38 Medalje dhe 8 kupa për KK”Ulqini”

November 11, 2009   | Sporti / Sport

Klubi i karatesë “Ulqini”2009Përkrahja që u bë  Klubit të karatesë “Ulqini” shënon rezultatin e rradhës
Më 31 tetor 2009 në Gjilan, Kosovë, në organizimin e klubit vendas të karatesë “Dardania” u mbajt Turneu i IV ndërkombëtar i karatesë “Katana open 2009”, në të cilin morën pjesë 33 klube nga mbarë Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosna, Lugina e Preshevës, si dhe nga Ulqini me mbi 400 garues. Organizimi i turneut ishte në nivel dhe konkurrenca mjaft e fortë.

– Duke u falënderuar donatorëve, prindërve të garuesve dhe organizatorëve të turneut, Klubi i karatesë “Ulqini” kësaj radhe pati mundësinë që të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të karatesë “Katana open 2009”, në Gjilan të Kosovës. Pas një apeli që ne kemi bërë për ndihmë financiare, dashamirët e sportit u përgjigjën pozitivisht, për çka ne i falënderojmë dhe i sigurojmë që edhe në të ardhmen nuk do t’i zhgënjejmë, por me përkrahjen e tyre, do të vazhdojmë të jemi më të mirët, siç kemi qenë edhe deri tash në çdo garë që morëm pjesë, në vend dhe jashtë

Synimi ynë është  që të vazhdojmë me rezultate të mira, me qëllim që të jemi në mesin e më të mirëve si gjithmonë. Vetë rezultatet e njëpasnjëshme flasin se kush jemi. Dëshmi për këtë është suksesi ynë në gara, ku përballemi me klubet më të mira dhe arrijmë të jemi pjesë e më të mirëve – thonë drejtuesit e këtij klubi.

Në këtë turne Klubi i karatesë “Ulqini”, mori pjesë me 18 garues, të cilit triumfuan në të gjitha disiplinat ku morën pjesë. Ata u kurorëzuan me gjithsej 38 medalje, prej tyre 11 të arta, 12 të argjendta, 15 të bronzta dhe 8 kupa. Në bazë të zgjedhjes, klubit të karatesë “Ulqini” i takoi edhe kupa për klubin më masiv mysafir.

Të gjithë garuesit e këtij klubi që morën pjesë në këtë turne u kurorëzuan me medalje, çka dëshmon qartë për përgatitjen dhe nivelin e lartë të tyre.

Vlen të veçohet ekipi i grupmoshës 1992/91/90 në luftëra, i cili në një konkurencë mjaft të fortë arriti të shpallet kampion. Po ashtu, organizatori na nderoi edhe duke paraqitur ekipin tonë me një demonstrim të katës Gojushiho-Sho me bunkai (aplikim të katës), me ç’rast ekipi u dekorua me nga një medalje të artë dhe një kupë. Ky demonstrim mjeshtror i ekipit tonë në përbërje nga garuesit tonë tashmë të njohur Liridon Elezi, Dardan Ceka dhe Viktor Curoviq

u duartrokit fort nga publiku dhe u lavdërua nga profesionistët mjeshtër të karatesë që ishin prezent në këtë garë. Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e frytshëm shumëvjeçar në mes të dy klubeve, nga klubi i karatesë “Ulqini” iu dorëzua organizatorit, klubit të karatesë “Dardania”, një plaketë mirënjohjeje.

Nga Klubi i karatesë “Ulqini” në këtë turne me medalje u shpërblyen shumë garues, si në disiplinat individuale, ashtu edhe në ato ekipore. Për shkak të numrit të madh të medaljeve, siç kemi vepruar edhe herave tjera, emrin e garuesit do ta përmendim vetëm një herë, duke i ikur asaj që një garues të përmendet 3 apo 4 herë në të gjitha disiplinat ku ka marrë pjesë.

Me nga dy medalje të arta u kurorëzuan Viktor Curoviq, Dardan Ceka dhe Liridon Elezi, ndërsa nga një të artë fituan Antigona Rama, Nermin Suma, Diellëza Rama, Petar Barlloviq dhe Albion Duraku, i cili vazhdon të jetë i pamposhtur si në çdo garë tjetër.

Përveç këtyre medaljeve këta garues u kurorëzuan edhe me medalje të tjera.

Me nga disa medalje të tjera u shpërblyen edhe këta garues: Blerta Tahiri, Blendar Kabashi, Edmond Aliq, Sandro Pecoviq, Petar Maroviq, Teufik Shurdha, Xhemale Elezi, Gentiana Kuqi, Xhenis Rexhepi dhe Lulzim Suma.

Udhëheqësia e klubit të karatesë “Ulqini” falënderon sponzorët restaurant “Corona”, ndërmarrja “Euro Uni Trade”, burektorja “Pelivan”, restaurant “Alfa”, furra e bukës “Arkanzas”, si dhe prindërit e garuesve. Një falënderim i veçantë i takon organizatorit z. Maliq Maliqit për mikpritjen e veçantë që i bëri ekipit tonë në Gjilan.

SHËRBIMI PËR MARRËDHËNIE ME PUBLIKUN I KK “ULQINI”