Intervistë me deputetin e koalicionit shqiptar “Perspektiva”, Amir Hollaj

September 24, 2009   | Intervista / Intervju

amir-hollaj-koalicioni-shqiptar-perspektiva (2)Vetëm të bashkuar mund të kemi suksese

Me plotësimin e kërkesave tona dhe të pakicave të tjera në Mal të Zi, bazuar në të drejtat tona të parapara me Kushtetutë dhe dokumente ndërkombëtare, integrimi ynë në shoqërinë malazeze e bën më të sigurt dhe më të suksesshëm integrimin – anëtarësimin e Malit te Zi në BE.

Koha javore: Z. Hollaj, gazeta jonë ka hapur temën në lidhje me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike. Cili është qëndrimi i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, i cili në zgjedhjet e 29 marsit fitoi një deputet, për këtë çështje?
A. Hollaj: Kjo është temë shumë interesante dhe e rendësishme, temë që ne politikanët po mundohemi ta shtjellojmë dhe ta prezentojmë sa më mirë para subjekteve relevante shtetërore dhe në Parlament. Unë dhe të gjithë kolegët e mi me vite të tëra i kushtojmë shumë rëndësi, por me keqardhje nuk po jep rezultatet e duhura dhe të pritura. Shteti i Malit të Zi është nënshkrues dhe e ka ratifikuar Konventën ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të pakicave. Kjo parashikohet edhe me Kushtetutën e re si dhe nga vetë fakti që Mali i Zi ka zgjedhur rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në BE, rrugën e shumëpritur për ne shqiptarët e edhe për të gjithë qytetarët e Malit të Zi. Për të arritur këtë, me siguri që duhet të respektojë atë çfarë ka nënshkruar dhe çfarë synon.
Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” ka qëndrim të prerë rreth kësaj teme. Ajo që është arritur me angazhimin e të gjithe neve, nuk guxon të vihet në pikëpyetje, por mendoj se duhet mbrojtur me me gjith kapacitetin demokratik. Pa dyshim, për këtë nuk jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të bëjmë lëshime, por nëse nuk mundet më shumë, atëherë e arritura është minimumi ynë. Këtu mendoj për Ligjin zgjedhor i cili duhet të harmonizohet me Kushtetutën e Malit të Zi, komform ligjeve të BE-së.
Unë e kam thënë dhe po e përsëris, që për ne shqiptarët që pa rezervë dhamë kontributin tonë për fitimin e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Malit të Zi, duke zgjedhur rrugën më të mirë që na u ofrua për momentin, për ç’gjë jam shumë i sigurt se nuk gabuam, qeveria dhe shoqëria malazeze e ka obligim dhe detyrë t’i realizojë premtimet e dhëna.
Ne shqiptarët, aktualisht nuk jemi fare të kënaqur me pozitën, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen tonë në jetën publike të Malit të Zi në përgjithësi. Këtu kam parasysh përfaqësimin dhe pjesëmarrjen tonë adekuate, si dhe mënyrën proporcionale të përfaqësimit në Qeverinë e Malit të Zi, në gjykata, në organet shoqërore dhe në ndërmarrjet publike, në organet e punëve të brendshme dhe të sigurisë, etj. Me një fjalë, kërkojmë integrimin tonë në të gjitha sferat e shoqërisë së shtetit të Malit të Zi.
Kur të arrihet kjo dhe në këto vende të kemi persona me vlerë dhe me perspektivë, intelektualë dhe profesionistë të denjë për të na prezentuar, për çfarë nuk dyshoj dhe jam shumë i bindur se kemi kuadro të tillë të rinj dhe me përvojë, e jo të kemi vetëm përfaqësim numerik, domethënë poltronë, kontributi i tyre do të jetë i madh në zhvillimin e shoqërisë, ekonomisë, kulturës, shkencës, sigurisë, etj., pra në zhvillimin e shtetit të Malit të Zi.
Me plotësimin e kërkesave tona dhe të pakicave të tjera në Mal të Zi, bazuar në të drejtat tona të parapara me Kushtetutë dhe dokumente ndërkombëtare, integrimi ynë në shoqërinë malazeze e bën më të sigurt dhe më të suksesshëm integrimin – anëtarësimin e Malit te Zi në BE.

Koha javore: Pjesëmarrja e pakicave në jetën publike është njëri nga parakushtet e rekomandara nga institucionet europiane për shtetet që kanë aspirata të integrohen në Bashkimin Eur?pian. Çfarë do të bëni Ju si deputet për jetësimin e këtyre rekomandimeve?
A. Hollaj: Jemi shumë të vetëdijshëm se Mali i Zi për momentin gjendet në një situatë e cila e detyron dhe e obligon atë që të respektojë, në rend të parë Kushtetutën e vet e mandej ligjet e veta, ligje këto të cilat në mënyrë të përshpejtuar duhet të harmonizohen dhe koordinohen me ato të Bashkimit Europian.
Rekomandimet e Komisionit Europian që i bëhen Qeverisë së Malit të Zi janë të qarta dhe në veçanti rreth respektimit dhe përfshirjes së pakicave kombëtare në jetën e përditshme dhe politike të shoqërisë malazeze. Si deputet nga radha e Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, e së shpejti shpresoj edhe si anëtarë i klubit të subjekteve politike shqiptare që do të zyrtarizohet besoj këto ditë, do të përqendrohem në radhë të parë që, e përsëris, ligjet që do të harmonizohen dhe do të koordinohen me ato të BE-së, të mos jene në disfavorin tonë, por përkundrazi të na vendosin në një pozitë më të volitshme. Të arriturat konkrete që i kemi në këtë moment, si njësia e posaçme zgjedhore për shqiptarët dhe numri prej pesë deputetësh nga kjo njësi zgjedhore të avancohet dhe të përmirësohet, në mënyrë që këta përfaqësues të jenë vetëm nga radhët e subjekteve politike shqiptare. Për rekomandimet e institucioneve europiane pak a shumë jemi të njoftuar përmes mediave publike e private. Me qëllim po e ceki këtë sepse pres që këso emisionesh, të llojit të këtillë informativ, të kemi edhe në gjuhën shqipe, kërkesë kjo e imja që të rritet numri i emisioneve dhe kohëzgjatja e paraparë për emisionet në gjuhën shqipe.

Koha javore: Çfarë mund të bëni Ju që shqiptarët të jenë më të përfshirë në institucionet dhe organet shtetërore, duke e ditur faktin se në disa prej tyre nuk figurojnë fare pjesëtarë të pakicës shqiptare?
A. Hollaj: Që të kemi sukses në punën tonë si deputetë në Parlamentin e Malit të Zi, apeloj që të ruajmë dinjitetin tonë dhe të veprojmë së bashku në këtë drejtim. Pra, vetëm të bashkuar dhe unikë në kërkesat tona mund të shpresojmë në suksese.
Për kërkesat tona madhore ne duhet të kemi një qëndrim të qartë dhe të prerë. Nuk guxojmë që që në punën tonë të shenjtë interesat personale-politike të jenë para atyre madhore – interesave të përgjithshme dhe me shumë rëndësi për ekzistencën tonë.
Trevat ku jetojnë shqiptarët janë specifike, si për nga territori, gjuha, kultura, historia, zhvillimi ekonomik, prandaj pozita në të cilën gjendemi ne është shumë e qartë. Ne deri më sot jemi të lënë anash në çdo aspekt, jemi pjesa më e pazhvilluar ekonomikisht. Investimet në këto treva, si në ekonomi, arsim, kulturë, bujqësi, infrastrukturë, nga ana e Qeverisë janë pothuajse minimale dhe si rrjedhim i kësaj të rinjtë tanë nuk shohin perspektivë edhe përkundër faktit se kanë kryer shkolla, janë arsimuar dhe kanë arritur suksese në shkollim. Ata atëherë kur duhej të kontribuonin në zhvillimin e vendit, janë të detyruar të marrin rrugën e kurbetit për të siguruar ekzistencën për vete, në rend të pare, e pastaj edhe për të afërmit e vet që hoqën bukën e gojës për t’ua mundësuar shkollimin. Pra, këta të rinj, këta kuadro nuk duhet lejuar që të lëshojnë vendin e vet, por iu duhet mundësuar të tregojnë se janë të vlefshëm dhe se kontributi i tyre duhet të jetë këtu, në shtetin ku jetojnë dhe se pasuria jonë më e madhe është rinia. Pasuritë dhe bukuritë natyrore, turizmi dhe bujqësia, janë degë në të cilat duhet të investojmë. Për të zhvilluar këto, kërkojmë decantralizimin e pushtetit lokal dhe pjesëmarrjen tonë permanente në zhvillimin dhe projektimin e projekteve madhore për përparimin e trevave ku jetojnë shqiptarët. Zhvillimi dhe investimi në infrastrukturë është kërkesa jonë permanente.
Komuna e Tuzit – komunë si të gjitha komunat e tjera, po ashtu është një nga kërkesat tona nga e cila nuk do të heqim dorë, pasi që vetëm si e tillë ajo do të mundësojë zhvillimin e trevës së Malësisë dhe valorizimin e pozitës së shqiptarëve në këtë trevë.
Të mirat detare dhe kufiri i të mirave detare është temë me të cilën duhet të merremi në kontinuitet. Arsimi, programet arsimore, kultura, historia jonë kombëtare duhet ruajtur dhe hulumtuar e studiuar mirë.
Le t’i kthehemi temës. Para do ditesh shfletova nje web faqen zyrtare ku ishin pothuajse te gjithe personat qe kishin funksione te larta dhe me pergjigjesi ne instancat shteterore ne Malin e Zi dhe mund te ju them se mbeta shume i zhgenjyer me numrin e shqiptareve ne kete liste, pra një mungesë përfaqësimi në të gjitha institucionet shtetërore dhe gjyqësore, të sigurisë dhe mbrojtjes, ku shqiptarët janë apo më mirë të them nuk janë të përfaqësuar fare si pakicë që bëjnë pjesë me 7 për qind në popullsinë e Malit të Zi. Edhe nëse diku kemi përfaqësues, ky numër është shumë i vogël, edhe atë shpesh herë vetëm me kuadro joprofesionale dhe politike nga anëtarët e partive në pushtet, që vetëm numerikisht figurojnë dhe s’mund të ngrejnë zërin në favor të popullit të vet, respektimin e të drejtave të tyre sepse janë dorë e shtrirë e pushtetit.
Ne si Koalicion Shqiptar “Perspektiva” i kemi ofruar Qeverisë së Malit të Zi dhe Kryetarit të Malit të Zi bashkëpunim në të gjitha sferat, ku kemi kërkuar që të na shohin si partnerë të barabartë e jo marioneta, dhe problemet e shtruara t’i analizojmë dhe t’i zgjidhim bashkë, komform Kushtetutës dhe dokumenteve ndërkombëtare të parapara për pakica. Deri më sot nuk kemi hasur gatishmëri për respektimin e kërkesave tona dhe interesim që në këtë formë të kemi bashkëpunim korrekt.

Koha javore:
Çfarë u bë me marrëveshjen parazgjedhore e cila i siguronte z. Vasel Sinishtaj dy vitet e para të mandatit të deputetit?
A. Hollaj: Formimi i Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” e ka arsytuar dhe e ka verifikuar veten me një deputet në Parlamentin e Malit të Zi. Me këtë është arritur ajo që pakkush, e më mirë të them askush, madje as optimistët më të mëdhenj s’e prisnin. Për herë të parë pas shumë vitesh në Parlamentin e Malit të Zi kemi katër deputetë shqiptarë nga radhët e subjekteve politike nacionale shqiptare. Pra, ky është një sukses i të gjithë ne shqiptarëve që jetojmë dhe veprojmë në trojet tona etnike.
Marrëveshja e dy palëve konsiston në ndarjen e mandatit të fituar dhe në bazë të ligjit dhe marrëveshjes jam i sigurt që përfaqësimi i votuesve tanë do të jetë në nivel të njëjtë, si në këtë moment që koalicioni përfaqësohet nga unë, por edhe më pastaj kur Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” do të përfaqësohet nga z. Vasel Sinishtaj. Jam më se i sigurt që as njëri dhe as tjetri nuk do të largohemi nga kërkesat e votuesve tanë.

Koha Javore: Cili është bashkëpunimi ndërmjet subjekteve që përbëjnë Koalicionin “Perspektiva”, pra Aleancës së Re dhe Iniciativës Qytetare?
A. Hollaj: Një bashkëpunim korrekt që nga fillimi i nënshkrimit të tij, nga vetë fakti dhe qëllimi i mirë që të bëjë bashkimin e votave të shqiptarëve në Malin e Zi, bashkimin e dy trevave: Anës së Malit – Ulqinit dhe Malësisë – Tuzit e më gjerë, me qëllim që të mos lejojë shkapërderdhjen e votuesve.
Besoj dhe jam shumë i sigurt se kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, madje të intensifikohet edhe më shumë ky bashkëpunim. Falë votuesve tanë nuk kemi të drejtë asnjëra palë të lejojmë që të zbehet kjo arritje. Pas pushimeve verore na presin mjaft obligime që t’i intensifikojmë dhe t’i unifikojmë kërkesat tona të cilat duhet t’i drejtojmë në instancat më të larta shtetërore.

Koha Javore: Na tregoni mbi ecurinë e formimit të Klubit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi?
A. Hollaj: Që ditën e parë iu kam bërë të ditur kolegëve deputetë nga radhët e subjekteve politike shqiptare se unë jam për bashkëpunim, pa kompromis dhe pa kushte paraprake. Pikat për të cilat do të angazhohemi ne, janë pak a shumë për ne të pranueshme, ndërsa secili subjekt ka autonominë e vet jashtë këtyre pikave. Vetëm të bashkuar mund të kemi suksese. Të njëjtën gjë e kanë përkrahur dhe potencuar edhe deputetët e Forcës së Re Demokratike – FORCA dhe Listës Shqiptare (LD në MZ dhe ASH), kurse UDSH ka zgjedhur rrugën e vet, tashmë të njohur për të gjithë.
Shpresoj që këto ditë do të zyrtarizohet klubi dhe do të fillojë të punojë në të mirën e të gjithë neve. Mirëpo, duhet të ceki që vetëm vullneti i mirë i të gjithë neve mund të na sjellë sukses pasi jemi të vetëdijshëm që përfaqësimet individuale në vitet e kaluara kanë hasur në vesh të shurdhër, falë mosbashkëpunimit në mes të subjekteve shqiptare.

Bisedoi: M. Gjokaj
Koha Javore

YouTube Preview Image

1