Mehmed Zenka: Asgjë nuk ndodhë rastësisht

October 19, 2009   | Politika

Mehmet ZenkaUrë e miqësisë apo mollë sherri
Shqiptarët dhe pakicat e tjera në Mal të Zi kërkojnë në shumëçka një vend të merituar në përfaqësimin autentik, gjë që edhe na takon sipas të drejtës hyjnore dhe njerëzore.
Edhe vendet përreth dhe më gjerë (BE) kanë kushtetuta qytetare, mirëpo kjo në kurrëfarë forme nuk i ka penguar që të miratojnë ligje elektorale cilësore mbi përfaqësimin e pakicave nacionale.
Në vitet e fundit përmes mediave publikohen artikuj të ndryshëm të njerëzve nga politika dhe jashtë saj në lidhje me Ligjin elektoral mbi përfaqësimin e pakicave në Kuvendin e Malit të Zi dhe për disa nga deklaratat mund të them se nëse nuk janë alarmante, atëherë së paku janë thellësisht shqetësuese. Sa janë të mençura konstatimet e disa politikanëve kur përmendin shembujt e shteteve fqinje dhe kur thonë se kjo çështje është zgjidhur pas tendosjeve të fuqishme nacionale apo si zgjidhje e pasluftës.
Me të drejtë e pyes veten se çfarë mesazhi u dërgohet pakicave në Malin e Zi?
A ka qenë e nevojshme që edhe ato të ngrisin tendosjet, respektivisht a ka qenë dashur që të luftojnë në vend që në momentet më delikate të formimit të shtetit të Malit të Zi kanë treguar lojalitet dhe përkushtim dhe kanë dhënë kontributin maksimal për rikthimin e shtetësisë së Malit të Zi, pikërisht në kohën kur një pjesë e mirë e popullit shumicë ishte kundër kësaj?
Çka do të thotë për ta “aksion afirmativ tejmase”? Do të doja të dij se cilat janë ato të drejta të tepërta që u janë dhënë pakicave në Malin e Zi?
Pakicat me plot të drejtë pyeten se çfarë duhet të bëjnë në mënyrë që Mali i Zi të bindet në lojalitetin e tyre ndaj tij?
Është fakt i padyshimtë dhe i pamohueshëm se kreu politik i Malit të Zi brenda dhjetë viteve të fundit ka patur më shumë sens për nevojat e pakicave nacionale sesa vendet përreth, por nuk është aspak më e vogël as merita e pakicave në Mal të Zi, të cilat në momentet më të vështira për Malin e Zi i lanë mënjanë kërkesat e veta për zgjidhjen e statusit dhe të gjitha këto ua nënshtruan interesave të formimit të shtetit të Malit të Zi.
Propozimet për heqjen e njësisë së veçantë zgjedhore dhe që pakicave t’u sigurohet nga një mandat i garantuar, kurse mandatet shtesë t’i fitojnë me tejkalimin e censusit zgjedhor prej 3% janë më se destruktivë dhe nuk i sjellin asgjë të mirë Malit të Zi në rrugën e tij drejt integrimeve në BE dhe në NATO.
Vendet në rrethinën e ngushtë, përkundër tensioneve dhe konflikteve të ndërsjella, arritën që deri diku ta zgjidhin statusin e pakicave nacionale, kurse Malit të Zi tutorët i propozojnë që ta përsërisë provimin tashmë të dhënë për të cilin ka marrë notë kaluese, në vend që ta përgatisin për provimin përfundimtar të diplomës. Vendimi mbi formimin e njësisë së veçantë zgjedhore për shqiptarët në Mal të Zi ka qenë një vendim politikisht i mençur i të gjithë faktorëve politikë të Malit të Zi të asaj kohe.
Shqiptarët dhe pakicat e tjera në Mal të Zi kërkojnë në shumëçka një vend të merituar në përfaqësimin autentik, gjë që edhe na takon sipas të drejtës hyjnore dhe njerëzore.
Edhe vendet përreth dhe më gjerë (BE) kanë kushtetuta qytetare, mirëpo kjo në kurrëfarë forme nuk i ka penguar që të miratojnë ligje elektorale cilësore mbi përfaqësimin e pakicave nacionale.
Jam i vetëdijshëm për faktin se përfaqësimi autentik i pakicave përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur i dëmton thellësisht individët të cilët për shumë vite janë pjesëtarë të partive të proveniencës qytetare por efekti i tyre në avancimin e të drejtave nacionale shihet edhe në bazë të propozimeve destruktive (për ta është më mirë edhe që të mos ekzistojnë partitë me atribut nacional).
Kërkesa që për shqiptarët të sigurohen pesë përfaqësues në parlament, të cilat rrjedhin nga partitë nacionale me njësinë e posaçme zgjedhore, nuk është asgjë tjetër veçse kurorëzim i diçkaje që ka filluar të funksionojë mirë në vitet e nëntëdhjeta, kurse çdo vendim tjetër shpie drejt zgjedhjeve të dobëta dhe gjysmake, që do të thotë se Mali i Zi edhe në të ardhmen do të përballet me problematikën e pakicave, por atëherë nuk do të jetë në një pozitë kaq të përshtatshme të vendosjes, sepse të tjerët do të vendosin për këtë nëse shkohet drejt strukturave të BE-së.
Për t’u rindërtuar mirëbesimi i arritur ndëretnik, është i pashmangshëm zhvillimi i sensibilitetit të veçantë për specifikat lokale dhe vendosja e metodologjisë autentike të punës praktike në avancimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Problemi i marrëdhënieve ndërnacionale akoma preokupon një numër të madh të shteteve madje edhe bashkësinë ndërkombëtare. Ky problem është aktual edhe në shumë vende europiane, e sidomos në Ballkanin Jugperëndimor, ku, për fat të keq, kanë humbur shumë jetëra njerëzish. Përvojat e deritashme dëshmuan se nuk ka konflikte më të pakuptimta sesa ato ndërnacionale. Gjatë viteve të fundit kemi pasur raste që nga përfaqësues të shumtë të BE-së dhe OKB-së të cilët vizitojnë Ballkanin Jugperëndimor të dëgjojmë sesi ata proklamojnë idenë që pakciat nacionale duhet të jenë urë e miqësisë dhe urë e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe ndërshtetërore, e jo sikurse në shekullin e kaluar, urë e përçarjes midis shteteve (Bullgari – Greqi, Hungari – Rumani, Shqipëri – Serbi, Turqi – Greqi, Itali – Austri, etj. etj.) .
Si akt pozitiv në rolin e pakicave nacionale në përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë lirisht mund të përmendim: pakicën nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi, e cila nëpërmjet përfaqësuesve të vet politikë ka arritur të avancojë jashtëzakonisht marrëdhëniet ndërshtetërore midis këtyre dy vendeve.
Duke ndjekur një politikë të shëndoshë në respektimin e ndërsjellë dhe duke ndjekur një politikë korrekte dhe të drejtë në raportin ndaj pakicave nacionale, rezulton me një refleksion tejet produktiv brenda një pakice nacionale, e cila pashmangshmërisht shpie në përmirësimin e pozitës së kësaj pakice brendapërbrenda shtetit.
Nuk do të kalojë shumë kohë kur edhe shtetet e Ballkanit Jugperëndimor të kuptojnë që pakicat nacionale brenda kufijve të tyre mund të kenë dhe mund të jenë promotorë të rregullimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Së këndejmi u rekomandoj anëtarëve të grupit të punës që të kenë sens ndaj kërkesave të pakicave nacionale pa frikë dhe animozitet, sepse ato janë dëshmuar dhe treguar si promotorë i vërtetë i shumë të mirave në Mal të Zi.
(Autori është deputet në Kuvendin e Malit të Zi dhe nënkryetar i UDSH-së)

Mehmed Zenka
Koha Javore

3