Ulqin: Ministria do të përkrahë investimet në bujqësi

October 19, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

Mefit JakupiUlqin – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore do të ndihmojë dhe mbështesë çdo iniciativë nga investitorët që kanë projekte për të investuar në bujqësi, kanë premtuar përfaqësuesit e kësaj ministrie në takimin që kanë zhvilluar të mërkurën e kaluar me përfaqësuesit e UBA-s në Ulqin.
Ata kanë premtuar po ashtu se janë të gatshëm që në çdo kohë të japin këshilla dhe të informojnë këtë organizatë lidhur me çështjet që i intereson nga kjo lëmi.
Drejtori ekzekutiv i UBA-s, Valdet Axhemoviq, i ka informuar bashkëbiseduesit mbi funksionimin, aktivitetet, qëllimet, objektivat si dhe për funksionimin e sektorëve të vaçantë pranë UBA-s, ndërsa kryetari i sektorit të bujqësisë pranë kësaj organizate, Mefit Jakupi, ka prezantuar shkurtimisht disa nga aktivitetet e deritanishme të këtij sektori, siç janë realizimi i anketës me prodhuesit bujqësorë, ku janë evidentuar problemet që ata hasin gjatë punës së tyre, qëndrimin në Ulqin me ftesën e UBA-s të ekspertit për bujqësi nga Holanda, Martin Den Bauer, i cili ka vlerësuar situatën nga afër dhe ka hartuar një raport në lidhje me prioritetet e zhvillimit të bujqësisë në Ulqin, si dhe takimin me përfaqësuesit e Shoqatës “Norgesvell” nga Norvegjia, të njohur në nivel ndërkombëtar për mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë.
Anëtari i bordit të bujqësisë pranë UBA-s, Xhaudet Cakuli, ka theksuar nevojën e zhvillimit të bujqësisë në komunën e Ulqinit krahas zhvillimit të turizmit dhe potencialet e favorshme të kësaj komune për zhvillimin e bujqësisë. Ai gjithashtu ka prezantuar edhe planet e këtij sektori në të ardhmen.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore, Vukota Stanishiq ka prezantuar punën e kësaj ministrie dhe programin për zhvillimin e bujqësisë. Ai ka thënë se kjo ministri ka të përcaktuar në programin e vet mbështetjen për të gjithë ata që do të investojnë në sektorin e bujqesisë.
Vukotiq ka prezantuar edhe programin aktual të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore për të mbështetur investimet në bujqësi në kuadër të veprimtarisë për zhvillimin rural të parashikuar në agrobuxhetin për vitin 2009 i cili parasheh mbështetje financiare deri në 30 për qind të investimeve të kryera nga fermerët për zhvillimin e bujqësisë.
Takimi është zhvilluar me ftesën e UBA-s.

Kohapress

YouTube Preview Image