Portret: Silver Korda dhe “Rikthimi” i bejteve

September 28, 2009   | Kulturë / Kultura

Silver Korda_ulqin

“Fuqia e bejtes është në shprehjet e shkurtra, të qarta, shumë domethënëse. Në këtë mënyrë mund t’i shpreh më qartë preokupimet që ngufat tek unë”, thotë Korda, duke shtuar se “ato janë të konsumueshme sidomos për ulqinakët që lexojnë fare pak”.

Pas gati njëqind vjetësh, kur shumëkush kishte menduar se një rrymë letrare aq e përhapur dikur në Ulqin, ajo e bejtexhinjve, ishte shuar, bejtet “rikthehen” sërish në këtë qytet. Kjo falë, në radhë të parë Silver Kordës, një ulqinaku që jeton në Zvicër, përfaqësuesit më të spikatur të kësaj gjinie letrare.
Në rrugën e tij krijuese një rol të posaçëm ka luajtur trashëgimia duke qenë se nëna e babait të tij, e njohur si Hanko Bejazja, ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e tij shpirtëror.
“Ajo nuk ka shkuar në shkollë, por ka pasur “100 fakultete jetësore”. Nuk ka ditë që nuk e citoj apo e përmendi gjatë bisedave të përditshme, qofshin private apo profesionale, sidomos në Zvicër. Bile edhe intelektualët zviceranë më pyesin shpesh se nga e nxorre këtë fjali apo mendim. Përgjigjja ime është se “këtë e ka thënë filozofja më e njohur, Bejazikus”.
Fillimin e shkrimit të bejteve, Korda e përshkruan si një erupcion shpirtëror që ka ndodhur tek ai. Atij i kujtohet fort mirë se kjo ka ndodhur në një prej restoranteve të Ulqinit, gjatë një mbrëmjeje, kur pronari i tij i kërkoi të shkruajë përshtypjet në librin e mysafirëve.
“Nuk e di se si m’u dha që përshtypjet e mia t’i shprehi përmes bejtes. Prej atij momenti, gjendja ime shpirtërore ka ndryshuar. Nuk ka kaluar ditë pastaj që nga unë nuk ka rrjedhur ndonjë bejte”, thotë Korda.

Rruga e transformimit

Bejtet e tij të para kanë qenë, siç thotë ai vetë, “alla ulqinakçe”, “si gur i pagdhendur”, të cilat ai i ka përmbledhur në librin e tij të parë “Bejte për Ulqinin”, të botuar në Zvicër në vitin 1997. Në këtë libër ai flet në mënyrë pozitive për Ulqinin dhe ulqinakët, duke i mbrojtur me çdo kusht ata, mbase edhe disa veti negative të tyre duke shpresuar se do të zhduken së shpejti.
Libri i tij i dytë me titull “Porsi gjëmbat e iriqit”, i botuar në vitin 2004, përbën vazhdimësi të librit të parë ku ai ka trajtuar shumë tema për të cilat ka folur edhe në librin e parë, kurse në librin e tretë “Jam ba me m’qa në pecë të zezë”, të botuar këtë vit, ai shpreh pezmin dhe mllefin e tij për dukuritë negative që po ndodhin në Ulqin.
“Në librin e dytë ka filluar të humbë ai optimizmi, kurse në librin e tretë shprehi mllefin, dëshpërimin, njëkohësisht pesimizmin, por edhe optimizmin ndaj të gjitha atyre dukurive të cilat i kam trajtuar në të tre librat”, thotë Korda.
“Libri i tretë është rezime, konkludim i përshtypjeve dhe i brengave të dy dekadave të fundit “të zhvillimit dekadent” të mentalitetit, nivelit shpirtëror dhe intelektual të ulqinakëve”, vazhdon ai.
Korda e pranon se që nga koha e botimit të librit të tij të parë në vitin 1997 e deri më sot bejtet e tij kanë pësuar transformime të mëdha.
“Bejtet që i kam shkruar para dhjetë viteve dallojnë me ato që i kam shkruar më vonë “si dita me natë”. Ato të mëparshmet kanë vlerën e vet pasi që janë autentike, “alla ulqinakçe”, ku ka edhe sllavizma, edhe turqizma të përdorur me qëllim, por këto të fundit janë rezultat i përvojës jetësore, moshës, njohurive kontemplative, politike, sociale, ekonomike, etj.”, thotë ai

Fuqia e bejteve

Edhe pse për dikë konsiderohen si formë e lehtë shprehëse, Korda mendon se bejtet kanë fuqi të madhe shprehëse dhe kanë anën pozitive se janë të kapshme nga masat e gjera.
“Fuqia e bejtes është në shprehjet e shkurtra, të qarta, shumë domethënëse. Në këtë mënyrë mund t’i shpreh më qartë preokupimet që ngufat tek unë”, thotë Korda, duke shtuar se “ato janë të konsumueshme sidomos për ulqinakët që lexojnë fare pak”.
Po ashtu një përparësi tjetër e bejteve qëndron në faktin se me pak fjalë mund të thuhet shumë.
“Atë çfarë dikush në format e tjera letrare don ta shpjegojë me shumë fjalë apo fjali, në bejte shprehen dhe thuhen me një fjali”, shprehet Korda.
Edhe në kuptimin e bejteve nga ulqinakët, sipas tij, ka ndodhur një transformim rrënjësor.
“Në realitet, deri në librin e parë bejtet janë konsideruar akoma si “përralla hankonenesh” ose bile siç i kanë quajtur disa ulqinakë “hardhyk hesapi”. Kurse tek pas librit të tretë, shumëkush, e sidomos ulqinakët që lexojnë e kanë kuptuar që bejtet si formë e të shprehurit mund të kenë ndikim në formimin e botëkuptimeve, sidomos te gjeneratat e reja”, thotë Korda.

Shqetësimi i “zviceranit” për vendlindjen

Në krijimtarinë e tij, sidomos pjesën më të re, por edhe jashtë saj, vërehet shqetësimi për fatin e vendlindjes dhe për dukuritë negative që po ndodhin kohët ie fundit në të.
“Pas 12 viteve që shkruaj bejte mund të them që gjeni, trashëgimia, mërgimi, ndikon t’i përceptoj ngjarjet, jetën, veprimtarinë, mentalitetin social nga një perspektivë tjetër, në mënyrë kritike. Mërgimtarët, domethënë ne që jemi në diasporë, e shohim tërë jetën e përditshme me sy tjetër sesa njerëzit që jetojnë në Ulqin”, thotë Korda.
Por në këtë drejtim, Korda thotë se jo rrallë herë ka keqkuptime.
“Paradoksi më i madh është kur ne “zviceranët” – ulqinakët në Zvicër, vijmë në verë dhe i shprehim mendimet, bindjet tona ndaj Ulqinit. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve vjen reagimi me fjalët “hajt ma edhe ju zviceranët doni me na msu ne”. Ulqinakët vetë kur flasin për këto veti thonë: “Ulqini i mbrapshtë”, etj. Në realitet, unë bëj dallim shumë të madh ndërmjet Ulqinit dhe ulqinakëve. Ulqini i shkretë nuk mund ta zgjedhë popullin e vet, sepse e ka pasur këtë fatkeqësi që t’i takojë ky popull”, thotë Korda.

“Infektimi” me bejte

Bejtexhinjtë si rrymë në të kaluarën kanë qenë shumë të përhapur në Ulqin. Në atë kohë, bejtet janë shprehur në formën “qit e prit” dhe ato nuk ka mundur t’i thurë kushdo.
“Bejtexhinjtë e parë në Ulqin kanë jetuar më thjeshtë, kanë qenë më të pastër, më të varfër, por më të pasur shpirtërisht. Nuk kanë qenë mentalisht të harxhuar si gjeneratat e sotme që janë të ngarkuara dhe okupuara me “biznesin”, thotë bejtexhiu Silver Korda.
Ai e shpjegon vakuumin gati njëqindvjeçar në fushën e bejteve si rezultat i aspekteve politike, sociale, ekonomike, shpirtërore, intelektuale, etj. që kanë ekzistuar gjatë kësaj periudhe në Ulqin.
Edhe pse një studiues e ka quajtur atë bejtexhiun e fundit të Ulqinit, vetë Korda shpreson se kjo rrymë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në Ulqin dhe se nuk do të shuhet, pasi që ka edhe persona të tjerë që shkruajnë bejte.
“Në Ulqin shkruajnë bejte Sutki Malohoxhiqi dhe një grua ulqinake anonime, bejtet e së cilës i kam botuar në librin e dytë dhe të tretë, por jam duke vërejtur që i kam “infektuar” edhe disa persona të tjerë, si vajza të reja dhe burra të pjekur, emrat dhe veprat e të cilëve do të dalin më vonë”, thotë Korda.
Pas botimit të tre librave me bejte, Korda e cilëson të mbyllur fazën e parë të krijimtarisë së tij. Por në planet e tij për të ardhmen ka mjaft ide të reja, një prej të cilave është fillimi i thurjes së bejteve edhe në gjuhën malazeze.
“Nuk më lë qetë apo rehat ideja që të nisi të shkruaj bejte edhe “nashke”. Tingëllon paradoksale, por është e mundur për arsye se ulqinanakët, nëse lexojnë, më tepër lexojnë serbisht se shqip. Nëse do ta realizoj këtë, do të jetë një “bum” i cili do të jetë një provokim intelektual dhe mental që do të bëjë jehonë shumë më të madhe sesa tri librat e deritashme. “Qofshim shnosh e shofim”, përfundon Korda.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image