Kollomza bëhet me kishë të re

September 2, 2009   | Shoqëria / Društvo

Kisha _Shen Maria_Kollomze_UlqinBekimin, inaugurimin dhe shugurimin e këtij objekti të vogël, por të bukur, i cili në gjuhën e fesë quhet tempulli ose shtëpia e Zotit, solemnisht e bëri arqipeshkvi i Tivarit monsinjor Zef Gashi, pikërisht ditën e festës të të ngjiturit të Zojës në qiell.

Besimtarët katolikë të fshatit Kollomzë nga data 15 gusht 2009 u bënë me kishë të re të “Shën Marisë” dhe tash e tujte nuk do të ndjekin meshën shenjte në barakën e vjetër të ndërtuar para 3o vjetësh. Bekimin, inaugurimin dhe shugurimin e këtij objekti të vogël, por të bukur, i cili në gjuhën e fesë quhet tempulli ose shtëpia e Zotit, solemnisht e bëri arqipeshkvi i Tivarit monsinjor Zef Gashi, pikërisht ditën e festës të të ngjiturit të Zojës në qiell.
Në këtë kremte fetare , në një atmosferë vëllazërore, morën pjesë një numër i madh i besimtarësh katolikë, famullitarë nga Ulqini, Tuzi e Tivari, përfaqësues të komuniteteve fetare të Komunës së Ulqinit, kryemimami i Bashkësisë Islame, Rexhep Lika, peshkopi ortodoks, Radojica Bozhoviq, zyrtarët më lartë vendorë, kryetari i KU Gëzim Hajdinaga, nënkryetari Nail Rexha, kryeparlamentari Muhamet Nika, nënkryetari i komunës, me bashkëpunëtorët e tyre, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve Luigj Shkreli, përfaqësuesit e subjekteve politke shqitare: Nazif Cungu, lider i Forcës së Re Demokratike – Forca dhe Ali Rexha lideri i Partisë së Prosperitetit Demokratik si dhe të
ftuar të tjerë të besimeve të ndryshme. Interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në hapjen solemne të kësaj kishë ka qenë aq i madh saqë shumica e tyre ceremoninë solemne e përcollën në oborrin e kishës, sepse kisha e re ishte e vogël për ti pranuar të gjithë.
Arqipeshkvi i Tivarit, monsinjor Zef Gashi në fjalën e bekimit, pasi falënderoi besimtarët, donatorët dhe të gjithë të pranishmit, theksoi
rëndësinë e ndërtimit të kishës dhe falënderoi donatorët.. “Ndërtimi i kësaj kishë e cila i dedikohet Zojës së bekueme me titull “ Të ngjiturit në qiell” u ndërtua me ndihmën e Zotit dhe të njerëzve (besimtarëve) bamirë të cilët nuk kursyen mundin, djersën as xhepin e
tyre. Arqipeshkvi Gashi me këtë rast bëri të ditur se famullitari i deritashëm në famullinë e Kollomzës dhe vëllai i tij, famullitar në famulllinë e i Shëngjergjit pas punës jashtëzakonisht të suksesshme trivjeçare pastorale nuk do të shërbejnë në këto famulli dhe se ata do të zëvendësohen me meshtarët e rinj, sapo të shuguruar,dom Gabrielin dhe dom Palushin. “ Ndonjëherë ata që janë të suksesshëm në ndonjië vend nuk duhet lënë gjatë aty, por duhet të tranferohen në një vend tjetër me të vetmin qëllim që edhe atje të arrijnë suksese e të bëjnë punë të mëdha dhe të mira, siç kanë bërë në rastin konkret binjakët dom Alberti dhe dom Roberti Jakaj “, u shpreh Gashi., duke i falënderuar këta famullitarë për
kontributin e tyre të madh dhe me vlerë gjatë punës së tyre trevjeçare pastorale në famullitë e Ulqinit.
Akti solemn i bekimit, shugurimit dhe përurimit të këtij objekti fetar u shoqërua me meshën shenjte për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të dom Albert Jankaj, faumllitar i kësaj famullie dhe realizues i këtij projekti. Dom Alberti, duke ua uruar besimtarëve të Kollomzës ta gëzojnë kishën e tyre falënderoi arqipeshkvin e Tivarit monsinjor Zef
Gashin me bekimin apostolik të të cilit u mundësua ndërtimi i kësaj kishë dhe donatorët e shumtë vendorë, në veçanti ata në diapsorë. “Arqipeshkvi që kur erdhi me shërbim në Arqipeshkvinë e Tivarit gjithmonë ka thënë se Kollomza e meriton një tempull të Zotit. Ai me butësinë dhe me mirësinë e tij ka ardhë dhe i ka përcjellë punimet në ndërtimin e kishës dhe me bekimin e tij apostolik kemi filluar dhe kemi përfunduar në emër të Zotit
këtë tempull të shenjtë, falë donatorëve kollomzian, bratician, salçian dhe krythian që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, në Amerikë, Australi, dhe Gjermani”, tha dom Alberti, duke i falënderuar të gjithë njerëzit vullnetmirë që në një formë ose tjetër kanë kontribur në ndërtimin e kishës, numri i të cilëve nuk është i vogël.
Në listën e publikuar të Këshillit të kishës figuron se donatorët vendorë kanë dhënë 20.445 euro, donatorët nga Nju-Jorku 52.720 $, donatorët nga Çikago 14.960 $, donatorët nga Australia 6020 $, kurse donatorët nga Gjermania, 6900 euro. Sipas fjalëve të dom Alberitit Komuna e Ulqinit, respektivisht kryetari Hajdinaga ka dhënë 2000 euro, kurse Forca e Re Demokratike-Forca 400 euro. “Përveç këtyre donacioneve ndërtimin e kishës me punë vullnetare e kanë ndihmuar edhe shumë individë të tjerë, përfaqësues të disa institucioneve komunale. Truallin për ndërtimin e kishës, të cilën e ka projektuar Aleksandër Daboviqi, e ka dhuruar falas Kola i Çekës Nilloviq dhe vajza e tij Mara, tha dom Alberti.
Pas meshës solemne në emër të Këshillit të kishës foli Gjergj Daboviqi, në emër të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, pastaj deputeti Luigj Shkreli, kryemimami i Ulqinit dhe peshkopi ortodoks. Solemniteti u mbyll me një koktej të pasur me pije, ëmbëlsira, e specilaitetete nga kuzhina vendase.

Gj.Gjonaj
Koha Javore


1