Janë rrezikuar bukuritë natyrore të Ulqinit

August 18, 2009   | Reportazh / Reportaža

Ada Bojana ulqin_ulcinj_montenegroAda po zhduket në sytë tonë
Natyra nuk mund ta durojë më këtë prishje të baraspeshës dhe prandaj kemi këto procese të tmerrshme. Thjeshtë nuk mundem të mos e citoj një pjesë të mesazhit të kryeparit indian nga Sietlli drejtuar njeriut të bardhë në vitin e kahmotshëm 1854: “Ky ujë i kristaltë që rrjedh nëpër përrockat dhe lumenjtë e shpejtë nuk është vetëm ujë por edhe gjak i të parëve tanë. Lumenjtë janë vëllezërit tonë, ato na shuajnë etjen. Lumenjtë bajnë kanutë tona dhe ushqejnë fëmijët tanë.
Të gjithë klientët që pushimet e verës i kalojnë në Ulqin kryesisht vinë për shkak të bukurive të tij të natyrës, plazheve të bukura, detit të mrekullueshëm, qiellit të kaltër, ajrit të pastër.
Për këto gjithmonë na e kanë lakmi dhe shpeshëherë na porositin me nostalgji: ruajeni këtë bukuri.
E kjo bukuri, resursi ynë më i vlefshëm, po zhduket me shpejtësi para syve tonë apo devastohet në mënyrë brutale. Kjo po ndodhë me Pyllin e pishave, kanalet Port Milena dhe Bratica janë bërë shëmti e qytetit nga të cilat përhapet aromë kundërmuese e padurueshme. Më saktësisht, ato janë bërë plehërishte të vërteta dhe burim infektimi në zemër të qytetit. Për raportin ndaj ullishtës në Valdanos, e cila madje është e mbrojtur edhe me ligj dhe para 40 vitesh është shpallur përmendore e natyrës, nuk duhet më të shpenzohen fjalë. mjafton vetëm një fjalë e vetme: Turp. Më saktësisht krim!
Kujt t’i flitet atëherë se çdo vit po zhduken dunat në Plazhin e Madh, të cilat gjithashtu janë të mbrojtura me ligj, se peshqit edhe tash e tutje po vriten me dinamit, se çrregullohet qëndrimi dhe furnizimi i peshqve në Kripore.
Atëherë, si mund të pritet përkrahja e natyrës për gjithë atë që po bëhet, kur po çrregullohet kjo qetësi dhe harmoni e mrekullueshme, kur po bëhen çrregullime në tokë dhe në det.
Ndoshta kjo shihet më së miri në shembullin e Adës, e cila po zhduket. Shumëkush do të thotë: jo, nuk jemi ne fajtorë, fajtore është Shqipëria që po ndërton hidrocentrale në Drin. Sepse, në këtë mënyrë pengohet grumbullimi i sedimenteve nga ky lumë, të cilat sedimente para 130 vitesh krijuan këtë ishull të mrekullueshëm. Dhe kjo është e saktë: Drini është më i rëndësishëm se Buna për jetëgjatësinë dhe ruajtjen e Adës. Mirëpo, kush e ka shkatërruar tërë ekosistemin dekada me radhë, këtë ambient natyror të shtazëve dhe bimëve të rralla, kush krijoi nga Ada vendin e shfrenimit dhe lakuriqësisë?! Kush e plagosi dhe lëndoi Bunën, kështu që ata që kanë shpirt mund të dëgjojnë se si sot ajo dënesë?!
Natyra nuk mund ta durojë më këtë prishje të baraspeshës dhe prandaj kemi këto procese të tmerrshme. Thjesht nuk mundem të mos e citoj një pjesë të mesazhit të kryeparit indian nga Sietlli drejtuar njeriut të bardhë në vitin e kahmotshëm 1854: “Ky ujë i kristaltë që rrjedh nëpër përroskat dhe lumenjtë e shpejtë nuk është vetëm ujë por edhe gjak i të parëve tanë. Lumenjtë janë vëllezërit tonë, ato na shuajnë etjen. Lumenjtë bajnë kanutë tona dhe ushqejnë fëmijët tanë.
Ne e dimë se njeriu i bardhë nuk e kupton jetën tonë. Për ta një pjesë e vendit është e barabartë me tjetrën, sepse ai është i huaj që vjen natën dhe merr nga toka gjithçka që dëshiron. Për të toka nuk është vëllai i tij por armiku i tij dhe kur ta nënshtrojë ai vazhdon tutje. Ai lë pas vetes varret e baballarëve dhe nuk kthen kokën. Ai rrëmben tokën nga fëmijët e vet dhe nuk bëhet merak. Ai sillet ndaj nënës-tokë dhe ndaj vëllait qiell si ndaj sendeve që mund të blihen, të plaçkiten, të shiten si kope apo si stoli vezulluese. Oreksi i tij do të përbijë tokën dhe do të lë vetëm shkatërrim.
Nuk ka vend të qetë në qytetet e njeriut të bardhë. Nuk ka vend ku mund të dëgjohet çelja e gjetheve në pranverë as dridhja e krahëve të insekteve.
Dhe çka është jeta nëse njeriu nuk mund të dëgjojë klithmën e vetmuar të bricjapit apo grindjen e bretkosave natën në moçal?
Për njeriun e kuq ajri është i shtrenjtë sepse çdo gjallesë ndan të njëjtën frymë – shtaza, bima, njeriu. Njeriu i bardhë duket sikur nuk e vëren ajrin që thith. Ai është topitur ndaj qelbësirës sikurse njeriu që është duke vdekur tash e sa ditë. Po ç’është njeriu pa shtazë? Nëse shkojnë të gjitha shtazët, njeriu do të vdesë nga vetmia e madhe e shpirtit. Çfarëdo që t’u ketë ndodhur shtazëve, do t’i ndodhë së shpejti edhe njeriut. Të gjitha gjërat janë të ndërlidhura.
Çfarëdo që t’i ndodhë Tokës, do t’u ndodhë edhe të bijve të Tokës. Nëse njeriu pështynë në Tokë, pështynë mbi vetveten. Toka nuk i përket njeriut; njeriu i përket Tokës”.
Këtë të vërtetë e tha kryepari i madh indian i Sietllit: Nuk kishte kush ta dëgjonte! Së këndejmi tani është momenti i fundit që të vendosim paqe me natyrën dhe me traditën dhe t’u kundërvihemi fuqimisht këtyre projekteve keqbërëse, nga cilado anë të vijnë ato.

Mustafa Canka
Koha Javore

YouTube Preview Image