolin e poetëve, madje ata kanë pasur ndikim më pas te poetët e njohur të letërsisë shqiptare. Sidoqoftë, për kohën ata kanë luajtur misionin e tyre, ndërsa më pas janë zbehur, duke mbetur si relikte në mjedise të caktuara.
Në ketë aspekt rast specifik paraqet qyteti i Shkodrës sepse ata janë bërë pjesë e humorit, që në ketë frymë pasqyrohen edhe në estradën e qytetit.
Në grupin e këtyre krijuesve bën pjesë edhe Silver Korda i cili merret me një krijimtari letrare e cila është specifike jo vetëm për Ulqinin, por edhe për tërë letërsinë shqiptare.
Duke pasur parasysh traditën e tij familjare, ai ka trashëguar këtë gjen në mënyrën më të mirë duke qenë transmetuesi më besnik i saj. Dhe nga një fond i tillë, ai adhuruesve të bejteve iu prezantohet me botimin më të ri me titull “Jam ba me m’qa në pecë të zezë”.
Nuk ka dilemë se libri më i ri është rezultat i një përvoje dhe pune krijuese disavjeçare, duke iu sjellur lexuesve një botim origjinal nga ky lloj i letërsisë.
Ndonëse i larguar tash tri dekada nga vendlindja, ai nga Ulqini është larguar vetëm fizikisht, sepse me botën e tij shpirtërore është vazhdimisht në Ulqin. Dhe se është i tillë dëshmon edhe ky botim me qasjen dhe trajtimin origjinal të çështjeve përkatëse.
Sepse duke qenë në emigrim ai e ndien më tepër se kurrkush mungesën e qytetit të tij të lindjes. Dhe nga një nostalgji e tillë, ai me intuitën e tij krijuese nuk ka qëndruar statik, por vazhdimisht ka medituar dhe ofruar krijime të reja nga kjo gamë e letërsisë. Dhe nuk ka dilemë se diçka të tillë ka mundur të ofrojë vetëm individi i cili pas pasionit ka edhe gjenin krijues.
Silver Korda_ulqinPasi ky lloj i letërsisë pothuajse është në zhdukje e sipër dhe si e tillë për kohën e ka luajtur misionin e saj, nuk gabojmë nëse themi se Silver Korda është autori i fundit i bejtexhinjve jo vetëm në Ulqin, por ndoshta edhe në tërë hapësirën mbarëkombëtare.
Duke lexuar bejtet e këtij botimi, por edhe të tjerat nga Silver Korda, njeriu ndien një farë relaksimi shpirtëror, madje nuk gabojmë nëse themi se ato janë një lloj terapie e veçantë mjekësore. Sepse, çështjet e trajtuara përfshijnë një gamë të gjerë temash, duke kritikuar individë apo dukuri të ndryshme shoqërore të aktualitetit tonë me mjete shprehëse figurative.
Në fund them me bindje të plotë se këto bejte janë mesazhe për ata që dinë t’i kuptojnë, për një përdorim më të gjatë. Si i tillë ky libër pasuron fondin e botimeve të krijuesve të vendlindjes dhe do të lexohet me endje nga të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar.

Dr.Nail Draga
Koha Javore

7