Forca: Statusi i Tuzit, vendim politik i pushtetit

October 6, 2009   | Politika

Forca e re demokratike _logoForca e re demokratike organizoi të enjten tubim me qytetarë lidhur me projektligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi
Ulqin – Vendimi për themelimin e Komunës së plotë të Tuzit nuk ka të bëjë as me kriteret gjeografike, historike, demografike dhe ekonomike, sepse ajo i plotëson të gjitha këto, por përcaktues është kriteri politik, u tha në tubimin me qytetarë të organizuar të enjten nga Forca e Re Demokratike, në kuadër të diskutimit publik lidhur me Projektligjin mbi Organizimin Territorial të Malit të Zi dhe Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale.
Ndërsa sa i përket Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, përfaqësuesit e Forcës mendojnë se zgjidhjet e ofruara në këtë projektligj kanë për qëllim decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, tha se “ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale nuk kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit, por me centralizimin e mëtejshëm të tij”.
Duke folur për Projekligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi dhe konkretisht çështjen e komunës së Tuzit, ai bëri krahasimin e Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi dhe ligjeve të ngjashme në disa vende të rajonit, si Sllovenia, Kroacia dhe Serbia, sipas të cilave Tuzi i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara në to.
Deputeti i kësaj partie, Genci Nimanbegu, tha se Projektligji mbi organizimin territorial nuk është i pranueshëm për këtë subjekt politik.
Ai tha se projektligji i propozuar e bën shumë të vështirë krijimin e komunave të reja dhe se nuk sheh mbështetje të pushtetit për themelimin e komunës së plotë të Tuzit.
“Komuna e Tuzit ashtu siç është suprimuar, duhet edhe të themelohet me vendim politik”, theksoi ai.
Edhe për dr. Nail Dragën, çështja e statusit të komunës së Tuzit varet nga vullneti politik i strukturave të pushtetit.
“Në Evropë ka mjaft shembuj të vetëqeverisjes së pakicës, ku ata ekzistojnë për ruajtjen e identitetit të pakicës”, tha ai, duke nënvizuar se çështja e komunës së Tuzit është për momentin preokupimi kryesor i shqiptarëve në Mal të Zi.
Draga shprehu dyshimin se do të ketë ndryshime pozitive.
Përfaqësuesit e Forcës së Re Demokratike, duke nënvizuar praktikën negative të deritanishme dhe duke shprehur rezervë sa i përket aprovimit të propozimeve të tyre, theksuan se kjo parti megjithatë do të përgatisë propozimet dhe sugjerimet lidhur me këto dy projekligje, të cilat do t’ua dërgojnë Qeverisë dhe Parlamentit të Malit të Zi. Ata shprehen kritika edhe për pushtetin lokal të Ulqinit sepse sipas tyre, fakti që nuk kanë organizuar asnjë tubim lidhur me Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale dëshmon se nuk janë të interesuar për këtë çështje.

I.Kallaba
Koha Javore

1